Standard.al

Riverwatch: Lumenjtë shqiptarë, më të rrezikuarit nga digat në Ballkan

0
Organizat në mbrojtje të lumenjve në Europë ngrenë shqetësimin se vendet e Ballkanit po dyfishojnë lejet për ndërtimin e HEC-eve në zonat e mbrojtura, ndërkohë që Shqipëria rezulton vendi më i rrezikuar nga projektet energjetike.

Sipas studimit që realizohet çdo dy vjet nga Euronatur dhe Riverwatch, në të gjithë Ballkanin janë ndërtuar ose janë planifikuar për t’u ndërtuar plot 1447 HEC-e në zona të mbrojtura.

Krahasuar me vitin 2015, numri i HEC-eve të ngritura në zonat e mbrojtura është dyfishuar nga 535 në 1031 gjithsej. Pesëdhjetë e një hidrocentrale të tjera janë në ndërtim, ndërsa 365 të tilla janë sakaq funksionale.

Zonat Natura 2000, një rrjet zonash të mbrojtura të BE-së të cilat përfshijnë shtetet ballkanike si Sllovenia, Greqia dhe Bullgaria kanë parë një pesëfishim të HEC-eve të planifikuara në dy vitet e fundit. 547 hidrocentrale do të ndërtohen në këto zona, 7 prej tyre janë në ndërtim dhe 248 të përfunduara tashmë.

Nga përhapja e digave nuk janë kursyer as zonat ligatinore të mbrojtura nga konventa Ramsar, ku po planifikohen të ndërtohen 12 HEC-e në vende të ndryshme të Ballkanit dhe 6 të tjera kanë përfunduar tashmë.

Baza e të dhënave është pjesë e fushatës “Të Shpëtojmë Zemrën Blu të Europës”, e cila koordinon një grup organizatash mjedisore europiane dhe ballkanike që synojnë të ndalojnë planet hidroenergjetike të HEC-eve në lumenjtë me vlera të kontinentit.

Drejtori i Euronatur, Gabriel Schwaderer argumenton se kjo valë ndërtimi hidrocentralesh në Ballkan nxitet nga korrupsioni.

“Është korrupsioni, qasja sipërfaqësore e shumë institucioneve financiare ndërkombëtare që i mbështesin këto projekte dhe moskuptimi i masave të duhura për mbrojtjen e klimës,” tha ai duke komentuar shifrat e publikuara.

“Kjo duhet të ndalojë, përndryshe zemra blu e Europës do të pushojë së rrahuri,” shtoi Schwaderer.

Monitorimet e situatës hidroenergjetike në Ballkan, të cilat kryhen çdo dy vjet tregojnë se krahasuar me 2015-ën shpejtësia e ndërtimit të HEC-eve është trefishuar. Raporti vlerëson se 91 për qind e projekteve në fazë ndërtimi me kapacitet nën 10 megavat nuk kanë pasur vlerësim të ndikimit në mjedis.

Shqipëria zë vendin kryesor në shqetësimin e organizatave të mësipërme, pasi paraqitet si vendi ku po ndërtohen HEC-et më të mëdha dhe është më e rrezikuara për dëmtimin e lumenjve nga hidrocentralet me 81 projekte nën ndërtim.

Këtë numër të lartë të hidrocentraleve, Olsi Nika nga organizata mjedisore EcoAlbania e sheh si të padobishëm në rritjen e sigurisë energjetike të vendit për aq kohë sa nuk po investohet në drejtim të diversifikimit të burimeve të energjisë.

“Ky orientim në fakt po shkatërron vlerat natyrore që Shqipëria ka si aset për zhvillimin e qëndrueshëm përmes turizmit”, tha Nika në një deklaratë për shtyp.

Sipas grafikave, Shqipëria planifikon të ndërtojë 305 HEC-e të tjera, ndërsa 81 janë në ndërtim dhe 84 të përfunduara.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.