Intervista/ Meta: Stabiliteti i Maqedonisë, stabilitet dhe për Shqipërinë, 3-4 muajt e ardhshëm vendimtarë

0
89

Uroj që pas zgjedhjeve vendore në Kosovë, Qeveria e re e Kosovës në bashkëpunim edhe me opozitën, të gjejë bashkëpunim për të ecur përpara dhe për të zgjidhur jo vetëm çështjen e Demarkacionit përfundimisht e Malin e Zi, por edhe për të përfituar nga liberalizimi i vizave të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka thënë Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. Presidenti Meta ka bërë thirrje edhe për një hetim ndërkombëtar në lidhje me rastin ”Kumanova”.

Radio Evropa e Lirë: Fillimisht dua të ndalem tek roli që ka Shqipëria si shtet në rajon. Në kohën kur Serbia luan një rol aktiv për mbrojtjen e interesave të serbëve kudo që ndodhen, në këtë kontekst cili është roli i Shqipërisë kundrejt interesave të shqiptarëve?

Ilir Meta: Besoj se Shqipëria ka një rol tepër pozitiv për gjithë shembullin dhe përkushtimin e saj për forcimin e marrëdhënieve me fqinjët dhe bashkëpunimin rajonal, si një shtyllë e fortë e gjithë e filozofisë dhe angazhimit të saj për evropianizimin e këtij rajoni. Dhe natyrisht se në këtë drejtim dhe në këtë koncept, ajo ka qenë e përkushtuar dhe e angazhuar për të inkurajuar dhe për të përkrahur shqiptarët kudo në rajon që të fitojnë të drejtat e tyre në varësi dhe me gjendjen në rajon, në raportin ku ata kanë ndodhur dhe janë si qytetarë të Evropës, ku duam të anëtarësohemi të gjithë.

Radio Evropa e Lirë: Në këtë drejtim, do të dua të ndalem dhe në atë se si e shihni në ngritjen e çështjes së pasaportave qe ka kërkuar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për qytetarët e Kosovës, si kundërpërgjigje ndaj BE-së karshi liberalizimit te vizave.

Ilir Meta: E kam mirëkuptuar kërkesën publike të presidentit Thaçi, si një apel për një zgjidhje sa më të shpejtë për zgjidhjen e çështjes së liberalizimit të vizave. dhe jo si një alternativë reale për tejkalimin e këtij ngërçi apo izolimi të qytetarëve të Kosovës, nga një proces ku janë përfshirë gjithë vendet e rajonit prej kohësh, sepse jo vetëm që nuk është e drejtë do të thosha unë që qytetarët e Kosovës të vazhdojnë të kenë këtë pengesë, por njëkohësisht besoj se marrja e shtetësisë shqiptare nuk do të kishte asnjë zgjidhje për të lehtësuar lëvizjen e tyre drejt vendeve të zonës Shengen, për arsye se vetë Shqipëria është një vend që është e detyruar të tregojë kujdes të vazhdueshëm, sa i takon gjithë detyrimeve që burojnë nga zbatimi I liberalizimit të vizave.

Pra, kjo do të ishte një lëvizje joproduktive, një lëvizje joracionale nga e cila vetë qytetarët e Kosovës jo vetëm se nuk do të përfitonin, por mund të dëmtoheshin edhe ata të Shqipërisë, kështu që besoj se ky qëndrim është një mesazh për një sensibilizim më të madh edhe ndërkombëtarë besoj edhe Evropa për t`i dhënë zgjidhje kësaj çështjeje, e cila sikurse e dimë është lidhur prej disa kohësh me një çështje tjetër që është ajo me çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi, dje unë besoj dhe uroj se pas zgjedhjeve vendore në Kosovë, Qeveria e re e Kosovës në bashkëpunim edhe me opozitën, të gjejë bashkëpunim për të ecur përpara dhe për të zgjidhur jo vetëm çështjen e Demarkacionit përfundimisht e Malin e Zi, por edhe për të përfituar nga liberalizimi i vizave të gjithë qytetarët e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Zoti President, në deklaratën tuaj pas takimit që kishit me presidentin e Maqedonisë, ju keni inkurajuar autoritete e Maqedonisë për hetim dhe proces gjyqësor transparent për rastin e Kumanovës. A nënkupton kjo dhe kyçjen e faktorit ndërkombëtar. Çka nënkuptoni me atë më shumë transparencë?

Ilir Meta: Pa diskutim se vlerësoj se edhe angazhimi i faktorit ndërkombëtar, i cili reformat në drejtësi dhe performancën e institucioneve të drejtësisë i ka në qendër të vëmendjes, besoj se angazhimi faktorit ndërkombëtar do të ishte një veprim pozitiv për rritje e transparencës në fazat tjera të gjykimit të kësaj çështjeje. Dhe për të garantuar një drejtësi të standardeve evropiane, larg çdo lloj paragjykimi apo dyshimi që krijon mosbesim.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here