Atentati me eksploziv në Vlorë, të riut të gjymtuar i janë vrarë dy kushërinj

0
225

I riu i cili mbeti i gjymtuar nga atentati me eksploziv paraditen e së hënës në qytetin e Vlorës, Inez Hajrulla 25 vjeç, rezulton person me precedentë penalë. Makinës së tij iu vendos eksploziv çka bëri që për pasojë Hajrulla të humbasë të dy këmbët.

Edhe pse Policia nuk jep informacion lidhur me pistat e hetimit, mësohet se të riut i cili mbeti i gjymtuar nga atentati, i kanë vrarë dy kushërinj.

Ai rezulton se është kushëri me Renato Imerin i cili u vra më 31 korrik pranë një lokali në zonën e Lungomares në Vlorë.

Po ashtu ai rezulton të jetë kushëri edhe i Endrit Çaushit, i vrarë në qytetin e Durrësit dy vite më parë.

Gjatë këqyrjes së mjetit tip “Jeep” në pronësi të të riut, mjet të cilit ju vendos dhe shpërtheu lënda eksplozive, në sedilen e shoferit grupi hetimor ka konstatuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një çantë supi brenda së cilës kishte një armë zjarri pistoletë tip “Glock”, me fishek në fole dhe 17 fishekë në krehër.

Në këto kushte policia e Vlorës, ka bërë arrestimin e 25-vjeçarit vlonjat.

Blutë e qytetit bregdetar bëjnë me dije se Hajrulla është person me precedentë të theksuar kriminal si edhe i dënuar më parë për disa vepra të ndryshme penale në fushën e krimeve kundër personit, vjedhje me dhunë dhe trafikim të mjeteve motorike.

Bëhet me dije se një vit më parë ai është arrestuar po për të njëjtën vepër penale, atë të “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe e municionit”.

Hajrulla i cili njihet si person me precedentë të theksuar kriminalë, rezulton se është djali i një biznesmeni të njohur vlonjat. Hetimet paraprake konfirmojnë se i riu ishte pikërisht shënjestra e atentatit të ndodhur këtë të hënë.

Ngjarja u shënua në lagjen “Hajro Çakërri”, tek Bishti i Kalldrëmit paraditen e së hënës, ku automjeti shpërtheu në lëvizje, ndërsa më tej vazhdoi lëvizjen për disa metra, deri kur u përplas me një mjet tjetër.

Makina tip “Jeep” me targa AA 298 CL, me drejtues Hajrullaun, shpërtheu gjatë lëvizjes, ndërsa dyshohet se eksplozivi ishte vendosur në pjesën e përparme të tij.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here