Prençi: Provat për Tahirin, Prokuroria i ka pasur pa dosjen nga Italia, pa përgjimet e Habilajve, pa Zaganin

0
182

Ahmet Prençi, ish-drejtori i Policisë së Shtetit jep alarmin se krimi i organizuar ka para në dorë më shumë se buxheti i shtetit, çka sipas tij e cenon sigurinë kombëtare. Z.Prençi paralajmëron përmes “Gazeta Shqiptare” se këto para mund të kanalizohen dhe për terrorizëm, pasi janë krejt të qetë e të sigurt në përdorimin e tyre. Z.Prençi flet për “peshqit e mëdhenj” të krimit, për të cilët thotë se ambasadori Lu di shumë detaje për ta, dosjen “Habilaj” dhe implikimin e ish-ministrit të Brendshëm me krimin, fletarrestet për zyrtarët e lartë të policisë. Z.Prençi shpreh rezerva për punën e Prokurorisë së Përgjithshme, ndërsa akuzon policinë për lidhjet me bandat kriminale.

Z.Prençi, si ish-drejtues i Policisë së Shtetit, si e vlerësoni situatën e rendit në vend?

Për mendimin tim, situata e rendit dhe e sigurisë publike në vend është në gjendje kritike. Zhvillimet e fundit, në një mënyrë ose tjetër, drejtpërdrejt apo tërthorazi kanë shkaktuar një tërmet të jashtëzakonshëm në institucionet e sigurisë. Policia është në një presion të paprecedent. Nuk diferencojmë dot punonjësin e policisë të përfshirë në vepra kriminale, me punonjësin e ndershëm të organizatës së policisë. Imazhi i policisë sot është në nivelet më të ulëta. Po të kapim vetëm aspektin e policisë si një nga institucionet me peshë specifike më të madhe të luftës kundër krimit, e shikoj si një organizatë të tulatur, të çorganizuar në misionin e saj, të pamotivuar dhe e pamundur për të kryer rolin që i jep Kushtetuta dhe ligji i Policisë së Shtetit. E them këtë, pasi për rreth 4 vjet u drejtua nga një ministër aventurier, që mori atributet e drejtimit politik dhe teknik të policisë, krijoi një kasë drejtuesish policie me orientim të qartë, për ta inkriminuar policinë dhe gjithë shoqërinë me veprën e turpshme e kriminale, të kanabizimit të gjithë vendit. Kjo u realizua me një platformë të pastër shtetërore. Të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit që nuk kanë përfituar nga ky aktivitet i jashtëligjshëm (që janë shumica), por kanë përjetuar dhe parë se si u zhvillua gjithë ky aktivitet, janë të shokuar, janë të pamotivuar dhe të denigruar në punën dhe misionin e tyre. Me një pjesë të mirë që kam kontaktuar, ata shprehen se me situatën e krijuar ndjehen të turpëruar që janë pjesë e kësaj organizate. Punonjësit e ndershëm të policisë kanë parë se si drejtuesit e tyre janë bërë njësh me drejtuesit e grupeve kriminale të trafikut të drogës, dinë paratë e pista që kanë përfituar dhe sot nuk kemi asnjë prej tyre të arrestuar. Asnjërit prej tyre nuk u janë sekuestruar paratë dhe asetet që kanë përfituar nga ky aktivitet kriminal. Të mos harrojmë që janë mbjellë 219 000 ha tokë me kanabis sativa, tonelata të kapura nga autoritetet italiane, greke e vende të tjera të Europës. Dhe këto tonelata janë vetëm 10% e sasisë, pasi 90% e sasisë kanë vajtur në destinacionin e dëshiruar nga trafikantët. Po të shikosh përfitimin e parave nga kanabisi, heroina dhe kokaina, në Shqipëri krimi i organizuar ka para në dorë, gati më shumë se buxheti i shtetit. Ky është cenimi më serioz i sigurisë kombëtare. Me këto para krimi i organizuar nuk sjell të mira publike në rrugë, në paga e pensione; por blen pushtet, blen drejtësinë, konkurron e falimenton çdo biznesmen të ndershëm, vret dhe realizon qëllimet e veta kriminale. Këto para mund të kanalizohen edhe për terrorizëm, pasi janë krejt të qetë e të sigurt në përdorimin e këtyre parave.

