Vazhdon betonizimi klientelist i Tiranës, miratohen tre kulla në qendër të qytetit

0
1497

Në heshtje të plotë dhe mungesë transparence, pa asnjë dokument të botuar në faqen e vet zyrtare (e pa rifreskuar që nga korriku), Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) i kryesuar nga Kryeministri Rama, miratoi të premten ndërtimin e një tjetër grupi kullash në qendër të Tiranës, nga studiot e arkitekturës dhe firmat e ndërtimit të lidhura ngushtë me qeverinë Rama dhe me skandale të shumta.

Garden Building

Ndërtesa e parë e miratuar është një kullë “multifunksionale” 24 katëshe—një tjetër qendër tregtare me apartamente në pjesën e sipërme—e cila do të ndërtohet përgjatë Rrugës së Kavajës, në vendin ku ndodhej ish-Muzeu i Shkencave të Natyrës, pranë kryqëzimit të 21 Dhjetorit. Ndërtesa, e cila sipas përshkrimit “ruan kujtimin e natyrës”, përfshin pemë në fasadë dhe krijon një imazh të ngjashëm me atë të “pyjeve të varura të Babilonisë”, apo me pyllin vertikal të ndërtuar nga Stefano Boeri në Milano.

Për fat të keq, pretendimet se këto ndërtesa janë “ekologjike” dhe “ të qëndrueshme”, aq të ekzagjeruara mediatikisht, janë provuar se janë të tej fryra:

Dëshironi të bëni një kullë shumëkatëshe të duket moderne dhe e qendrueshme? Vendosni një pemë mbi të. Ose më mirë akoma, dhjetra prej tyre. Shumë projekt për kulla të larta janë të mbushura me pemë. Në tarraca, në ballkone të stërmëdha, në qoshe, në të çara apo në çdo dalje tjetër të mundshme. Praktikisht kudo, në çdo sipërfaqe horizontale dhe disa metra mbi tokë. Por, më duhet të them se arkitektët thjesht i vizatojnë ato dhjetra premë, sepse ende nuk kam parë ndonjë nga këto kullat “e gjelbërta” në jetën reale.

Ka shumë arsye shkencore se përse kullat nuk kanë dhe, ndoshta, nuk do të kenë pemë, të paktën jo në lartësitë që propozojnë shumë arkitektë. Jeta është e padurueshme atje lart. Për ty, për mua, për pemët, praktikisht për çdo gjë përveç skifterëve grabitqarë. Është ftohtë, nxehtë, ka erë, shirat përplasen tek ti dhe bora dhe lloha të godasin me vrull. Jeta në qytet për pemët është mjaftueshëm e vështirë. Nuk mund ta imagjinoj se si do të jetë në 150 metra në lartësi, ku çdo ndryshim klimaterik është më i skajshmë se në nivelin e rrugës. Pemët thjesht nuk janë bërë për këto kushte.

Nëse dikush dëshiron të krijojë një pemë që mund të mbijetojë në majë të një kulle, them se mund ta provojë. Por mendoj se ka plot gjëra më të mira në të cialt duhet të përqëndrojmë përpjekjet dhe kohën, si ruajtja e vendeve në tokë ku ka pemë që rriten ose mbjellja e më shumë pemëve në rrugët që kanë nevojë për to.

Për të mos thënë, që krahasimi mes renderit në kompjuter të ndërtesës së Boerit dhe ndërtesës së vërtetë të realizuar është i madh dhe “pylli” vertikal duket më shumë si ballkone të stërmëdha mëdha me disa pemë të vogla.

Duket se studio e arkitekturës Archea Associati thjeshtë po i bashkohet valles së Boerit, sepse në Tiranën e Erion Veliajt çdo gjë që duket e gjelbër është “ekologjike” dhe “e qëndrueshme”, pa menduar për ciklin e plotë të karbonit, i cili përfshin edhe dioksidin e karbonit që prodhohet nga këto ndërtime masive dhe të panevojshme betoni.

Përveç këtij projekti, studioja Arche Associati e italianit të dënuar për korrupsion Marco Casamonti, është, gjithashtu, studioja projektuese e dy prej projekteve më të korruptuara në Shqipëri. Njëri prej tyre është stadiumi i ri kombëtar, që përfshin shkatërrimin e trashëgimisë kulturore dhe transferimin e dyshimtë të pronës publike në një partneritet publik-privat të përjashtuar nga procedurat e tenderimeve dhe nga llogaridhënia përpara qytetarëve.

