Nëntori i Lirisë/ Natë poetike dhe muzikale në Kalanë e Krujës me Anagnostin, Radojën,Tushën dhe Koroveshin

0

Nga Irini Meçe

Do të ketë vargje nga Fan Noli, Gjergj Fishta, Martin Camaj, Çajupi, Naim Frashëri, Dritëro Agolli, Ali Asllani etj. Do të luhen në instrumenta pjesë të kompozitorëve si Çesk Zadeja, Prenkë Jakova, Aleksandër Lalo etj. Pjesë të muzikës së filmave dhe jo vetëm.

Aktorët si Roza Anagnosti, Gulielm Radoja, Kristian Koroveshi dhe tenori i njohur Kastriot Tusha do të bëhen bashkë për të përkujtuar një moment historik shumë të rëndësishëm për vendin tonë. Bëhet fjalë pikërisht për Nëntorin e Lirisë, Festën e Çlirimit dhe Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Një natë poetike dhe muzikale me vepra të poetëve shqiptarë kushtuar temës së atdhetarisë, çlirimit dhe flamurit kombëtar do të mbahet në Kalanë e Krujës më datë 28 nëntor ora 19:00. Një aktivitet ky i ideuar dhe që do të marr frymë nga Kristian Koroveshi, i frymëzuar prej vendit, me një ndjesi krejt personale.

“ Vargje mbi gurë shekujsh në nëntorin e parë të Shqipërisë” ka vendosur që ta titullojë këtë aktivitet kaq të ndjerë aktori gjithë potencial. 28 nëntori në Kalanë e Krujës do të jetë nata e poezisë dhe e muzikës që do këndohet dhe që do luhet me instrumente tërësisht shqiptare, me temën e atdheut, flamurit etj. Do të ketë vargje nga Fan Noli, Gjergj Fishta, Martin Camaj, Çajupi, Naim Frashëri, Dritëro Agolli, Ali Asllani etj. Do të luhen në instrumenta pjesë të kompozitorëve si Çesk Zadeja, Prenkë Jakova, Aleksandër Lalo etj. Pjesë të muzikës së filmave dhe jo vetëm.

Njerëz këta, të cilët kanë skalitur emrin e tyre në panteonin e madh të teatrit e të kinematografisë duke na dhuruar emocione të papersëritshme e duke krijuar pasaportën kulturore të vendit. “ Tenori Kastriot Tusha do të këndojë “Ku ka si ti o Shqipëria ime” dhe disa serenata që i ka përzgjedhur nga repertori i tij në lidhje me temën e aktivitetit. Disa nga interpretimet e Roza Anagnostit do të jenë vargje të Fan Nolit, Ali Asllanit dhe të Gjergj Fishtës. Gulielm Radoja do të interpretojë nga Pashko Vasa, nga Martin Camaj, nga Fishta etj. Unë do të interpretoj vargje të Fan Nolit, Çajupit, Naimit dhe Dritëroit. Do të jetë gjithashtu një poezi që do ta interpretojmë së bashku të tre aktorët, në formë falenderimi për mikpritjen ndaj qytetit”, ka treguar Kristian Koroveshi për gazetën ‘Standard’.

Ai realizimin dhe organizimin e këtij aktiviteti e ka ndjerë si një detyrë morale ndaj atyre që kanë bërë të mundur ekzistencën tonë sot si shoqëri. “Qyteti i Krujës duke pasur fatin e madh të ketë në gjirin e vet dheun ku ka lindur Gjergj Kastrioti, e të mbajë në zemrën e vet kalanë , tanimë Muze të Heroit Kombëtar më detyron si artist të bëj diçka sa do të vogël për këtë qytet e për këtë vend. Ky aktivitet do të vijë si formë falenderimi dhe përkujtimi ndaj së shkuarës dhe përpjekjeve për të qenë sot të lirë dhe të pavarur, fenomeni i lirisë i cili është mjaft i rëndësishem për artistin, fakt i cili të detyron të kthesh kokën e të bësh diçka sado të vogel”, është shprehur Koroveshi. Por jo më kot dhe aspak rastësisht është përzgjedhur që ky aktivitet, që të ngjall respekt dhe të bën ta duartrokasësh, të realizohet në Kalanë e Krujës.

Kjo ka ardhur e mirëmenduar nga ideatori i këtij aktiviteti dhe aktori Kristian Koroveshi. “Kthimi i Kalasë, që thjesht emri dhe arkitektura e saj të lidh me të shkuarën dhe me luftën, hyrja brenda saj të sjell atë ndjesi dhe ndërton ato imazhe, që përmes një mbrëmje artistike, i përzien së bashku me emocione që lindin aty për aty prej interpretimeve, prej letersisë, muzikës, instrumentit dhe formojnë një fill emotiv të veçantë deri ne ekstremumet maksimale të së vërtetës. Kultura dhe aq me tepër kultura që në këtë rast pati frymëzim të shkuarën dhe historinë, është pasaporta që i hap rrugët çdo kujt dhe duhet parë me ekzigjencë emocionale”, ka pohuar ai. Gjatë bisedës me aktorin, ai na ka treguar se nuk ka qenë e lehtë për të gjetur mbështetje për realizimin e këtij aktiviteti, por pavarësisht kësaj Koroveshi nuk është dorëzuar dhe e çoi deri në fund detyrimin moral që ai ndjen ndaj vendit të tij.

“ Ka qenë e vështirë gjetja e mbështetjes pasi mjaft dyer ku kam trokitur nuk u hapën, madje disa u mbyllën pa edukatë duke shtrembëruar buzët edhe duke bërë një pyetje retorike: Aha, vini nga teatri.. Thua se vinim nga ndonje vend i turpit.. Në përpjekjen për të siguruar një mbështetje për të realizuar aktivitetin, përveç Bashkisë së Krujës të cilën më duhet ta falenderoj për gatishmërinë dhe ndihmën e jashtëzakonshme, dua të falenderoj ata që u bënë pjesë e aktivitetit si banka Credins, Agjensinë e Zhvillimit të Rajoneve 2, Hako dhe Kastrati. Pa ndihmën e të cilëve do ishte e pamundur. Edhe kjo është një përpjekje e cila mes vështirësish po arrin të realizohet dhe le mbresë në kujtesën e artistit dhe publikut”, ka shtuar aktori.

Lini nje pergjigje