Ka të drejtë ambasadori Donald Lu kur flet për ekzistencën e 4 grupeve kriminale dhe 20 familjeve mafioze në Shqipëri, ndërkohë që në janar ka kërkuar arrestimin e “peshqve të mëdhenj”?

Mbështes përpjekjet e ambasadorit amerikan Lu dhe të gjithë faktorin ndërkombëtar, që kërkojnë produkt konkret në luftën kundër krimit të organizuar. Rëndësi themelore ka që ligji të veprojë i barabartë për të gjithë, i shtrirë në kohë dhe hapësirë dhe të mos politizohet asnjë proces ligjor. E kam thënë edhe herë tjetër që ambasadori Doland Lu, i cili bën këtë deklaratë di dhe detaje të tjera se kush janë dhe si funksionojnë këto grupe kriminale dhe familje mafioze. Krimi mund të marrë revansh dhe të jetë më i fuqishëm se shteti në momente të caktuara, por gjithmonë strukturat shtetërore e kanë fituar luftën me krimin. Në situatën e tanishme si asnjëherë i kemi bashkë krimin dhe pushtetin, funksionojnë bashkë, ndajnë punë publike bashkë, kultivojnë e trafikojnë drogën bashkë. Në kushtet kur shteti dhe krimi janë bashkë dhe shkëmbejnë favore mes tyre, kemi të bëjmë me mafie. Prandaj është situatë alarmante, është situatë shumë e vështirë që po kalon vendi. Pse në janar arrestimi i kapove të krimit në Shqipëri?! A është normale që institucionet ligjzbatuese të shtetit të zhvillojnë këtë luftë me muaj dhe fushata, ndërkohë që në çdo sekond të ditës dhe natës, në të gjithë muajt e vitit ata paguhen nga shoqëria shqiptare për të përmbushur misionin e tyre, pra për të parandaluar, hetuar, arrestuar e dënuar këta kriminelë, që duke shkelur ligjin, kryejnë krime, pasurohen, marrin peng të ardhmen e vendit dhe u dashka të presim afate për të goditur veprimtarinë e tyre! Pse në 5 vite nuk u arrestua asnjë nga këta koka të krimit?! Ligji duhet të veprojë njëlloj në të gjithë vendin dhe forca e tij në çdo kohë godet cilindo që përfshihet në aktivitet kriminal.

Sipas jush, ka dijeni Policia e Shtetit për grupet kriminale dhe çfarë ka bërë policia për goditjen e tyre? Po lidhja e krimit me politikën?

Organizata e policisë është e tulatur nga ajo që ka ndodhur këto vite. Në magazinën e të dhënave që ka Policia e Shtetit dhe që e pasuron në çdo moment, ka informacion për gjithçka dhe për këdo që ka tendencë e prirje për të kryer krime. Problemi thelbësor është vullneti politik dhe këtë më mirë se askush tjetër e ndjejnë punonjësit e Policisë së Shtetit. Ky vullnet i ka munguar totalisht policisë. Mendoj që të dhënat dhe informacionet janë, por fakti që për 5 vjet policia nuk ka arrestuar asnjë nga anëtarët e familjeve mafioze apo krerë të grupeve kriminale tregon se ajo i ka duart e lidhura pikërisht nga vullneti politik. Punonjës policie kanë parë, dëgjuar, nuhatur që në fillim frymën e ministrit të Brendshëm që themeloi “policinë që duam” dhe kanë parë çdo ditë se çfarë synimi kishte ai ministër me drejtues policie të emëruar prej tij. Policia e di më së miri se kush ka akses për të fituar tenderë publikë në të katërta anët e vendit, di më së miri se kë mbron ministri e kryeministri, kë takojnë; dinë se si i shtojnë pasuritë e si i shpenzojnë paratë e fituara në rrugë të paligjshme. Kjo polici ka qenë në kohën që unë isha pjesë e saj, që në Itali për një vit u kapën 4 kg kanabis, po kjo polici është sot që në Itali kapen tonelata në javë. Kjo polici është keqpërdorur dhe e shantazhuar nga bota e krimit e lidhur ngushtësisht me politikën.

