Reagon BSH: Pesë arsyet pse janë rritur depozitat e biznesit në banka

0

Në një prononcim të posaçëm, Banka e Shqipërisë shpjegoi disa arsye se pse bizneset kanë rritur kursimet në banka. Arsyeja e parë lidhet me një trend rritës që prej vitit 2013, duke reflektuar si përmirësimin e faktorëve strukturorë ashtu edhe të atyre ciklikë.

 

 

Në shtator të vitit 2017, depozitat e bizneseve arritën në 9.2% të PBB-së, përkundrejt 7% të mesatares afatgjatë.

Së dyti, në një këndvështrim afatgjatë, rritja e depozitave të bizneseve reflekton formalizimin e ekonomisë dhe përqasjen më të madhe të bizneseve pranë bankave. Gjithashtu, kjo rritje është mbështetur edhe nga përmirësimet në infrastrukturën financiare si në drejtim të shtrirjes gjeografike, ashtu dhe shumëllojshmërisë së produkteve bankare.

Së treti, në një këndvështrim afatshkurtër, rritja e depozitave të bizneseve është në linjë me përmirësimin e likuiditetit dhe gjendjes financiare të bizneseve, në përgjigje të përmirësimit ciklik të aktivitetit ekonomik në vend.

Së katërti, Banka e Shqipërisë sqaron se struktura kohore e depozitave të bizneseve dominohet nga llogari rrjedhëse dhe depozita pa afat, duke reflektuar preferencën e bizneseve për t’i mbajtur fondet në instrumente likuide pranë bankave. Për një periudhë 15-vjeçare, kjo strukturë ka mbetur përgjithësisht e pandryshuar, ku mesatarisht 72% e depozitave të bizneseve janë likuide. Gjatë vitit 2017, depozitat pa afat të bizneseve përbëjnë 84% të depozitave totale të bizneseve. Paralelisht, raporti i depozitave me afat ndaj totalit ka ardhur në rënie që prej vitit 2011, duke arritur në 16% në muajin shtator.

Së pesti, banka referon se pavarësisht rritjes së depozitave të biznesit në tre vitet e fundit, kjo nuk është përkthyer në rënien e investimeve. Sikurse tregojnë të dhënat e ekonomisë reale, investimet private në vend, kanë qenë kontribuuesi kryesor i përmirësimit të aktivitetit ekonomik. Këto investime janë mbështetur si nga financimet e huaja, nëpërmjet Investimeve të Huaja Direkte, ashtu edhe nga kursimet e brendshme të vetë bizneseve./monitor/

Lini nje pergjigje