Pushoni, qeshni, gëzoni dhe vuani në kurrizin tuaj o njerëz

0
336

Nga Dr. Ndriçim Mehmeti

Ai, vetë ai dolli dhe ju dha sihariqin se do të jeni pushim, që nga sot e pesë ditë. Do të rrini në shtëpi si zotnij, paçka se do të ndërroni divanet e kurrgjë nuk ju shërben ky pushim. Por ama do të rrini, do të ziheni, qeshni, këndoni dhe ulërini se ai vet, ai i madhi, i dha kohë muhabetit e mendoi: “Mjaft u lodhën këta të mjerë për mua, të rrinë e të gëzojnë me familjet e tyre”. Dhe populli filloi të çlirohet nga një barë e madhe. Si mundet t’u shkohej në punë në fillim të javësh, kur dy ditë më parë e kishin pushim e dy ditë më pas do të festojnë pavarësi e çlirim bashkë? dhe këtë e kuptoi ai vetëm ai. I madhi, i më të mëdhenjve. Shumë njerëz  mund ta shohin shtrembër, ai ama i ndihmoi me sa mundi. Mbylli zyrat për pesë ditë me radhë, i rehatoi të gjithë në shtëpi e vetë është në nga çastet më të “lumtura” të jetës së tij. Në këto ditë pushimi nuk do të ketë nëpër këmbë, media, kalimtarë të bezdisshëm që shikojnë me kërshëri, nuk do të ketë komisione e parlamente, nuk do të ketë ndonjë lajm të bujshëm, për ata që ja mbathin e ata që rrinë e presin se mund t’ju dali emri për ndonjë gjëmë. Pushim, qejf, raki, kripë, pak vaj e ullinj, gjizë e qepë dhe ndonjë thikë gruas, a hedhje nga shkallët edhe mund të ndodh. Madje edhe ndonjë shkëmbim zjarri në mes të qytetit mund të bëjë vaki. Por kjo nuk është ndonjë gjë e madhe. Fundja pushimi në të mirë të të gjithëve është. Bile, bile, kemi rastin të marrim vesh ndonjë gjë edhe nga zj. Merkel, nëse ka krijuar qeverinë e flemë rehat, se na u bë problem i madh këto dy-tri javë. Trumpi do ta hedh lumin kësaj radhe, ndaj hetimit të federalëve.

Pushim o të bekuar dhe jo punë kot më kot. Studentë të lumtur që u paraprinë pushimeve të fund vitit, rendin në shtëpi, në kërkim të qetësisë pas lodhjes së madhe prej studimit natë e ditë të teksteve shkollore, e punës në bibliotekë. Tani është radha të takojnë shoqërinë e vjetër të gjimnazit, ndonjë dashnore, që pret me mall e ankth, e zhytur në kujtimet e gjimnazit. Prindërit presin gjithashtu me padurim fëmijët e tyre, që kanë nisur një rrugëtim të ri. Si janë? A kanë ndryshuar? Janë dobësuar? Kanë ngrënë mirë? Kanë ngrohje në dhoma? Ju pëlqeu shtëpia me qira? Kanë lek apo i mbaruan? Prandaj ka lezet kaq shumë ditë pushim. Ndonjë ka menduar edhe të shkoj jashtë e brenda vendit,  për të parë bukuritë e pa mata të mëmës natyrë, për shopin a thjesht për një xhiro, që të thyen monotinë. Ndërkaq që po kaq që mezi presin të flenë pak gjumë nën pretekstin e ditëve pushim.

Po pastaj çdo të ndodhë?

