Mbaron në faqen 55 fillon në faqen 56

0
623

Nga Dr. Ndriçim Mehmeti

Kjo nuk është as përrallë, as shaka, as ndonjë fabul, a ndonjë gafë  e një mësuesi në shpjegim e sipër. Kjo do të jetë në të ardhmen e afërt dhe të largët (sipas vizionit të Ministrisë së Arsimit)  mënyra sesi do të operohet me tekstet shkollore. Do t’i ndajmë më dysh a më tresh tekstet shkollore që të mos lodhim fëmijët dhe ata do të mësojnë lutej e tutje me gjysmë libra. Dhe kjo përsëri nuk është thashethem, as ndonjë batutë kafeneje, por kjo është deklaratë e drejtpërdrejtë e dalë nga goja e ministres së arsimit. Në përgjigje të interesimit të vazhdueshëm të mediave dhe aktorëve politik brenda e jashtë parlamentit,  Ministrja e gjeti sesi do të arrij të çliroj nga barra e rëndë që mbajnë në shpinë nxënësit: Do të ndajë tekstet në copëza të vogla, që fëmijët e vegjël a të midhjen të jenë të lumtura se nuk do t’u lodhet dora deh kurrizi, duke tërhequr valixhen me librat e shkollës. Pra me një libërth nën sqetull dhe ndonjë fletore në xhepin e mbrapsëm të pantallonave, mund të shkosh lehtshëm në shkollë. Kjo është në pak fjalë,  “rrugëzgjidhja” për lehtësimin e teksteve shkollore. U deshën 4 vjet e pak që të kuptohej nga vetë ministrja, se nxënësit ishin pak të ngarkuar dhe menjëherë u gjet zgjidhja adekuate, siç i thonë andej e këtej kufirit.

Si do të arrihet lehtësimi i barrës së nxënësve nga mbingarkesa dhe rëndesa e teksteve shkollore?

Do të bëhet më e thjeshtë kurrikula? Tekstet do të kenë më pak ngarkesë? Do të ketë dollapë ku nxënësit do të lenë tekstet dhe mjetet mësimore? Shkolla komunitare do të hapë dyert për studimin e nxënësve pas mësimit dhe do t’ju ofrojë ndonjë vakt të ngrohtë ushqimi? Asnjë prej këtyre mundësive që parashtruam dhe që janë sot të pranishme në vendet ku ne aspirojmë t’i përafrohemi për nga modeli i arsimit. Ministrja ofron një zgjidhje origjinale, të pa dëgjuar në ndonjë vend me arsim të zhvilluar ose që tenton të jetë i tillë: Do të urdhërohen shtëpitë botuese të ndajnë tekstet në mes. Pra ministrja i jep atribute vetes, të urdhërojë entet botuese private për mënyrën sesi duhet të botojnë tekstet, pavarësisht se në urdhrat, udhëzimet dhe manualin për standardet e botimit të teksteve shkollore, nuk flitet askund që ministria e aq më pak ministrja, merr atributet, për të detyruar shtëpitë botuese, për mënyrën e botimit të teksteve shkollore. Ndonëse deklarata e ministres, më shumë përshtatet me thënien “hajd se folim”, ajo në vetvete shpreh kaosin e vizionit politik që ka Ministria e Arsimit, në sektorin e arsimit parauniversitar. Do të krijojmë një standard më të thjeshtuar që mësuesit të mos shpenzojnë kohë për të gjithë materialet. Unë kam kërkuar nga shtëpitë botuese që ta ndajnë tekstin në dy pjesë.” Në vetëm një fjali përmblidhet një reformë e tërë e tekstit shkollor, që një Zot e di sesi mund të arrihet.

