Në pritje të rezultatit të votimit për drejtorët

0

 Nga Dr. Ndriçim Mehmeti

Loading...

Prej më se dy javësh, kryeministri Rama paralajmëroi ndryshime radikale, në drejtimin e  shkollës, për shkak se pas katër vitesh, koste pikasur krejt “rastësisht”, se 300 drejtor i kishte dalë për duarsh shkolla ngaqë ishin të paaftë. Gjeti rastin t’i bënte leckë në një të ashtuquajtur takim mbi “Zhvillimin profesional të mësuesve”, dhe prej shkollës se kuqe, ju turr drejtuesve të arsimit. Ministria e gatshme t’i përgjigjet çdo fushata të ndërmarrë nga Ministri de facto i Arsimit, Rama, lëshoi urdhrin, që mësuesit të votojnë “demokratikisht”, ose siç thuhej që moti me “Me porosi nga lart dhe iniciativë nga poshtë”. Ministria u shkul me kuç e me maç, për të monitoruar procesin, duke e lënë bosh ndërtesën për dy ditë me radhë.

Përse u bë kontrolli i “performancës” së punë nga mësuesit dhe jo përmes mekanizmave ligjor?

Duhet thënë që në fillim, që kryeministri, as e vret shuam mendjen për arsimin. Me një platformë të qartë politike, me këtë votim  kryeministri kërkon të heq të gjithë drejtuesit e LSI, nga drejtimi i shkollave drejtorë apo nëndrejtorë qofshin, me qëllim që të përmbushi plotësisht premtimin për të pasur timonin, tepsinë, shishen, tapën, vazon me gjithë lule, e gjithë farë krahasimesh, simbolika, metafora e figura letrare që ai përdor në funksion të një thirrje të vjetër politike, të dalë nga revolucioni i tetorit,  “i gjithë pushteti në duart e sovjetëve”, që në rastin tonë mund të perifrazohet “të gjithë pushtetin për vete”. Qërimi i hesapeve sa më parë me njerëzit e LSI-së, do të hapi mundësi e perspektiva të mëdha për të shtënë  plotësisht në dorë shkollën dhe për ta thelluar politizimin e saj, si një aksion i nisur që në vitin 2013, por që duket se nuk dha rezultate e pritura, në mandatin e parë qeverisës. Për t’i hequr qafe drejtuesit e padëshiruar, nuk do të përdoret asnjë mekanizëm ligjor (si për çdo të ashtuquajtur “reformë” në arsim”), por u thirrën mësuesit “nën armë”, për të ndëshkuar apo vlerësuar drejtuesit e tyre. Mënyra “demokratike”, e përzgjedhur me shumë kujdes nga kryeministri, ngre pikëpyetje të mëdha.

Kush i zgjodhi drejtuesit e paaftë të institucioneve shkollore? A ka ndonjë raport prej të të dërguarve të tij në Ministrinë e Arsimit, kryeministri, në lidhje me performancën e drejtuesve të shkollës? A ka pasur kryeministri Rama, ndonjë informacion të ardhur nga populli, me të cilin ai shkëmben mesazhe, me orë të tëra në FB, në lidhje me drejtorë, të paaftë, zuzarë, maskarenj e që nuk ja thonë për arsimin? A janë trajnuar këta drejtues shkollash në shkollën 6-mujore të drejtorëve të partisë, të ngritur në MAS?, etj. Kryeministri u ankua krejt papritur se “i ikën për dursh drejtuesit e paaftë”, të ardhur më së shumti nga ndarja e tortës, duke shmangur krejtësisht përgjegjësinë e tij dhe të drejtuesve të MAS. Që ka drejtues shkollash të paaftë, të pabesë, zuzarë, pijanecë, që erdhën përmes ndarjes së tortës, lind një pyetje, madje një dilemë shumë e madhe, mbi të ashtuquajturin proces demokratik të vlerësimit përmes votimit: A kanë të drejtë të votojnë mësuesit për një drejtues që nuk e kanë zgjedhur vetë? dhe a mund të na shpjegohet se si janë zgjedhur këta drejtues: Përmes “konkurseve transparente”, apo shumica janë të komanduar?

