Çmimi i ujit në Tiranë rritet me 44 për qind

0
260

Enti Rregullator i Ujit autorizoi kompaninë UKT sh.a të rrisë tarifat për konsumatorët familjarë me 44% si dhe tarifat për bizneset me 15 për qind, një vendim që u ndërmor në shkelje të rregullave të vendosura nga vetë ERRU.

Qytetarët e Tiranës do të paguajnë fatura uji rreth 44% më të larta duke filluar nga viti i ardhshëm, pasi Enti Rregullator i Ujit miratoi kërkesën e Ujësjellës Kanalizime Tiranë për rritjen e tarifave. Sipas vendimit të ERRU tëdatës 7 nëntor 2017, konsumatorët familjarë do të paguajnë nga 1 janari 2018, 65 lekë për metër kub ujë nga 45 lekë që kanë paguar gjatë pesë viteve të fundit. Njëkohësisht, konsumatorët familjarë do të paguajnë 200 lekë tarifë fikse në muaj, nga 100 lekë që paguanin deri tani, pavarësisht nëse konsumojnë apo jo ujë. Subjektet tregtare do të paguajnë 155 lekë për metër kub, nga 135 lekë që paguanin më parë, me rritje 14.8 për qind ndërsa institucionet publike do të paguajnë 140 lekë për metër kub, nga 120 që paguanin më parë. UKT pati kërkuar që tarifa e furnizimit të bizneseve të rritej në 235 lekë për metër kub. Nuk dihen arsyet se pse ERRU miratoi tarifën 155 lekë.

Ujësjellës Kanalizime Tiranëështë një nga kompanitë më fitimprurëse në vend dhe gjatë vitit 2016 ka realizuar fitime neto prej 4.7 milionë euro. UKT e ka bilancin të paaudituar, pasi audituesit i konsiderojnë shifrat e raportuara nga menaxhmenti si të pasigurta për të dhënë një opinion nëse ky është realiteti apo jo.

Enti Rregullator i Ujit vendosi edhe disa kushte mbi performancën, të cilat, UKT do të duhet t’i realizojë gjatë viteve të ardhshme. Sipas këtyre kushteve, humbjet në rrjet do të duhet të reduktohen në 65% në vitin 2018 dhe në 40 për qind në vitin 2022. Konsumatorët me matës do të duhet të shtohen nga 77% që janë aktualisht në 87% në vitin 2022, ndërsa furnizimi me ujë nuk ka kritere graduale për t’u arritur. Për vitet 2018 dhe 2019, UKT nuk ka objektiv se sa orë ujë në ditë do të japë në qytet ndërsa objektivi i vetëm është ai i vitit 2022, ku premtohet  furnizim 24 orësh.

Aktualisht qyteti i Tiranës furnizohet me një sasi të stërmadhe uji, por shumica e tij humbet në rrjet pa mbërritur te konsumatorët e rregullt. UKT pretendon se me rritjen e çmimit, do të krijojë të ardhura për të kryer investime me vlerë 170 milionë euro përgjatë katër viteve të ardhshme, investime që do të mundësojnë mbylljen e vrimave, reduktimin e humbjeve dhe rritjen e orarit të furnizimit me ujë.

Enti Rregullator i Ujit teorikisht duhet të jetë një institucion i pavarur politikisht dhe që mbikëqyr ujësjellësat për të mbrojtur konsumatorët nga abuzimet e mundshme. Për këtë arsye, ERRU ka miratuar në të shkuarën një rregullore në të cilën sanksionohet se kërkesa për rritjen e çmimit dhe dokumentacioni shoqerues duhet te “dorëzohen në ERRU brenda gjashtëmujorit të parë të vitit”, dhe në rast se nuk dorëzohen, atëherë ERRU e shtyn shqyrtimin e kërkesës për vitin pasardhës.

Ndryshe nga sa shkruan rregullorja e vet, ERRU miratoi kërkesën e UKT disa muaj pas skadimit të afatit/ reporter.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here