Viti shkollor nga marsi në tetor

0
458

Nga Dr. Ndriçm Mehmeti

Mendoj se është një propozim konkret, i vlefshëm dhe mjaft i dobishëm për Shqipërinë. Në vend që të sajojmë pushime, të tej zgjatura, mbyllje shkollash nga të ftohtit, u rrëzua çatia, ka shkarë ura, etj.,ka një zgjidhje më të mirë. Ta bëjmë vitin shkollor nga marsi në tetor. Kështu që shpëtojmë nga ditët që zëvendësohen, prej motit të “egër që po pushton” çdo vit Shqipërinë, me shira e të ftohët që nuk është parë këto 50 vitet e fundit, na merr të keqen.

Ku mund ta gjejmë këtë model dhe si mund ta zbatojmë?

Me sa më kujtohet nga një takim me përfaqësues të Bankës Botërore, ai solli si shembull të autonomisë financiare të shkollës Uruguain dhe Brazilin. Por që ne të shkonim të merrnim shembull nga ata duhet të vizitonim Uruguain nga marsi në tetor, sepse në atë periudhë ishte i shtrirë viti shkollor, në atë vend, ndërsa Brazilin nga shtatori në maj. Uruguai kishte tjetër sistem, sepse, sipas përfaqësuesit të BB, ishte terreni i thyer dhe moti i keq në zonat malore, çka nuk lejonte funksionimin normal të shkollave, në të gjithë vendin, në periudhën nga shtatori në maj- qershor. Në kushte kur edhe ne duket se ngjajmë shumë me Uruguain mund ta hedhim këtë hap pa asnjë pikë droje. Uruguai me male të larta dhe ne po ashtu, Uruguai ka bregdet dhe ne po ashtu, borë e shi bie edhe tek ne edhe në Uruguai. Pra ngjamë si dy pika uji. Na i hedh pak Uruguai me sipërfaqen e madhe që ka po kjo nuk na prish shumë punë. E rëndësishme është që ne mund të ndjekim fare mirë modelin e tyre. Mund të jetë një eksperiment që do të na dali me shumë bereqet. Nuk do të na përmbyten shkollat, nuk do të kemi probleme me furnizimin e ujit, ngrohjen e shkollës, gjetjen e donatorëve për soba, kondicioner, riparim shkollash në prag të dimrit, e plot kokëçarje të tjera. Me pak fjalë shmangim dimrin dhe fitojnë goxha kohë. Edhe festa e pushime koti prej motit, më pak do të kemi. Do të na kalojë, ca periudha e pushimeve të verës në shkollë, po ne jemi vend i bekuar dhe me standarde të larta jetese. Në tetor të gjithë shkollarët dhe mësuesit e tyre do të zbarkojnë për pushime në vendet e ngrohta: Kretë, Dubai, Jordani, Australi, Madagaskar, Afrikë e Jugut, Barbados, Kubë etj. Edhe në Shqipëri, gjen kushte moderne në atë periudhë në vende të tilla të lakmuara prej turizmit botnor: Lungomare, Gjiri i Lalëzit, Plazhi i Gjeneralit, Streha e Kolonelit, Miami Beach. Pale grekun që e kemi më afër do të lumturohet prej kësaj gjetje origjinale shqiptare.

Planin mësimor edukativ si do ta realizojmë?