Përgjigjen e kësaj pyetje, kam përshtypjen se nuk do ta mësojmë kurrë. Por e vërteta është në dritë të diellit: Shumica e drejtuesve të institucioneve shkollore të cilësuar si të paaftë dhe që pritet të spastrohen, qëllimisht është “harruar” të bëhen konkurse dhe nuk ka aspak pengesë ligjore për t’i hequr nga posti që kanë. Një pjesë do të hiqen përmes “verdiktit” të masës së mësuesve. Për këta drejtues me siguri nuk do të ketë më vend në arsim. Kjo iniciativë mund të shtyhej edhe më tej, sipas modelit të revolucionit kulturor kinez, kur mund të thirreshin nxënësit të demaskonin mësuesin dhe drejtuesit e shkollës, madje edhe t’i rrihnin ata publikisht.  Ndërkaq ata që do të kalojnë, provën e forcës, me siguri do të jenë të më të talentuarit ndër drejtuesit e partisë (nënkupto aktivistët më të mirë të mbledhjes së votave në lagje për PS-në).

Çfarë pritet të ndodh menjëherë pas daljes së rezultateve?

Paralelisht me operacionin e koduar “arsimi 2017”, për largimin nga puna të drejtuesve që nuk u “votuan”, do të përndiqen si të papërshtatshëm për arsimin mësuesit që kanë votuar kundër drejtuesve të institucioneve arsimore, të parapëlqyer prej strukturave të PS-së dhe vetë kryeministrit. Mësuesit që janë shprehur sinqerisht dhe dinë lidhjen që ka drejtori i shkollës me strukturat e Partisë Socialiste dhe atyre të arsimit në rrethet apo qytetin e tyre, janë shumë të frikësuar për vendin e tyre të punës. Madje përflitet se pas votimit të mësuesve për drejtorët e shkollës, një tjetër nismë për të “forcuar” pinën e shkollës pritet të zbatohet në mënyrë të menjëhershme. Prindërve do t’u kërkohet që t’i përgjigjen pyetjes: A jeni të kënaqur me mësuesin e fëmijës suaj? Në rast se gjysma e prindërve do të thonë Jo, atëherë mësuesi do të ;pushohet. Sikundër do të ndodhë me drejtuesit e shkollave edhe me mësuesit, ata që janë piketuar do të qërohen nga sistemi pa një pa dy. Por jo se do t’i pushoj Ministria e Arsimit, Drejtoria Arsimore Rajonale apo Zyra Arsimore, ata do të “kryqëzohen” prej popullit pasi nuk i kanë shërbyer siç duhet. Pra e thënë më thjesht praktika e votimit për drejtuesit do të shtrihet deri tek mësuesit. Kjo do të bënte që pas daljes së rezultatit të kemi një panoramë të qartë: Largimin nga sistemi të gjithë drejtuesve të shkollave, që nuk pëlqehen nga pushtetit, më pas mësuesit dhe mbushja e vendeve bosh me njerëzit e ardhur nga Portali “Mësues për Partinë”. Kur operacioni të mbyllet me sukses, do të fillojë të zbatohet me të njëjtin egërsi në kopshte e çerdhe, për ta shndërruar të gjithë sistemin arsimor parauniveristar në Shqipëri në shërbim të plotë të partisë-shtet.

Të dhënat e deritanishme, tregojnë se drejtorët që e kanë vendin e sigurt dhe janë votuar nga kolektivi si të paaftë, kanë shpallur fitoren para kolektivit me buzëqeshje dhe skërmitje dhëmbësh, ndërkohë që ende nuk kemi ndonjë rezultat zyrtar. Të tjerët kanë mundur të punojnë nën rrogoz, për aq kohë sa nuk ka dalë rezultati me qëllim manipulimin e tij. Në fund të fundit votimi dhe rezultati i tij, do të jetë në linjën e njohur, të proceseve të votimit, kur ato komandohen dhe kontrollohen nga lart: “Ata fitojnë në votim, unë fitoj në numërim”.

Drejtorët e partisë, do ta gëzojnë vendin e punës, mësuesit do ta kuptojnë, se procesi ishte sa për të nxjerrë në pah kush janë rebelët dhe armiqtë e shtetit, ndërsa prindërit dhe nxënësit do të jenë kurbani i radhës i timonierit.

Loading...

Lini nje pergjigje