“Urrejta Platonike” dhe lidershipi i Bashës

0

Nga Feti ZENELI

Loading...

“S’ka më të urryer, se sa ai që thotë të vërtetën”, na mëson prej më shumë se 25 shekujsh Platoni i Lashtësisë. Kjo thënie më vjen shpesh ndërmend teksa dëgjoj zëra të urrejtjes politike e mediatike, që kanë shpërthyer tash së fundi në kor, ndaj kreut demokrat, z. Lulzim Basha. Kundërshtarët politikë, por edhe ndonjë nga të vetët – cinik, si nuk ja arritën ta dekurajojnë Bashën në vendosmërinë e tij për të dëshmuar lidership bashkëkohor, duke e përfolur lart e poshtë për pasivitet, formalitet dhe familjaritet, kanë filluar ta urrejnë atë “me gjithë shpirt”, sidomos për të vërtetën më të fundit lidhur me përdorimin e parave të krimit dhe drogës nga “Rilindja” socialiste në blerjen e zgjedhjeve të përgjithëshme të 25 qershorit. Kjo e vërtetë, ashtu si ato për kriminalizimin e Parlamentit të kaluar, përfshijen e Policisë dhe strukturave të tjera shtetrore në kanabisimin e vendit, përdorimin e Reformës në Drejtësi për kapjen e sistemit nga mazhoranca, korrupsionin e koncesioneve nëpërmjet partneritetit publik-privat, etj., “kanë vonuar, por nuk kanë harruar” të dalin në shesh, si rezultat i një lidershipi gjithmonë në ngjitje të kreut demokrat, z. Basha, për të qartësuar dhe zgjeruar në të gjithë shtresat e popullsisë vizionin e një të ardhmeje, ku, siç thotë një filozof, ata “…nuk kanë qënë”. Bëhet fjalë për disa të vërteta, që të kujtojnë një ese politike të Bertold Brehtit në kohën e Luftës së Dytë Botërore, me titull “Pesë vështirësi për të shkruar të vërtetën”, kur e vërteta “… është fshehur kudo”, dhe për ta thënë e provuar atë në kushtet e një situate të rëndë politiko-shoqërore të krijuar në vendin tonë, duhet të kesh patjetër “kurajën…, zgjuarsinë…, mjeshtërinë…, mprehtësinë… dhe dinakërinë…” e një lideri, dhe jo thjeshtë atë të një politikani të zgjedhur për të drejtuar një forcë të caktuar politike, siç është Partia Demokratike në këtë rast, duke mos iu nënshtruar paragjykimeve të trashëguara, dhe duke përdorur me kurajë inteligjencën e vet. Tashmë, pas prezencës parlamentare si deputet i Kuvendit të Shqipërisë në këtë legjislaturë, lidershipi i Bashës po bëhet shpresëdhënës për një numër gjithnjë e më të madh njerëzish, sa që historia partizane “dhe i vetëm, trim në luftë”, ka filluar të ritregohet gjithnjë e më shpesh duke e ilustruar me fakte e ngjarje nga zhvillimet politiko-shoqërore të 4-5 viteve të fundit, të ndikuara nga aktiviteti politik i kreut demokrat. Duke u shfaqur si një lider kombëtar i zoti, i virtytshëm, i fuqishëm, i qartë dhe i dashur – njëkohësisht, z. Basha arriti t’ua djeg në dorë “kartat” e aleancave dhe veprimtarive kriminale, kundështarëve të tij politik. Natyrisht, për këto probleme është folur nga shumë politikanë e njerëz të tjera publikë, por kreu demokrat u shqua “…për këmbënguljen e shtruar…”, “… planin e përpunuar me kujdes…” dhe “…realizmin mbi romantikën” e prezantimit publik të problemeve, siç thotë Cvajgu. Ai gjeti mekanizmin demokratik, për t’i nxjerrë në shesh “të palarat” e qeverisjes 4-vjeçare, bazur tek sjellja politike e tij si lider i guximshëm e vizionar.

