Kush i fiton tenderat dhe koncensionet e qeverisë. Emrat dhe shumat në euro

0

Në fund të vitit të kaluar, borxhi që bizneset kanë ndaj tatimeve dhe doganave arriti në 1.1 miliardë euro. Këto janë taksa të papaguara që bizneset kanë në shtet, përfshirë interesat dhe gjobat që vendosen mbi detyrimin. Në emisionin Top Story Sokol Balla zbardhi krejt emrat dhe skemën e funksionimit. Por ndonëse në total janë mbi 146 mijë biznese debitore në shtet, 40 për qind të të gjithë borxhit e kanë vetëm një grusht kompanish, disa prej tyre madje të lidhura me njëra tjetrën.

Kjo është lista me 10 borxhlinjtë më të mëdhenj ndaj shtetit deri në fund të vitit të kaluar. Në vend të parë renditet ARMO. Rafineria e vetme e naftës në vend, në fund të vitit të kaluar kishte 160 milionë euro borxh ndaj shtetit. Pas saj, vijnë dy kompani publike OSHE dhe KESH, të cilat së bashku kanë mbi 140 milionë euro borxhe tek tatimet.

Lista pasohet me Deveron Oil, një tjetër kompani e lidhur me Armon, e cila në fund të vitit të kaluar kishte 52 milionë euro borxhe ndaj shteti. Më pas vijnë Glob Oil, Geotek Albania, Top Bast, Bankers Petroleum, Bell Air dhe Transpetrol, të cilat kanë nga 6 deri në 12 milionë euro borxhe secila. Në maj të këtij viti Parlamenti miratoi një amnisti fiskale, e cila fal plotësisht borxhet para vitit 2010 dhe pjesërisht ato të periuudhës 2011-2014.

Falja vazhdon deri në fund të vitit. Sipas Ministrisë së Financave, deri në fund të muajit shtator tatimet dhe doganat kanë falur 202 milionë euro borxhe. Emrat e përfituesve më të mëdhenj nga falja e borxheve deri më tani nuk janë publike, por lista e borxhlinjve ka pësuar ndryshime të mëdha.

ARMO, e cila në fund të vitit të kaluar kishte 160 milionë euro borxhe në shtet, tashmë ka vetëm 71 milionë, pra rreth 90 milionë euro më pak. Deveron Oil, e cila në fund të vitit të kaluar kishte 52 milionë euro taksa të papaguara, tashmë nuk figuron fare në listë, ashtu si Glob Oil.

Të gjitha kompani në fushën e naftës, disa të lidhura me njëra tjetrën. A janë këta përfituesit më të mëdhenj nga falja e borxheve të qeverisë, apo i kanë shlyer detyrimet?

Kjo mbetet për t’u parë, kur tatimet të bëjnë publike listën e përfituesve. E sigurtë është që edhe këtë herë, pjesën dërrmuese e qindra milionë eurove borxhe që do falen do ta përfitojnë vetëm një grusht kompanish.

Top Story, 5 mijë tendera dhe 116 mln euro në mes; ja përfituesit e mëdhenj

Vitin e kaluar, institucionet e shtetit zhvilluan mbi 5 mijë tendera publikë në të cilët shpenzuan 655 milionë euro në tendera.

Por, gjysma e kësaj shume u përfitua nga 57 kompani.

Top Channel zbardh listën e 11 subjekteve kryesues, që kanë përfituar në total 116 milionë euro tendera për mallrat dhe shërbimet e ofruara shtetit në 2016.

Në vend të parë është subjekti “Fusha”, që ka marrë 13, 2 mln/euro tendera.

Vlerat e perfituara nga tenderat publike
Viti 2016

Kompania                      Shuma

FUSHA                             13, 2 Mln/euro
G.P.G COMPANY               13, Mln/euro
KASTRATI                        12, 7 Mln/euro
ITAL-PROJEKT                  12, 3 Mln/euro
EVEREST                          11,4 Mln/euro
INFOSOFT SYSTEMS         10,6 Mln/euro
ALBA KONSTRUKSION       8,98 Mln/euro
AGI KONS                        8, 84 Mln/euro
AUSTRIA STRABAG            8,83 Mln/euro
SHPRESA SHPK                 8, 62 Mln/euro
PE-VLA-KU                        8, 09 Mln/euro
Totali 116,8 Mln/euro

Koncesionet, ku shkojnë 70 mln euro nga buxheti?

Qeveria do të paguajë 70 milionë euro nga buxheti për kompanitë koncesionare gjatë vitit të ardhshëm. Por kush janë përfituesit më të mëdhenj nga fondet publike përmes koncesioneve?

Në vendin e parë renditet koncesioni i skanimit të doganave. Vitin që vjen kompania S2 Albania do të marrë 12 milionë euro nga qeveria. Pas saj vjen koncesioni i sterilizimit i dhënë në vitin 2014. Kompania Sani Service do të përfitojë 11.5 milonë euro nga paratë e taksapaguesve për sterilizimin e pajisjeve kirurgjike.

Lista pasohet nga koncesioni i hidrocentraleve mbi lumin Devoll me 10 milionë euro, inceneratori për përpunimin e mbetjeve në tiranë 7.5 milionë euro. Pas tyre vijnë tre koncesione të tjera në shëndetësi; Laboratorët, shërbimi i dializës dhe chek upi. këto do të marr nga 5 deri në 6.5 milionë euro secila nga paratë e buxhetit, ashtu si dhe dy inceneratorët e tjerë në fier dhe elbasan.

Të dhënat tregojnë se koncesionet kanë norma të larta fitimi. Për ato në fushën e shëndetësisë normat e fitimit arrijnë deri në 40 për qind e të ardhurave bruto.

Por këto janë vetëm koncesionet që paguhen nga buxheti. Ka dhe disa kontrata të tjera, barra e të cilave paguhet direkt nga qytetari, si aeroporti, pasaportat, kolaudimi i automjeteve, Petrolifera dhe shumë të tjerë.

Vitin e kaluar kontratat koncesionare realizuan 150 milionë euro të ardhura bruto dhe paguan vetëm 8 milionë euro tatim fitimi. Më pak se 5 për qind e taksave që qytetarët paguajnë nga rroga./TCH/

Lini nje pergjigje