Me teorinë konstruktiviste, djuiste, vizioniste: Po bëjmë gjithçka për të mirën e nxënësit dhe jo të shtetit. Sa kohë i kemi të rrezikuar nxënësit, nga shtatori në mars, prej shirave të mallkuar, dëborës që fillon e bie krejt papritur e pa na pyetur që në dhjetor e pale se kur përfundon, mars tetor e kemi periudhën më të mirë për shkollë. Dita zgjatet, dielli shkëlqen, është koha e luleve, dashurisë, qejfit, shëtitjeve, në fund edhe ndonjë orë mësimi nuk është keq. Ku ka më mirë për shembull, që të bësh mësim, kur zogjtë cicërojnë, bletët çukisin lule më lule, për të kërkuar ushqimin më të mirë për mjaltë, bora ka shkrirë e lumenjtë janë përsëri plot, nuk ke probleme me dritat se ke ndriçimin e perëndisë dhe mëmës natyrë. E çfarë kushtesh më të mira mund të kërkosh për një shkollë cilësore e të mirë. Nuk është puna e se ne duam t’i ngjajmë Uruguait, Bolivisë, a ndonjë vendi tjetër. Thjesht po e bëjmë më të mirën për nxënësit, me programe anglosaksone, me vizionin konstruktivist të Djuit dhe me miderin origjinal në Evropë të shkollës, pranverë-verë, pa i hyrë në hak vjeshtës. Mos u çudisni aspak. Nuk është një propozim në erë. Mjafton që ta shikojmë me më shumë optimizëm. Tani që lehtësuam edhe barrën e fëmijës për shkollë është pak më e thjeshtë të realizosh planin mësimor. Po të heqim edhe orët e përsëritjes, ndonjë “testim koti” që bëjnë mësuesit, aty atu dalim me llogaritë. Në fund të fundit ne aq mësim bëjmë. P.sh në nëntor bëmë pesë ditë pushim brenda një jave dhe dy ditë mësim. Në janar e kemi të sigurt një javë pushim e më shumë se do të bëj ftohtë, aty ku bie dëborë do të ndërpritet mësimi me urdhër nga lart e propozim nga poshtë. Kështu që gjithsej nga 36 javë vetëm 32, maksimumi 33 bëhet mësim faktik. Ndërsa nga marsi në tetor nuk do të ketë asnjë justifikim dhe mësimi do të eci fjollë. Provimet janë në nëntor dhe Universiteti mund të filloj me parapërgatitjet në janar dhe aty nga fundi i shkurtit, do të hap dyert për studentët. Për mësuesit dhe pedagogët do të ketë më shumë pushime, kohë relaksi e krijimtarie. Kemi mundësi të bëjmë tekste shkollore, në dimër mendje të ftohët e trup të nxehtë. Do të zbatojmë kurrikulën anglo-saksonë në kushte tërësisht origjinale, nuk kemi provime bë verë që të na lodhen kalamajtë. Pra kemi një sërë avantazhesh të njohura dhe të panjohura për realizimin me sukses të planit mësimor edukativ

Si mund të realizohet modeli i vitit shkollor nga marsi në tetor?

Fare thjesht dhe me kosto e kënaqësi të pa treguar ndonjëherë ër të gjithë. shteti nuk do të ketë kokëçarjet e çarjes së digave, shembjeve të urave, mbytjen e shkollave dhe kopshteve, pikon çatia e u rrëzua dera, etj, etj. Familjet shqiptare do të jenë po ashtu të lumtura, se mund të kursejnë pushimet e mallkuara të verës dhe të jenë më vigjilent ndaj fëmijëve të tyre. Si një shoqëri e civilizuar në fazën post moderne, ne parapëlqejmë të kremtojnë ngjarje të tilla të mëdha si: Diata e Falënderimeve, Hallouini, Shën-Valentini e ndonjë festë që del anameso këtyre moderneve. Sigurisht që nuk do të harrojmë të vishemi njëherë në vit me flamurin kombëtar e të vetë ekspozohemi në FB dhe të urojmë pa fund njëri-tjetrin në festat fetare, për më shumë harmoni e të nesërmen të theremi për një femër, plep, apo gardh, që kalon në anë të shtëpisë. Nga marsi në tetor është një kohë e jashtëzakonshme për shkollën, por edhe për qeverinë e shtetin. Është kohë zgjedhjesh, premtime për çelje negociatash me BE-në, premtim (nënkupto mashtrim) për rritje rrogash, pritja e turistëve nga anë e mbanë botës që zbarkojnë nga toka, deti dhe ajri në të bekuarën Shqipëri. Në këtë periudhë ndodh edhe mbipopullimi i plazheve super të virgjra të vendit tonë. Ama arsimi është në pararojë të të gjitha këtyre zhvillimeve. Zhvillohet mësim me kohë të plotë, të pjesshme, ose fare sipas rastit. Nga marsi në tetor do të arrijmë rezultate, jo vetëm ndër vendet e OECD, por edhe më gjerë e gjatë. Nga Argjentina në Australi, nga Poli i Veriut e në Zambia do të flitet për modelin e suksesshëm të arsimit tonë. Fundja ne me arsimin në tërësi, kemi bërë lloj-lloj eksperimentesh, kemi bërë e do  bëjmë, se  e ndryshuam periudhën e vitit shkollor nga marsi në tetor, nuk u bë ndonjë hata e madhe, de.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here