Oligarkia-Krimi-Droga/ Në Shqipëri po humb shpresa, nga qindra mijëra aplikimet për llotarinë tek dezertimi i komandove

0

Nga Gezim Saliu

Loading...

Dezertimi i katër ushtarakëve shqiptarë ishte padyshim një ndër lajmet më të habitshme e njëkohësisht të rënda, për nga mesazhi që përcollën, i këtij 20-vjeçari të fundit. Arratisja e komandove nga trajnimi që po zhvillonin në Britaninë e Madhe për një tjetër jetë larg vendit amë na rikthen në kohët e dhimbshme të regjimit diktatorial, ku artistë, intelektualë apo sportisë, në mundësinë më të vogël jashtë vendit, ja mbathnin pa u munduar dy herë nga “terri shqiptar”. Pse po rikthehet sërish sot ky fenomen i rëndë, aq më tepër që vendi nuk është as në kohë lufte e aq më tepër që nuk kemi më një sistem totalitar?! Cilat janë arsyet që shiptarët po mundohen në cdo formë e mënyrë të largohen? Pse të rinjtë të vetmen rrugë shpëtimi për të ardhmen e tyre po shohin emigrimin? Pse studentët e sapo dalë nga dyert e universitetit po mundohen gjithnjë e më shumë të gjejnë mundësi punësimi jashtë vendit? Cilat janë arsyet e largimit të “ajkës” së vendit jashtë? Pse shqiptarët janë të rënditur të parët në listën e vendeve që aplikojnë më shumë për llotarinë amerikane?

Çfarë ka ndodhur?!

Në katër vitet e fundit, vendi është përfshirë në një valë të fortë krimi dhe droge. Fenomeni i kanabisit që arriti kulmin në vitet 2015-2016 solli të ardhura të mëdha për njerëzit e përfshirë në këtë trafik e ndërkohë të pamundurit u mbytën me taksa apo aksione , si ato të energjisë elektrike që cuan në burg edhe prindër të 3 apo 4 fëmijëve në nevojë. Po ashtu lidhja e fortë e të inkriminuarve me pushtetin, ku njerëz më rekorde kriminale u përfshinë edhe në Parlament e administratë, përcoi tek qytetarët mesazhin se vendin e drejton “kupola”. E gjitha kjo gjëndje u miskua me keqqeverisjen “Rama” , ku si në katër vite të mandatit të parë ashtu edhe në këto muaj të parë të mandatit të dytë po faktohet aksioma qeveritare: “mbështetje për klientët e oligarkët-shtrydhje për të pamundurit”.

Vetë buxheti i miratuar dy ditë më parë faktoi këtë aksiomë qeveritare, ku hoteleve super luksoze ju ulën taksat e ndërsa biznesmenëve të vegjël ju rrit pragu i pagesës për TVSH-në. Po ashtu edhe taksimi për ndërtesën ishte një tjetër taskë e shtuar mbi qytetarët, e cila sjell edhe më shumë barrë për shtresën e mesme e të varfër, pasi të pasurit gjithnjë në këto vite kanë përfituar si përmes lejeve të ndërtimit, ashtu edhe me koncensione. Gjithashtu faktet e zbardhura së fundmi nga përgjimet e antimafies italiane vërtetuan se sa të thella ishin lidhjet mes shtetit  dhe trafikantëve, gjë e cila shuan cdo shpresë se kjo qeveri mund të luftojë krimin e mund të sjellë prosperitet për qytetarët e saj. E gjithë kjo situtatë ka krijuar një sens irritimi e mungese shprese tek qytetarët për një të ardhme më të mirë në këtë vend. Si mund te ndihet komandoja që paguhet më pak se 30 mijë lekë në muaj kur dëgjon në përgjimet e antimafies që flitet për ish-ministrin që siguron e pakta 5 milionë euro në muaj?! Si ndihet një pensionist që me talljen e fundit qeveritare mori një rritje sa një “kofshë pule” kur sheh se si “bosët” e mëdhënj përfitojnë ulje taksash? Si mund të ndihet një qytetar i thjeshtë që me punë të palodhur gjithë ditën siguron të ardhura minimale jetese teksa zbulon përgjimet e antimafies italiane ku një trafikant flet për fitime marramendëse me ndihmë qeveritare?

Pa shpresë

Në tre vitet e fundit Shqipëria ka kapur majat e klasifikimit sa i përket shteteve evropiane që kanë aplikuar më shumë për llotarinë amerikane. Shifra që kapërcejnë 200 mijë qytetarë aplikues vërtetojnë se një pjesë e mirë e shqiptarëve nuk e gjejnë më veten dhe të ardhmen e tyre apo të familjes në këtë vend. Po ashtu emigracioni masiv që ndodhi përgjatë viteve 2014-2015, ku nga shifrat shkuam në të njejtën gjatësi vale me Sirinë, një popull qe ishte në luftë  e vuante diktatin e një rrgjimi makabër, ka ende valë të fortë edhe në ditët e sotme. Janë me mijëra shqiptarë që mundohen përmes rrugëve shpesherë ilegale për t’u larguar nga vendi i tyre drejt vendeve të Evropës, kryesisht Gjermani, Francë, Hollandë, Britani etj. Një valë e tillë largimi vjen padyshim nga mungesa e shpresës në vend, nga faktet që kanë vërtetuar me kohë fitoren e të fortit mbi të dobëtin, nga sjelljet arbitrare qeveritare apo edhe arrogancën  e pushtetit që “shkel” me këmbë cdo njeri të thjeshtë për të shkuar pranë të fortit, oligarkut dhe klientit.

 

Shenim: E megjithate, pavaresisht kesaj situate te zymte, mesazhi yne eshte: largimi nga vendi nuk eshte zgjidhja, beteja mbetet per tu bere ketu…

Loading...

Lini nje pergjigje