Edi shkon në Hollywood!

0
Nga Arian Galdini
Ka qenë një këngë e viteve ’80, që më kujtohet sa herë dëgjoj Edi Ramën teksa na flet live në ERTV, me kumte javore nga facebooku, apo edhe kur punon si Kryeministër që kacafytet me çdo komentues online.
Kënga titullohet “Relax” dhe e këndonin një grup që quhej Frankie goes to Hollywood ( Frenki shkon në Hollywood). Ndoshta kjo vjen ngase edhe Edi po na qeveris sikur do që të shkojë në Hollywood.
Qeverinë e ka transformuar në një megazyrë marketingu për markën Edi Rama, ndërkohë që Shqipërinë e ka bërë si një Studio të madhe nga ato të Paramount. Qeveria punon me të gjitha fuqitë për marketingun e markës Edi Rama, e në Shqipêri xhirohen të gjithë filmat e mundshëm, nga ata me kanabis e krim deri tek ata me shatërvan e Lal Er.
Çështja e kësaj qeverie është që në Shqipëri le të ndodhë gjithçka, mjafton që Qeveria të mos shqetësohet në punën e saj për të promovuar anekënd nëpêr botë markën Edi Rama.
kaq e fokusuar është Qeveria në këtë objektiv, saqë gjithçka që ndodh në vend i duket si difekt skriptesh, aktorësh dhe regjizorësh.
Si mundet që “banorët” e Studios Shqipëria, ti bien në qafë e të pengojnë a gjykojnë punën e Qeverisë si Zyrë Marketingu për markën Edi Rama? Aq më keq akoma, si munden ata të guxojnë të gjykojnë a ti kërkojnë llogari vetë markës?
Edi Rama mund të dalë me çitjane, me atlete, si zdroms a si llazore, por nuk mund të kuptohet dot nga ne, se ai është marka. Edi Rama mund ti bjerë defit e mund të hapë ekspozita pikture, mund edhe të përgatisë jetën e tretë si stilist, e ne përsëri e kemi të pamundur ta kuptojmë e aq më pak ti kërkojmë  llogari, sepse ai është marka.
Në Studio Shqipëria,  nuk po xhirohen filma por jeta e vërtetë është e mbytur me mafia, kanabis dhe krim, e marka na thotë se Ministri me patentë skafi është djalë i mirë se ka ëndërr edhe ai të shkojë në Hollywood.
Në Studio Shqipëria, nuk po xhirohen filma por jeta e vërtetë është e zhytur në mjerim e pashpresësi tronditëse, dhe marka na thotë  se fajin e kemi vetë që nuk shohim ERTV e nuk  i bëjmë ‘like’ atij në facebook. Në Studio Shqipëria, nuk kërkojnë më punë por rrugë për tu sikterisur nga ky vend, dhe marka na ngrefoset se ka stil e shije
E plaçkisin këtë vend, e me paratë e vjedhura bëjnë si fashionista dhe sillen a thua se janë banorë të Beverley Hills, e jo të njërit prej vendeve më të varfra në Europë.
Nuk kanë punuar asnjë ditë në privat, nuk kanë asnjë talent, biznes, provë apo sprovë që ti kenë fituar paratë me zotësi e kreativitet. Kanë punuar vetëm në parti dhe shtet.
Kanë hyrë në politikë si skamnorë e sot ndërrojnë veshjet e modës së lartë disa herë në ditë, e në çdo dalje televizive e shpenzojnë para pafund për qoka, sajdisje, begenisje, harlisje, gala, bamirësi e gjithëfarë trilli prej ylli hollywoodi, derisa u duket vetja si të pikuar nga qielli.
Duke sunduar mbi popullin më të varfër të Europës, duke e plaçkitur pa pikën e mëshirës këtë vend e këtë popull, këta kanë krijuar oazet e tyre të Parajsave Elitore, ku gëlon një jetë e shfrenuar prej pasunarësh që shqetësohen vetëm nëse nuk duken aq të pasur sa duhet mes njëri-tjetrit.
Hynë në politikë si çuna tirone, e qëndrojnë në politikë si çuna hollywoodi.
Prandaj bëjnë sporte të rrezikshme, hidhen me parashuta e marin patenta skafesh e avionësh, sepse u duket sikur pasuria e tyre ua lejon gjithçka. Kanë zero ndërgjegje përballë popullit të tyre, e zero vetëdijësim për pasurinëne vënë duke bërë plaçkë mbi shtetin, vendin e popullin e tyre.
Mburren se kanë stil e shije. E nuk u bën fare përshtypje e vërteta se këta nuk janë gjë tjetër veçse një qeverisje e mafias estetike. Janë një tufë hajdutësh e plaçkëbërësish që pasurohen e harlisen vetë duke shtrydhur e grabitur popullin e tyre të varfër.
Qeverisja e çunave të tironës që jetojnë si çuna hollywoodi, përpiqet që ta shesë të bukurën dhe estetikën si ankth që magjeps të varfërit e dëshpëruar e mbulon realitetin me kanabis, krim dhe mjerim. Qeverisja e mafias estetike ka gjasa tê na vjedhë edhe kohën nëse ne tregohemi të duruar.
Popujt që durojnë qeverisjet e këqija për shkak të shijeve estetike që kanë qeverisësit, përfundojnë në një të ardhme të shëmtuar. Prej kësaj them se kjo qeverisje nuk duhet duruar më. Kujt ka vendosur ta durojë këtë qeverisje të mafias estetike do kujtoj vetëm refrenin e këngës së kënduar nga Frankie goes to Hollywood e që u bë hit në vitet ’80.
Relax, don’t do it. Qetësohuni dhe mos e bëni…
Mos e duroni më këtë qeverisje. Mos ta lejojmë më Edi Ramën që ta përdorë qeverinë tonë si Zyrë Marketingu për veten e tij. Ky duhet rrëzuar…

Lini nje pergjigje