Si e konsideroni dosjen “Habilaj” dhe çfarë informacionesh keni pasur ju në kohën kur drejtonit Policinë e Shtetit?

Dosja “Habilaj” ka të bëjë me trafikun ndërkombëtar të drogës. Në kohën që kam drejtuar unë Policinë e Shtetit, siç e thashë më lart, bazuar në statistikat e policisë italiane, në një vit janë kapur 4 kg drogë. Vetëm Habilajt në këtë periudhë që flasim kanë trafikuar tonelata. Unë nuk shikoj krahasim për sa i përket këtij fenomeni. Ne, me autoritetet ligjzbatuese italiane kishim një marrëdhënie të admirueshme si në aspektin e besueshmërisë, edhe në produktivitet. Në një vit janë kryer 84 operacione të përbashkëta, ku paralelisht arrestonim pjesëtarë bandash si në Itali, si në Shqipëri. Ky bashkëpunim përmendet në Bruksel nga homologët si një histori suksesi për sa i përket bashkëpunimit policor ndërshtetëror. Duhet të kujtojmë se këto rezultate hoqën vizat për shqiptarët dhe na anëtarësuan në NATO.

Cili është gjykimi juaj për çështjen “Tahiri”, rrjedhën e ngjarjeve e provave që e implikojnë atë me krimin?

Të them të drejtën, gjatë gjithë kohës mua më habiste euforia e një ministri aventurier, që unë për vete ia parashikoja fundin dhe këtë e kam shprehur mes miqsh e kolegesh. Mua më habiste fakti që ai po bënte atë që bëri dhe nuk kishte frikë për të nesërmen e tij. Dhe jo vetëm kaq, por së bashku me kryeministrin krenoheshin për situatën që krijuan. Autoritetet e Antimafies italiane janë më të suksesshmet në botë në këtë fushë dhe puna profesionale e tyre është për t’u admiruar. Nuk mundet as ish-ministri Tahiri dhe askush tjetër të vë në diskutim preçizionin e tyre kur godasin. Trafiku ndërkombëtar i drogës është vepër e rëndë penale dhe shumë komplekse, që hetohen vetëm me masë sigurie arrest në burg. Për mua jo Antimafia, por Prokuroria shqiptare duhet të kishte hetuar dhe duhet të kishte kërkuar arrestimin e tij dhe të drejtuesve të policisë që kriminalizuan vendin. E gjithë situata e dosjes që implikon Tahirin në trafikun e drogës është vetëm aparenca e asaj çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Provat për Tahirin, Prokuroria shqiptare i ka pasur pa ardhur dosja nga Italia, pa përgjimet e Habilajve, pa “Audi”-n e famshëm, pa Zaganin e oficerë të tjerë kurajozë, që u ndëshkuan se thanë të vërtetën për lidhjet e ish- ministrit me trafikun e drogës, pa patentat e milionat e eurove që u duken para xhepi. Prokuroria kishte 219 000 ha kanabis të mbjella, tonelata kanabis të kapura nga autoritetet e huaja, pistat e avionëve që transportonin e trafikonin drogë, mijëra qytetarë që punonin në të katërta anët si skllevër etj., që në çdo rrethanë sikur edhe për neglizhencë apo mosveprim, Tahiri si drejtues politik e teknik i Policisë së Shtetit ka përgjegjësi penale.

A mund të udhëtojë Tahiri jashtë vendit, ndërkohë që ndodhet në hetim?

Për mendimin tim, përderisa Kuvendi nuk votoi për arrestimin e tij, ai është i lirë të udhëtojë gjithandej, të takojë kë të dojë e të veprojë si të dojë. Organi procedues dhe gjykata në dijeninë time nuk kanë vendosur asnjë masë sigurimi për të, kështu që nuk ka asnjë pengesë për të kryer këtë udhëtim.

