Shqipëria në krizë, KESH u shet sekserëve me çmim të ulët

0
167

Qytetarët shqiptarë kanë paguar mbi 200 milionë euro për të blerë energji nga jashtë gjatë vitit 2017 për shkak të thatësirës së madhe. Por në mesin e një prej krizave më të rënda hidrike, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, ka shitur energji tek tregtarët privatë, përmes një skemë, e cila i ka kushtuar taksapaguesve shqiptar një dëm prej mbi 200 mijë euro.

Sipas njoftimit zyrtar të KESH, për datat 29-30 nëntor ajo ka shitur 15.3 mijë megavat energii për periudhën pik të ditës, nga ora 6 e mëngjesit deri në 11 të mbrëmjes, me një çmim mesatar prej rreth 73 euro për mega. Kjo energji është blerë nga tre kompani private, të cilat janë GSA, EFT dhe HSE, të cilat janë të njëjtat që i shesin energji OSHEE,  por me një cmim shumë më të shtrenjtë.

Sipas njoftimit zyrtar të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë, për të njëjtën periudhë piku këto kompani ia kanë shitur energjinë OSHEE-s me një çmim mesatar mbi 85 euro për mega vat orë, ose 12 euro për mega më shumë. Si pasojë e kësaj skeme qytetarëve u është shkaktuar një dëm prej mbi 200 mijë euro.

Skema

Sistemi shqiptar i energjisë dominohet nga dy kompani publike; KESH dhe OSHEE. E para është përgjegjëse për prodhimin e energjisë, e dyta për shpërndarjen e saj.

KESH prodhon energji nga hidrocentralet, të cilën më pas ja shet OSHEE me një çmim të rregulluar nga Enti Rregullator i Energjisë.

Për shkak se këtë vit vendi është përfshirë nga një thatësirë e madhe, KESH nuk e ka furnizuar OSHEE-n me sasinë e nevojshme të energjisë për të përballuar konsumin. Për të plotësuar mungesat dhe për të mos ndërprerë energji, OSHEE ka blerë energji në treg të lire, nga privatët.

Por megjithëse nuk ka plotësuar nevojat e vendit, çka e ka detyrim ligjor, KESH ka shitur energji tek tregtarët privat. Sipas saj, ky ka qenë një veprim i detyrueshëm pasi gjatë ditëve në vijim parashikohet se do të ketë prurje të larta në hidrocentralin e Komanit.

Sipas KESH, këtë energji ajo nuk mund t’ia shesë direkt OSHEE-s, pasi marrëveshja mes tyre është mbyllur që në fillim të muajit dhe nuk mund të ndryshohet më.

Por këto pretendime hidhen poshtë nga OSHEE. Operatori i Shpërndarjes thotë se marrëveshja mund të ndryshohet, por KESH nuk e ka njoftuar fare për tepricat e energjisë, edhe pse këtë e ka detyrim ligjor.

Vendimi i KESH për të shitur në kushtet kur niveli i ujit në Fierzë është në pikat më minimale ka habitur edhe ekspertët. Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht niveli i ujit në Fierzë është 268 metra ose 20 metër më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Por pavarësisht krizës hidrike KESH ka shitur energji tek privatët.

Kjo nuk është hera e parë kur qytetarëve shqiptarë u shkaktohen qindra milionë lekë dëme nga shitja e energjisë tek sekserët. Edhe në vitin 2015, KESH përdori të njëjtën skemë duke u shitur energji tregtarëve privat me çmime të ulëta, të cilët më vonë ja shitën atë OSHEE-së. Sipas të dhënave zyrtare, në atë kohë sekserët fituan 7 milionë euro, një situatë që po përsëritet edhe këtë vit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here