Po le ta marrim të mirëqenë se kjo mund të ndodh dhe shtëpitë botuese i binden ministres dhe e ndajnë librin më dysh. Edhe nxënësit e prindërit mbeten të kënaqur, me këtë masë. Por a e zgjidh kjo çështjen e mbingarkesës për nxënësin në mënyrë përfundimtare dhe a do të jetë një masë e  qëndrueshme. Druaj se jo, madje mund të them, se është thjesht një fantazi e pa mbështetur në realitetin që jetojmë dhe në misionin e vizionin që duhet të jetë një shkollë bashkëkohore. Kjo për faktin se “nisma” unikale e ministres, ngre një seri pikëpyetjesh. Si do të ndahet teksti shkollor në dy a më shumë pjesë dhe kush do t’i mbulojë shpenzimet e kostove për rishtypjen e librave? Si do të shpërndahen tekstet veç për semestrin e parë dhe veç për semestrin e dytë? Si mund t’i ruaj nxënësi tekstet për të krijuar lidhjen mes temave të mëparshme të tekstit të shkurtuar dhe atij që do t’i jepet më vonë, pra pjesës së dytë të librit? Për cilat vite shkollore do të aplikohet ndarja e teksteve në dy pjesë? etj.

 

A mund të ketë forma më të mira dhe masa më të qëndrueshme për të lehtësuar peshën që mbajnë fëmijët në shkollë?

Sigurisht që modelet në këtë drejtim nuk mungojnë. E para është përshtatja e infrastrukturës së shkollës me nevojat e fëmijëve. Që do të thotë, vendosja e dollapëve, në klasë për ciklin fillor dhe në korridore për ciklin 9 vjeçar dhe të mesëm, ku nxënësit të kenë mundësi të lenë tekstet dhe mjete e punës kur nuk u nevojiten dhe të mos i mbartin çdo dot nga shtëpia në shkollë dhe anasjelltas. Një tjetër mundësi për të lehtësira peshën e nxënësve por edhe për të ndikuar në rritjen e efektivitetit të shkollës në mësimnxënien e nxënësit, do të ishte kryerja e studimit në shkollë. Kjo kërkon një seri masash dhe një reformë shumë serioze, që nuk mund të kufizohet tek ngrënia ë një sanduiçi dhe të bëjmë aq sa mund të bëjmë detyrat e shtëpisë apo ato të klasës që nuk i ka përfunduar dot. Në rastin e një reforme të tillë që do të shtrihej më së pari në ciklin fillore për të vijuar më tej në arsimin 9-vjeçare, do të duhej jo vetëm angazhimi i burimeve njerëzore shtesë, por edhe krijimi i kushteve për të pasur mjedise të ngrohta pune dhe argëtimi për fëmijët. Më tej duhet të shtojmë se mbajtja për një kohë kaq të gjatë në shkollë për nxënësit, duhet të bëhet në mënyrë të shkallëzuar por edhe e kombinuar me aktivitete rekreative të cilat ndikojnë dhe japin më shumë produktivitet tek nxënësit. Me masa elektorale, butaforike dhe për të bërë spektakël nuk mund të përmirësohet arsimi, as nuk ulet pesha që mbajnë mbi shpinë nxënësit. Nuk mundet dhe nuk ka praktika të tilla në asnjë vend, ku në një shkollë paguan nxënësi lekët e ushqimit, pa marrë paraprakisht miratimin e prindërve, në një shkollë tjetër paguan përgjysmë, e në një tjetër ofrohet ushqimi falas. Edhe në rastin e ushqimit, ngrihet pyetja: Për nxënësit është më mirë mëngjesi apo dreka? Nuk mundesh kurrsesi, të lëshosh një deklaratë sa për të hedhur, lumin apo hutuar masën e prindërve dhe opinionit në tërësi, pa pasur një studim të kostos të reformës që kërkon të kryesh, pa e konsultuar atë paraprakisht me grupet e interesit (jo ato të caktuara Ministria si të tilla) dhe për më tepër, kur nuk je vetë i qartë. U dhënë 4 vjet, që Ministria e Arsimit dhe vetë ministrja të pranonin faktin se nxënësit rropateshin duke ngarkuar tekstet shkollore, që erdhën si rezultat i reformës së re në arsimin parauniversitar, pavarësisht, denoncimeve të shumta të mediave, prindërve dhe më gjerë. Tani që e njohën këtë si fakt, nuk dinë, ose nuk arrijnë të kuptojnë dot, sesi mund të përmirësojnë situatën e krijuar, përveç deklaratave bosh që më shumë krijojnë amulli, sesa të japin idenë e një vizioni afatgjatë për krijimin e kushteve lehtësuese për fëmijët e arsimit parauniversitar.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here