Mima: 12 mld euro nga paratë e krimit në Shqipëri

0

Të enjten në Parlament votohet buxheti 2018. Buxheti është një akt politik i një mazhorance që qeveris dhe si akt politik merr automatikisht votën kundër të opozitës.

Partia Socialiste e quan këtë buxhet, një hap që do të afrojë vendin më shumë me Europën. Por Partia Demokratike dhe LSI thonë se po pastrohen paratë e drogës, veçanërisht me projektin “1 miliardë euro”.

Cila palë ka të drejtë? Për të diskutuar për këtë, në Top Story-n e kësaj të hëne ishin të ftuar Ervin Bushati nga Partia Socialiste dhe Florion Mima nga Partia Demokratike.

Bushati mbrojti buxhetin dhe thotë se ai është rezultat i efekteve të reformave të ndërmarra nga qeveria në mandatin e parë të saj.

“Ekonomia sot ka parametra të shëndetshëm dhe reformat kanë nisur të japin efektin e tyre”, u shpreh ai.

Akuzat e opozitës, deputeti socialist i quajti të paargumentuara dhe joserioze.

“Basha tha se buxheti do të shërbejë për të pastruar para. Nuk ka sens, as si logjikë ekonomike dhe as si sulm politik. LSI ka deklaruar kur u shpall projekti 1 miliard, se ky do të shërbejë për të pastruar paratë e drogës. Thanë që është buxhet që do të varfërojë shqiptarët dhe tani kanë dalë me këtë këngë të re, që projekti 1 miliardë do të pastrojë paratë. Të stigmatizosh, që buxheti është pastrim parash është si të thuash që ekonomia shqiptare është e përfshirë në një ekonomi kriminale që dëmton rëndë vendin”, u shpreh ai.

Bushati thotë se akuzat e opozitës dëmtojnë vendin dhe ekonominë dhe kërkoi që të tilla akuza t’i adresohen drejtësisë.

“Ne sot po ndjejmë ritmin e parë të një drejtësie të pavarur dhe nëse opozita ka dyshime, le të shkojë tek drejtësia, sepse nuk është mirë që stigmatizon gjithë ekonominë shqiptare”, u shpreh Bushati.

Lidhur me buxhetin dhe koncesionet, deputeti socialist deklaroi se ka patur debate edhe vetë brenda PS-së për këtë, ndërsa tha se të gjitha ato do të bëhen publike dhe transparente, ndaj nuk ka nevojë që të kalojnë përmes Parlamentit.

Nga ana tjetër, Florion Mima i PD-së përmend, sipas tij, një raport të Europolit për trafikun e hashashit në Europë.

“Kemi një raport zyrtar të Europol, që thotë se vlera e tregut të kanabisit në Europë është 24 miliardë euro. Pjesa më e madhe janë nga Shqipëria. Nëse ecim me këtë standard, buxheti i krimit është 12 mld euro, pra 110 për qind e GDP-së shqiptare. Xhiro e kokainës për konsum vendi është 2 deri në 2.3 miliardë të tjera euro, pa përmendur të tjera aktivitete të tjera të krimit”, deklaroi ai.

Sipas Mimës, shifra të tilla tregojnë fuqinë e vërtetë të krimit dhe ekonomisë kriminale në vend. Ai thotë se edhe FMN është e shqetësuar me partneritetin publik privat.

Lini nje pergjigje