Asgjë. Si gjithmonë do të çohemi herët dhe do të shohim, e kënaqemi me aksionet e bashkisë, ndërtimin e rrugëve pafund, kopshteve, shkollave, shëtitoreve të rilindjes urbane dhe broçkullat e rritjes ekonomike, që priten me shumë kërshëri nga populli që vërdalloset afër kamerave. Ata përsëri do të duartrokasin, përqafojnë a pushin dorën e të madhit. Edhe në mos e arrifshin dot këtë ditë e mos t’u buzëqeshi fati të pafatëve të përjetshëm, do të mund të tundin dorën në ajër e ai do të buzëqeshi me një skërmitje dhëmbësh, ngërdheshje, a nënqeshje, që prej popullit merret si sinjal i një dashurie të madhe. Në fakt udhëheqësi nuk ka si të mos i dojë. Vetëm në qoftë i metë a i pashpirt. Popull më të mirë për të qeverisur se ai që kënaqet me fatkeqësinë e vet, pak kund mund të gjesh në rruzull. Ti u shton taksat dhe ata të thonë aferim. Ti u jep drurin e ata të përkulen deri në tokë kur kalon. U ngre taksat dhe shumë – shumë do të psherëtijnë e mallkojnë veten që lindën në këtë vend. Ti u jep drogën fëmijëve të tyre, falas apo me çmim të lirë dhe t’i i bërtet policit, komshiut, mësuesit, drejtorit të shkollës që nuk e mbrojtën djalin a vajzën tënde. Njerëzit vrasin veten nga depresioni, mbyten nga gazi dhe mungesa e oksigjenit në rimorkiot e makinave për të shkruar në Britani dhe prapë, populli nuk fajëson udhëheqësin por shoferin që nuk e kishte mjetin në gjendje të mirë, apo prindin që nuk e kuptoi që fëmija e tij nuk ishte mirë.

Burri vret gruan, se pas kaq vitesh në mërgim, shoku i ngushtë i çoj lajm se ajo ja drushte me komshiun në fshat e pallat. Madje gruaja hidhet edhe nga ballkoni, vritet se vonoi drekën, se kishte mbetur shtëpia pa raki, se nuk ishte ndezur zjarri që herët në mëngjes dhe në këtë rast fajin e ka shoqëria shqiptare që nuk u iluminua asnjëherë. Po kur fëmijët helmohen, u bie shiu në klasa, u shembet shkolla, nuk kanë rrugë për shkuar në shkollë, kush  mund ta ketë fajin veçse ata të poshtër që qeverisën, para të madhit. Prandaj sa herë që ai del, buzëqeshja vjen vetiu, gëzimi përshkruan tërë gjindjen dhe nga kjo gjendje e pa treguar me fjalë dhe vetëm mund të shprehet me ndjenja, duartrokasim fort. Gëzojmë e qeshim në pafundësi, sipas thënies tonë aq të bukur “kur nuk qajmë dot, qeshim”. Qeshim, e qeshim në pafundësi derisa na dalin, lotët nga sytë, pastaj kthjellohemi në një çast, përpiqemi të shikojmë realitetin me sy, por trembemi. Dhe fillojmë përsëri nga e para: Qeshim, gëzojmë, duam sa më shumë ditë pushim. Nuk ka rëndësi përse qeshim, mjafton të qeshim. As kur gëzojmë nuk është se kemi ndonjë motiv të madh, porse na pëlqen të jemi kështu të shpenguar, duke sfiduar veten tonë, familjen tonë, shoqërinë tonë.

Në këto ditë pushimi, më shumë se kurrë të shkon mendja, sa e meritojmë vallë pushimin ne njerëzit e thjeshtë viktimat e vetes tonë? A meritojmë të përbuzim veten e të qeshim mjerimin tonë. A është më mirë të heshtim e ulim kokën e të shtyjmë vitet e jetës tonë, me shprehjen “Do Zoti na bën më mirë”? Përgjigjen e gjen tek jeta jonë e përditshme. Menjëherë s atë hapen zyrat, do të shkojmë të paguajmë detyrimet që na cakton shteti përherë e më të mëdha në kurrizin tonë. Do të përkulemi sa herë të kaloj një bythë shefi i vogël i një zyre, e do të duartrokasim, qeshim e gëzojmë me batutat e zakonta të madhit. Ne do të jemi përsëri të njëjtët, menjëherë pas pushimit, por më të topitur, më të urdhëruar e më kokulur, se para pushimit. Prandaj të vazhdojmë të kërkojmë pushim, qeshim e duartrokasim në kurrizin tonë e njerëz…….

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here