Plehrologji

0

EDMOND TUPJA

Loading...

Të enjten e shkuar në darkë, si shumë bashkatdhetarë, ndoqa me një vë- mendje të motivuar debatin e drejtuar nga Ylli Rakipi në kanalin televiziv “News 24”, debat që u përqendrua kryesisht te çështja e riciklimit të plehrave dhe ku pjesëmarrësit trajtuan disa aspekte shumë të rëndësishme të kësaj çështjeje madhore, si dhënia me koncesion e ndërtimit të disa plehradjegësve në vendin tonë, raporti midis të mirave e të këqijave të lendfilleve dhe këtyre të fundit (që shumëkush i quan “inceneratorë”, fjalë e huaj kjo që duket sikur i zbut ose i fsheh problemet që këta nxjerrin), dhe si allishverishet që po bëhen në këtë drejtim dhe që bien erë korrupsion në disa mjedise të larta qeverisëse.

Është e vërtetë që problemi i trajtimit të plehrave dhe të mbetjeve shtrohet me mprehtësi në shkallë planeti e kontinenti, sepse ndotjet, sidomos qysh me vrullin e industrializimit në Europë nga fundi i shekullit XVIII, po kërcënojnë ekosistemin, gjë që, me rritjen e numrit të popullsisë në botë, e cila konsumon përherë e më shumë, përbën një rrezik serioz për krejt njerëzimin po të kemi parasysh edhe ndryshimet e mëdha klimatike si pasojë e tejngrohjes së rruzullit tokësor. Ndërkaq, ky problem shtrohet po me aq mprehtësi edhe në vendin tonë, pra, në Republikën e Shqipërisë marrëzisht demokratike dhe, njëkohësisht, “të rilindur në drejtimin e duhur” që prej gati pesë vjetësh. Në këtë kuadër, nuk mund e as dua ta fsheh se emisioni i Ylli Rakipit bëri, dashur, pa dashur, që të më pushtonte një parandjenjë të cilën po nxitoj ta ndaj me tërë lexueset e lexuesit e mi kureshtarë e pa paragjykime:

Meqë plehrat e gjithfardollojshme po sulmojnë e zaptojnë, në sipërfaqe e në thellësi, tokën e atdheut tonë të dashur feudokapitalist, do të duhej patjetër që ajka e autoriteteve tona më të larta shkencore, pra, Akademia e Shkencave (aq e sulmuar kohët e fundit nga vetë kreu hijerëndë i qeverisë sonë hijelehtë), të merrte nismën për të krijuar një shkencë të re, të parën me vulë ekskluzivisht shqiptare, të quajtur “plehrologji”. Pjesërisht për analogji me shkencën e quajtur “gjeologji”, plehrologjia do t’i kushtohej studimit të përbërjes, të formimit e të evoluimit të plehrave të tokës e të nëntokës në Shqipëri, historisë së trajtave të gjalla të jetës plehrore mbi dhe nën dheun arbëror, si edhe kërkimit të vendburimeve të plehrave të dobishme në të gjitha trevat jashtë kufijve tanë ku jetojnë shqiptarë që kultivojnë artin e pamposhtur të ndotjes së pandalshme të tokës, ujit e ajrit. Një ndër detyrat më themelore të kësaj shkence të re triumfalisht shqiptare do të ishte, në përgjithësi, përcaktimi i prejardhjes së plehrave të para në historinë e njerëzimit dhe, në veçanti, në historinë e qytetërimeve le të themi këto 10 000 vjetët e fundit. Personalisht, jam i bindur se Akademia jonë e Shkencave do të arrinte në përfundimin se i pari vend në botë ku njeriu mësoi të hedhë plehra kudo rreth e rrotull vetes, është Ballkani Perëndimor, më saktë, territori ku ngrihet sot madhështor shteti ynë plehradashës, aq plehradashës saqë kur Universiteti i ardhshëm i Plehrologjisë dhe i Plehrografisë të Tiranës të ketë nxjerrë kuadrot e parë të pajisur me diplomat përkatëse, të gjithë këta do të ftohen në mbarë botën për të dhënë leksione lidhur me përvojën tonë fort të çmuar në kuadrin e globalizimit të plehrave tipike shqiptare, përfshirë edhe jashtëqitjen e pushtetarëve të tipit homo albanicus në të tëra format, përmasat, përbërjet, aromat e shijet e saj magjepsëse.

Së fundi, shpresoj me gjithë shpirt që dikujt prej anëtarëve më të ndershëm të Akademisë sonë të Shkencave, i cili mbi shkencën vë moralin, do t’i lindë pashmangësisht edhe ideja gjeniale e eliminimit të plehrave shqiptare dykëmbëshe e shpirtkëllirë me ndihmën e ndonjë plehradjegësi të fuqishëm bërthamor, por në këtë pikë atij do t’i duhet veprojë me shumë kujdes sepse ka rrezik që të ndodhë e kundërta, pra, që plehrat në fjalë, me t’u mbyllur te plehradjegësi i sapopërmendur, ta hedhin atë në erë e të ndotin kështu jo vetëm globin tokësor, por edhe gjithë planetët e tjerë të sistemit tonë diellor.

Loading...

Lini nje pergjigje