 

Theodore Hesburgh, profesor dhe aktivist i njohur publik, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe në shumë vende të tjera të botës, thoshte se: “Esenca e vërtetë e lidershipit është se duhet të keni vizion”. Në mënyrë të veçantë, të qënit vizionar është një cilësi shumë e rëndësishme për tipin e lidershipit politik, pavarësisht se në politikë apo qeverisje, nocioni “lidership” nënkupton zotësinë e një personi për të drejtuar në bazë të funksionit zyrtar dhe autoritetit profesional e intelektual të tij. Po ti referohemi përvojës historike ne konstatojmë, se cilësitë e individit kanë një efekt shumë të fortë në krijimin e lidershipit të vërtetë, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të kuptohen e ushtrohen si duhet kompetencat ligjore dhe ato institucionale. Lideri i vërtetë ka bindjen se jeta njerëzore, duke mos u jetuar me vlerë dhe besim, ndihmon në shkatërrimin e pakicës nga fuqiplotët dhe fundosjen e shumicës nga dobësitë e saj. Kështu ka ndodhur edhe në realitetin shqiptar të këtyre 27 viteve tranzicion me liderat e partive politike që kanë qeverisur vendin tonë, ku përgjithësisht ata kanë lënë një emër jo të mirë publik, për shkak se të tillë e kanë patur formimin dhe cilësitë morale. Me shumë pak diferenca midis tyre, ata, ndonëse janë vetshpallur konsensuale e shërbëtorë të interesave qytetare, janë shndërruar në përçarës e sundues të tyre, duke harruar, se, siç thotë Kanti, kanë marrë përsipër një barrë tejet të rëndë, atë që Zoti e ka më të shenjtën dhe më të shtrenjtën mbi dhè – të drejtën njerëzore. Faktikisht, zemra e një lideri duhet të kërkojë në çdo moment të vërtetën dhe të mirën për të gjithë njerëzit, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të frymëzojë e të fitojë çdo zemër nga radhët e tyre.

Por liderat, apo më mirë të themi, pushtetarët tanë të deritanishëm, për shkak të raporteve jo miqësore me të mirën dhe të vërtetën, në pamundësi për të fituar zemra, kanë bërë të pamundurën për të fituar vota të blera. Duke u përqendruar tek 4-5 vitet e fundit, konstatojmë se ky fenomen është shndërruar në një shqetësim shumë të madh, i cili po rrezikon seriozisht themelet e demokracisë shqiptare, për faktin se gjatë kësaj periudhe drejtimi i vendit ka rënë në duartë e një politikani, që është përfolur vazhdimisht për një karakter problematik në marrëdhënie me njerëzit. Ishte kjo arsyeja që grupi parlamentar i “Rilindjes” socialiste u mbush me kriminelë në mandatin e parë dhe me “kanabist” në mandatin e dytë. Por kjo situatë do të kishte kaluar pa u ndjerë nëse në radhët e opozitës nuk do të kishte patur një lider si Lulzim Basha, i cili i jep zemrën qytetarit dhe pret të marrë zemrën e tij në këmbim. Po kështu për Bashën, siç thotë një filozof, “liria në të vërtetë është një lojë më e madhe se pushteti, pasi pushteti ka të bëjë me atë që kontrollon, ndërsa liria ka të bëjë me atë që ti mund të çlirosh”. Këto parime apo cilësi inteligjente, që  përbëjnë esencën e vizionit të tij si lider politik e shtyn tre vjetë më parë z. Basha ta orjentonte grupin e demokratëve drejt tre iniciativave të guximshme parlamentare, në funksion të përmirësimit të standardeve tona demokratike në shtet dhe shoqëri, që lidheshin me dekriminalizimin, reformën në drejtësi dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Me guxim, vendosmëri dhe vizion lideri ai arriti t’i jap për gjithë këto vite,  “rendin e ditës” politikës dhe shoqërisë shqiptare, pavarësisht makinacioneve, rezistencës dhe përdorimit të forcës së katronit parlamentar nga mazhoranca e majtë. Lideri demokrat u bë kështu barrikadë për të mos avancuar më tej e keqja, që dalëngadalë po zinte vend sa në veprimtarinë institucionale, po aq dhe në ndërgjegjen qytetare. Janë bërë të njohura rezultatet që u arritën në këtë drejtim, me gjithë kundërveprimin agresiv dhe në front të gjerë të kundërshtarëve politikë të z. Basha dhe “të infiltruarëve” të tyre në radhët e demokratëve, të cilat më shumë se sa tek filozofia e përgjithëshme politike e së djathtës, bazohen tek filozofia e kontibutit të tij personal si vizionar racional, duke bërë kështu diferencën midis të qenit ndjekës i një modeli lidershipi me të qenit lider i realizuar.