Si i shikoni fletarrestet për disa drejtues të lartë të policisë?

Për sa u përket vendimeve të arrestit për disa drejtues të policisë, prokuroria është e vonuar, duhet ta kishte bërë këtë që në fillesat e këtij aktiviteti kriminal. Këto drejtues e të tjerë janë bashkëpunëtor të ngushtë të ish-ministrit Tahiri. Këto urdhra të vonuar arresti dhe të vetmit tregojnë tamam pasojën e argumentit që parashtrova më lart. Mosvetëdorëzimi i këtyre drejtuesve të policisë, e aq më keq moskapja e tyre është një turp. Prokuroria nuk duhet të mjaftohet vetëm me një dosje të ardhur nga Antimafia italiane. Nuk janë vetëm Habilajt që kanë kultivuar e trafikuar drogë. Nuk është kultivuar drogë vetëm në Vlorë. Ky hetim duhet të përfshijë të gjithë drejtuesit e policisë, në të gjitha qarqet e vendit, kudo ku është mbjellë drogë me bekimin e bashkëpunimin e policisë. Shpresoj të vazhdojë ky hetim dhe të gjithë drejtuesit e punonjësit e policisë që janë marrë me aktivitet kriminal duhet të përgjigjen para drejtësisë.

Cili është gjykimi juaj për punën e prokurorisë në raport me luftën kundër krimit e drogës?

Për mendimin tim, prokuroria nuk ka qenë në lartësinë e duhur të përmbushjes së detyrës. Siç e theksova edhe më lart, në këto vite u mbollën 219 000 ha drogë. Nën mbikëqyrjen e policisë u hapën toka të reja në të gjithë territorin e vendit, u ndërtuan rezervuare dhe u shtrinë mijëra km tubacion për vaditje, u ndërtuan pista avioni gjithandej për trafikun e drogës, u punësuan me mijëra njerëz për të kryer këto punime dhe nuk kemi parë reagimin ligjor të prokurorisë për të vënë para drejtësisë ideatorët, organizatorët e shumtë, financuesit dhe përfituesit banditë ose pushtetarë. Në këtë pikë, unë nuk mund të them se prokuroria ka kryer punën e saj, përkundrazi e kundërta është më se e vërtetë. Unë e di se pa mbështetjen e policisë, prokuroria është e gjymtuar, por në çdo lloj rrethane duhet të kishte reaguar për të dokumentuar këtë aktivitet kriminal me platformë shtetërore, të paktën për të përjashtuar veten nga kjo veprimtari kriminale poshtëruese për vendin.

Çfarë strategjie duhet të ndjekë qeveria për një goditje të fortë të krimit dhe a do ketë efekte Task Forca “Forca e Ligjit”, që po funksionon së fundmi si nismë e Ministrisë së Brendshme?

Unë mendoj që “Forca e Ligjit” është një spektakël i radhës, por nuk më bind që do realizojë atë që thotë. Të njëjtën gjë bëri Rama me Tahirin në Pallatin e Kongreseve për kanabisin dhe e pamë se si funksionoi(!). Nuk luftohet krimi me fushata. Kësaj i thonë: Hajde të krijojmë një Task Forcë që të zbatojmë ligjin! Po deri më tani që nuk ka ekzistuar kjo Task Forcë, çfarë kanë bërë strukturat e luftës kundër krimit të organizuar në Policinë e Shtetit?! Kjo që bëri ministri Xhafaj me parandalimin e kultivimit, pse nuk ndodhi në 2015, po në 2016? Tani frenohet kultivimi se kanë vullnet politik?! Apo ngaqë ka superprodhim të magazinuar dhe oligarkët e këtij aktiviteti nuk kërkojnë më për disa kohë, derisa të trafikojnë me mijëra tonë që ndodhen të depozituara?! Kjo mbetet për t’u parë në të ardhmen. Çelësi i fitores së luftës kundër krimit është vullneti politik. Kryeministri na ka bindur plotësisht se është ai, ideatori i situatës së krijuar dhe kurrsesi ai nuk zhbën dot atë që krijoi vetë me pasionin më të madh.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here