Projekti tjetër i Casamontit është Sheshi Veliera në Durrës, i cili ka shkatërruar në mënyrë të përheshme trashëgiminë e lashtë arkeologjike të qytetit, përfshirë vendbanimet bizantine, në shkelje të plotë të ligjeve që mbrojnë monumentet.

I njejti arkitekt është gjithashtu përgjegjës për një nga sygërvishtësit më të mëdhenj në Tiranë, kulla e pambaruar dhe e falimentuar “4EverGreen Tower” përballë Katedrales Ortodokse—deri tani e vetmja “kryevepër” e Casamontit në qytet.

West Residence

Godina tjetër e miratuar nga KKT është e ashtuquajtura West Residence projektuar nga Stefano Boeri, e studios Boeri Architetti. Boeri është autori i Masterplanit të Tiranës. Ky masterplan, kaloi në Këshillin Bashkiak pa asnjë diskutim apo dëgjesë publike serioze, u bazua në të dhëna të gabuara, parashikime të paqarta për rritjen e popullsisë, dhe mbi privatizimin e plotë të një pjese të madhe të qytetit.

Pavarësisht se përbëntë shkelje të kontratës së tij me qeverinë, Boeri doli në fushatë me masterplanin e tij, dhe tani po merr shpërblimin për të cilin ka pritur: dy projekte për dy godina të reja në Tiranë.

West Residence është një tjetër ndërtesë “shumëfunksionale”, e cila do të ndërtohet pas godinës së Presidencës, përgjatë rrugës Ibrahim Rrugova, në vendin ku tani ndodhet një parkim dhe klinika e dikurshme e bllokut. Sigurisht, edhe kjo ndërtesë do të shoqërohet me disa pemë sipërfaqësore, duke dekoruar një fasadë masive betoni:

Përdorimi i drurit për të dekoruar disa pjesë dhe tarraca të ndërtesës, së bashku me gjelbërimin e dëndur mbi to, do të krijojë një harmoni natyrore me peisazhin e gjelbër të zonës dhe të qytetit në përgjtihësi.

Po, janë duke folur për Tiranën, ku “pylli orbital” famëkeq i Boerit nuk shihet gjëkundi, ku Parku i Liqenit po shkatërrohet, dhe parqet e tjera po bien pre e projekteve të ndërtimit. Ku mendojnë këta se mund të luajnë fëmijët? Në ballkonin e tyre?

Bllok

Një tjetër projekt i Stefano Boerit në zonën më të lakmuar të Tiranës, në zonën e ish-Bllokut, do të quhet thjesht “Bllok”. Wshtë një tjetër godinë “multifunksionale”, pra qendër tregtare, zyra dhe apartamente, që do të ndërtohet nga e njëjta kompani si West Residence, Invest shpk. Sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) kjo kompani është krijuar vetëm një vit më parë.

Ndërtesa supozohet të ndërtohet në këndin e rrugës Pjetër Bogdani dhe Rrugës Vaso Pasha, përballë ish- Bar Rovenës, dhe do të ketë — sigurisht— një “tarracë të gjelbërt”.

Pavarësisht disa zgjedhjeve arkitekturore, asnjë nga këto projekte nuk është në thelb i “keq”.

Godinat e reja ndërtohen gjatë gjithë kohës nëpër botë. Ajo çfarë duhet të vihet në pikëpyetje, sidoqoftë, janë procedurat e fshehta përmes të cilave këto projekte janë hartuar dhe miratuar, pa transparencë ligjore, pa konsultime me publikun, dhe pa i botuar në faqen zyrtare të Agjensisë së Zhvillimit të Territorit çfarë kërkohet ligjërisht.

Këto projekte kanë një ndikim domethënëse në jetët e qytetarëve të Tiranës dhe ato kanë të drejtën të dëgjohen.

Për më shumë, fakti se të treja projektet janë projektuar nga arkitektë italianë, të cilët së fundmi janë përfshirë në tendera të dyshimtë dhe me shumë gjasa në projekte qeveritare në shkelje të ligjit, rrit më shumë dyshimin se këto projekte nuk janë thjesht investime private, por “favore” që Edi Rama dhe oligarkët e Shqipërisë u japin “idiotëve të dobishëm”, arkitektëve të tyre.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here