“Çadra” ishte një aspekt i konkretizimit të filozofisë së kontributit të tij personal, si një zgjidhje-risi, në një moment që kundërshtari i tij politik po përdorte forcën e verbër të numrave dhe “aleancën e qelbësirave” të brendshme e të jashtme për t’ju kundërvënë. “Çadra” ka patur edhe më parë në Bulevard nga kundërshtarët politik të Bashës, po për shkak të mungesës së filozofisë e lidershipit të duhur, janë konceptuar si “Bunkerë” të Grevës së Urisë, dhe jo si “Shtëpi e Lirisë”, siç ndodhi përgjatë 3 muajëve rresht me aksionin politik të demokratëve, ku ditë e natë pa pushim ishte i ftuar kushdo për të shprehur mendimin e tij, të tregonte problemin dhe hallin e tij, të krijuar si pasojë e qeverisjes së keqe. Nëse “Çadra” do të kishte qënë thjeshtë një aksion politik pa filozofi lidershipi të përjetesave njerëzore, nuk do të arrinte të çlironte kaq shumë pasione të ndrydhura e të shtypura nga arroganca e pushtetit të lidhur “si mishi me kockën” me forcat regresive e kriminale, që ushqyen për 3-4 vitesh rresht, kultivuesit e kanabisit. Vizioni, bindja, kurajua, hapja e zemrës, distancimi nga dhuna, inteligjenca, e vërteta, përgjegjshmëria dhe mjaft cilësi të tjera lidershipi u bënë shkak që tek “Çadra” të mblidhen jo vetëm qytetarët shqiptarë, por edhe ndërkombëtarët e niveleve më të larta drejtuese në Bruksel e Uashington, për të parë nga afër fytyrën e vërtetë të pushtetit që ishte instaluar në vendin tonë, e makiazhuar për 4 vite edhe nga përfaqësuesit e tyre diplomatik në Shqipëri. Shumëkujt ky rast mund t’i duket një histori e vjetëruar dhe dikujt tjetër – një aksion politik i dështuar, për shkak se nuk e riktheu në pushtet opozitën, por në përfundime të tilla mund të arrijnë vetëm ata, që nuk e njihnin realitetin e krijuar apo dëmin e madh, që kishin pësuar standardet tona demokratike, si rezultat i keqqeverisjes së vendit nga një forcë politike, që siç thotë James Clark, më shumë se sa për “brezin e ardhshëm”, mendonte për “zgjedhjet e ardhshme”, të cilat i kishin blerë “paradhënie” me paratë e drogës. Këtë realitet e njihnin shumë politikanë, por Basha ka meritën e krijimit të lidershipit, testi i fundit i të cilit, siç thotë Lippmann, është “…të lërë prapa tek të tjerët bindjen dhe vullnetin për të vazhduar përpara”. Ishte si rezultat i vullnetit dhe bindjes për të vazhduar përpara, që Basha zgjodhi pjesmarrjen, dhe jo bojkotin në zgjedhjet parlamentare 25 qershorit, një xhest ky që u vlerësua pozitivisht, si ndjenjë e lartë përgjegjesie për vendin nga faktori ndërkombëtar. Dhe siç thotë Churchill, përgjegjësia për vendin është çmimi i madhështisë së liderit. Në rast të kundërt vendi dhe demokracia shqiptare do të kishin mbetur pa opozitë reale, pa atë opozitë që prodhoi filozofia e “Çadrës” dhe marrëveshja e 18 Majit, dhe që siç tregojnë zhvillimet politike të 2-3 muajëve të fundit, e ka zhveshur mazhorancën e parave të drogës lakuriq në sytë e publikut, duke e shndërruar atë moralisht në minorancë. Realisht është krijuar një epokë e re politike për shqiptarët, ku lidershipi opozitar i Lulzim Bashës, më shumë se sa teknikë dhe metodë, është një hapje e zemrës për t’u thënë njerëzve të vërtetën, duke marrë njëkohësisht përsipër edhe rrisqet e saj në një demokraci problematike dhe të komprometuar keqas, siç është demokracia shqiptare e këtyre viteve të fundit, e qeverisur nën efektin e kanabizimit të të gjithë vendit. Si rezultat i realizimit të një lidershipi të tillë, Basha arriti, që me 3 muaj “Çadër” të rrëzoj gjysmën e qeverisë së parë të “Rilindjes” socialiste, dhe me po kaq muaj jetë parlamentare të një Kuvendi të dalë nga filozofia e “Çadrës”, të çoj në prag të rrëzimit gjithë qeverinë e mandatit të dytë të kësaj mazhorance, e cila realisht po qëndron në këmbë, thjeshtë për mëshirë  të faktorit ndërkombëtar…

 

Loading...

Lini nje pergjigje