LSI, në shërbim të komunitetit në Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarëve

0

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Vullnetarëve, strukturat e Lëvizjes Socialiste për Integrim në të gjithë vendin organizuan aktivitete në shërbim të komunitetit dhe shtresave në nevojë. LSI e Tiranës shërbeu dhe dërgoi ushqime në 3 qendra të ndryshme sociale në kryeqytet, në Njësinë Administrative nr. 9, në Shkozë dhe në Laprakë. Gjithashtu në Tiranë LSI shpërndau ndihma ushqimore për familjet e përmbytura dhe në gjendje shumë të vështirë ekonomike në Njësinë Administrative nr. 8.

Në një prononcim për mediat nga Qendra Sociale në Njësinë 9, Nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Kejdi Mehmetaj, i bëri thirrje të gjithë shqiptarëve, në veçanti të rinjve që të jenë me sa munden vullnetarë në shërbim të komunitetit pasi siç u shpreh ajo shërbimi ndaj komunitetit është forma më e mirë për t’i shërbyer në radhë të parë vetes tonë. “Sot, në datën 5 dhjetor që është njëkohësisht dhe Dita Ndërkombëtare e Vullnetarëve dhe vullnetarizmit, së bashku me të rinjtë dhe të rejat e Lëvizjes Socialiste për Integrim kemi vendosur që ditën tonë ta vëmë në shërbim të komunitetit sepse kjo është forma më e mirë për t’i shërbyer në radhë të parë vetes tonë. Marr shkas edhe nga përmbytjet e ditëve të fundit dhe nevojat që qytetarët kanë, ku sot duhet të jemi pranë tyre me atë se çfarë mund të ofrojmë nga vetja jonë. Ne kemi vendosur që të jemi sot në qendrat sociale për t’i shërbyer ushqim, por edhe pak ngrohtësi familjeve që në këto ditë t ftohta dhe me shi e kanë të pamundur që të jenë në shtëpitë e tyre, por njëkohësisht do të jemi sot edhe në familje nëpër gjithë Tiranën për t’i ndihmuar ata për të kaluar këto ditë të vështira. Shpresoj që ky mesazh i joni por edhe kjo ditë e jona në shërbim të komunitetit, të vlejë për të gjithë të rinjtë që të gjejnë një mundësi për t’i shërbyer komunitetit. Po i shërbyen komunitetit, i kanë shërbyer edhe vetes së tyre. Përfitoj nga rasti t’i bëj thirrje qeverisë, në veçanti ministrisë përgjegjëse, që të miratohen sa më parë gati aktet nënligjore për ta bërë të zbatueshëm Ligjin për Punën Vullnetare”, tha në prononcimin për mediat znj. Mehmetaj.

Jo vetëm në Tiranë por në të gjithë Shqipërinë strukturat e LSI-së u gjenden në shërbim të komunitetit dhe shtresave në nevojë, duke zhvilluar aktivitete të ndryshme në çdo rreth të vendit. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari, së bashku me LSI-në e Kavajës, ishin pranë banorëve të përmbytur në këtë rreth me ushqime dhe ndihma të tjera.

Lini nje pergjigje