Skandal i Hipotekës së Vlorës/ Monumentin natyror “Deltën e Palasës”, e bëjnë me pronarë

0

Uria për pronë ka prodhuar dokumente të tëra fallso, korrupsioni, të cilat kanë prekur  shumë institucione.

Akte  trashëgimie të falsifikuara apo vendime hipotekore të blera kanë stimuluar të gjitha llojet e konflikteve të mundshme, të cilat pak herë kanë degjeneruar në rrahje dhe gjakderdhje.

Një denoncim me objekt falsifikimin e dokumentave pronësore ka mbërritur në redaksinë e CityNews.al.

Sipas dokumetacionit që disponon CityNews.al, skandali ka marrë jetë nga Zyra e Regjistrimit dhe Verifikimit të Pasurisë Vlorë e cila, Deltën e lumit Palas, që njëherësh është edhe monument natyror, ia  ka kthyer pronarit.

Delta e Përroit të Palasës, është në listën e monumenteve natyrore të Shqipërisë, sipas nenit 100 të Kushtetutës dhe  neneve 4, 7 dhe 13 te ligjit nr.8906 datë 06.06.2002 “Për zonat e mbrojtura”, me propozimin e Ministrit të Mjedisit, Këshillit të  Ministrave.

Mirëpo, kjo nuk i ka penguar zyrtarët e Hopotekës së Vlorës, Kasem Cenaj, Afroviti Gjipali, Bledar Dumani, Llambro Dhima dhe Ervin Demiraj, që në vitin 2006, sipërfaqen  prej  19 000 metra katrorë në Dhërmi të Vlorës, t’ia kthejnë pronarit.

Sipërfaqja në fjalë rezulton e regjistruar  në zonën kadastrale 1481, si sipërfaqe toke, kullote, sipas një vendimi të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të paluajtshme me numër 267, të datës 18.08.2006.

Sipas dokumentit me numër protokolli 183, Komisioni i kthimit të pronave në Vlorë i përbërë nga Kasem Cenaj, kryetarë, Afroviti Gjipali, Bledar Dumani, Llambro Dhima dhe Ervin Demiraj anëtarë,  me datë 08.07.2006,  ka marrë në shqyrtim  kërkesën e subjektit të shpronësuar Filip Jeto (trashëgimtarëve të tij, sipas dëshmisë së trashëgimisë me vendimin nr.513 datë 31.05.1999), të përfaqësuar nga Kristaq Jeto për kthimin e pronës në kullotë, të ndodhur në fshatin Dhërmi të Bashkisë së Himarë dhe me datë 11.08.2016, ia ka kthyer tokën pretenduesit në fjalë.

Sipas shkresës me datë 20.05.2006, të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë, bëhet e ditur se  zona kadastrale 1481 nuk ka hyrë në sistem  regjistrimi, prona  e pretenduar është në zërin kadastral kullotë shtetërore në administrim të Drejtorisë Rajonale Pyjore.

Zyrtarët e Hipotekës së Vlorës, Deltën e Palasës e bënë me pronarë, ndërkohë që katër vite më herët  kjo sipërfaqe ishte  vënë në listën e monumenteve natyrore të Shqipërisë dhe si e tillë mbrohej me Kushtetutë dhe Ligj.

Pas këtij denoncimi, Agjencia e lajmeve CityNews.al me datë 20.11.2017, i është drejtuar Zyrës Vendore te Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për të  hedhur dritë rreth skandalit në fjalë.

Për këtë arsye  janë kërkuar  kopje të praktikës me të cilën është bërë regjistrimi në emër të familjes Jeto për 19.000 metra katrorë tokë të ndodhur në zonën kadastrale 1481 më Dhralë, Vlorë,  është kërkuar harta  përkatëse e kësaj prone dhe zëri kadastral i saj, si dhe statusi juridik  që ka kjo pronë sot, referuar regjistrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme që administrohen nga ZRPP-ja e Vlorës.

Kur, kanë kaluar më shumë se dy javë, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Vlorë, nuk ka kthyer përgjigje, duke shkelur kështu Ligjin nr.119/2014  për të Drejtën e Infomimit, përkatësisht nenin 3, pikën 2 dhe 3 si  dhe nenin 9, pikat 1 dhe 2.

Por megjithëse hipoteka nuk përgjigjet ne më poshtë po sjellim të gjitha dokumentat që disponojmë për këtë rast të pastër korrupsioni, për të cilin vështirë se do të heshtin institucionet dhe ky  skandal si shumë e shumë  s’do të lihet në harresë./CityNews/

 

 

 

 

Lini nje pergjigje