Borxhi publik/ Financat: 630 mijë euro për konsulentin privat

0

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka vendosur të pajtojë një konsulent privat për ta këshilluar se si të menaxhojë financat dhe më konkretisht borxhin publik, që vazhdon të mbetet në nivele të larta.

Për një shërbim të tillë, dikasteri i ministrit Arben Ahmetajt është gati të paguajë 83.3 milionë lekë të reja, ose afro 630 mijë euro në vit, siç është njoftuar zyrtarisht në shpalljen e bërë nga ministria për tenderin në fjalë.

Tenderi i konsulencës ishte shpallur fillimisht më 12 tetor të këtij viti, por u shty për në datën 30 tetor, për shkak të mosparaqitjes së asnjë oferte. Pas një shtyrjeje tjetër, gara, sipas burimeve të ministrisë, ka përfunduar më 23 nëntor, dhe Agjencia e Prokurimit Publik pritet të shpallet fituesi.

Ajo çka vihet re menjëherë është tendenca e përsëritur e qeverisë për të privatizuar shërbime, që zakonisht kryhen nga shteti. Është e vërtetë që konsulentë të jashtëm ministria ka marrë edhe më parë, si psh nga qeveria Berisha në rastin e shpalljes së eurobondit, shkruan shqiptarja.com.

Këtu ishte fjala për një dalje në tregjet financiare ndërkombëtare, që administrata shqiptare nuk e kishte njohur asnjëherë më pare. Por tani, deri vonë konsulent i qeverisë ishte Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili, jo vetëm që nuk paguhej për shërbimin e konsulencës, por madje dha edhe kredi me terma të buta me vlerë 330 milionë euro në tre vjet për Shqipërinë.

Qeveria e quajti të udhës mos ta rinovojë marrëveshjen 3-vjeçare më FMN-në, por ndërkohë vendos të pajtojë edhe një konsulent me pagesë. Kjo ngarkon taksapaguesit me një kosto shtesë, që administrata duhej ta përballonte vetë.

Përpjekja aktuale të kujton edhe një rast të mëparshëm, kur pati një tentativë për dhënien me koncesion të shërbimit të mbledhjes së TVSH-së një privati, gjë që u kundërshtua me forcë nga FMN-ja, si shpenzim jo efektiv dhe dublim i punës së qeverisë.

Por,në këtë mënyrë, super-ministria e Financave dhe Ekonomisë ka pranuar edhe vështirësinë që tashmë ka për të kontrolluar me burimet e saj borxhin publik dhe bilancet buxhetore. Këto të fundit kanë kaluar në fund të tetorit, nga suficit, në deficit.

Lini nje pergjigje