Drejtuesja e “Mos i fol shoferit”/Rudina Dembacaj flet për garën në “Dance With Me”, rolin në teatër dhe jetën përtej aktrimit

0

Intervistoi: Irini Meçe

Me Albi Nakon ne kalojmë më shumë kohë, takohemi çdo ditë në Dance. Më është dukur sikur e njoh prej kohësh. Ka shumë batutë, është personazh. Valbona si bora e malit. Robert Alia është qershia mbi tortë”

 Ajo është një personazh plot pozitivitet, energjike dhe me sens humori. Publiku i gjerë më së shumti e identifikon për rolet e saj të spikatura si ‘Jozefina’ apo ‘Aja’. Por ajo ka treguar se mund të futet nën petkun e çdo personazhi për ta interpretuar dhe këtë e realizon mjaftueshëm bukur. Po flasim për aktoren e njohur të humorit Rudina Dembacaj që së fundmi po e shohim të angazhuar në shumë projekte. Vetëm para pak ditësh është bërë pjesë e konkurrentëve të spektaklit të kërcimit ‘Dance With Me’, e cila po sfidon veten me kërcimin ku po na tregon një profil të panjohur të aktores. Por aktrimi për të mbetet dhe arma e saj më e fortë. Rudina është ngjitur për herë të parë në skenën e teatrit në Fier me komedinë ‘Boeing Boeing’, vepër kjo e dramaturgut francez Marc Camoletti. Ndërkohë ajo drejton edhe emisionin ‘Mos i fol shoferit’. Por si arrin Rudina t’i menaxhojë të gjitha këto angazhime? Aktorja e talentuar e humorit vjen në këtë intervistë për gazetën ‘Standard’ për të na folur për të gjitha projekte, por jo vetëm.

E angazhuar në spektaklin ‘Dance With Me’, në emisionin ‘Mos i fol shoferit’, në teatër, një familjare e përkushtuar. Normalisht na lind pyetja si mundeni që t’i menaxhoni të gjitha ?

Mjafton të kesh dëshirën për t’i bërë mirë gjërat që merr përsipër. Unë i dashuroj angazhimet e mia. Më kanë dhënë energji që plotësojnë njëra-tjetrën. Pastaj Aleksi, përveçse më ndihmon shumë me vajzën tonë, me jep shumë kurajo dhe motivim. Ndjehem shumë e bekuar në këtë moment të jetës time. Faleminderit Zotit!

Le të ndalemi tek të gjitha nga pak. Sapo është shfaqur premiera e komedisë ‘Boeing Boeing’ në teatrin Bylis në Fier. Si jeni ndjerë në skenën e teatrit?

E magjishme! Nuk krahasohet me show-t humoristik që kam punuar më parë. Nuk ngjajnë fare, përveç pranisë së publikut, reagimet e të cilit ma çojnë zemrën peshë. E dashuroj teatrin tashmë. Së shpejti do shfaq për publikun një monodramë. I jam mirënjohëse regjisorit Kiço Londo, që lexoi talentin te unë, më vlerësoi dhe më ftoi të jem pjesë e kësaj magjie.

Për të gjithë ata që nuk e kanë parë shfaqjen, mund të na flisni më shumë se si ka ardhur kjo komedi e dramaturgut francez Marc Camoletti në skenën teatrore për publikun shqiptar dhe për rolin tuaj?

Dy netët në teatrin “Bylis” u pritën shumë shumë mirë. “Boeing Boeing ” është farsë elegante, e shpejtë dhe me shumë humor. Aktoret e kastit, më kanë ndihmuar që unë të jepja shumë në skenë. Jemi një grup në harmoni.

Si e ka pritur publiku në Fier?

Me entuziazëm dhe me dëshirën për t’u kënaqur .

Për publikun në Tiranë kur do të jetë premiera e shfaqjes “Boeing Boeing”?

Kjo shfaqje është turne në të gjithë Shqipërinë, së shpejti do vijë dhe në Tiranë.

Rudina, më mirë një aktore në teatër apo një aktore në show televiziv? Ku e keni ndjerë dhe e keni gjetur ju veten më mirë?

Ndjehem shumë mirë në skenë, kam kimi me publikun. Reagoj në varësi të tyre dhe ndjehem e plotësuar.

Cili është roli që dëshironi të interpretoni, një rol që qëndron ende në ‘sirtarin e dëshirave’?

Çdo rol që e dua vetë e do edhe publiku. Unë jam organike, jap diçka edhe aty për aty. Nuk kam një rol si ëndërr në sirtar. Çdo rol për mua është një qenie e gjallë që jeton.

Përveçse një aktore shumë e talentuar, së fundmi po ju shohim edhe në rolin e kërcimtares dhe balerinës. Ju jeni bashkuar në gjysëm e rrugëtimit personazheve të spektaklit ‘Dance With Me’. Si erdhi ftesa për të qenë pjesëmarrëse në këtë garë kërcimi?

Ishte rastësi. Ftova Alketa Vejsiun në emisionin tim “Mos i Fol Shoferit ” dhe përgjigja ishte një ftesë për në “Dance With Me”. Më pas u takova bashkë me Alketën dhe Vera Grabockën.

Cili ka qenë mendimi jot i parë kur ju ka ardhur ftesa për të qenë konkurrente në këtë spektakël?

E kapa veten duke buzëqeshur! Nuk dija pse u ftova, ishte e vetmja e hënë që nuk e kisha ndjekur.

Si i keni ju raportet me kërcimin?

Më pëlqen shumë, por është shumë e vështirë. Po dedikohem çdo javë e më shumë.

A është një partner i mirë Iljardi dhe nëse do të kishit mundësinë më kë mund ta zëvendësonit?

Është shumë i mirë! Nuk do ta zëvendësoja.

Si janë marrëdhëniet e tua me anëtarët e jurisë?

Shumë të mira. Me Albi Nakon ne kalojmë më shumë kohë, takohemi çdo ditë në Dance. Më është dukur sikur e njoh prej kohësh. Ka shumë batutë, është personazh. Valbona si bora e malit. Robert Alia është qershia mbi tortë. Ka ekuilibër në atë juri dhe çfarëdo që shprehin është një mësim për jetën.

Le të ndalemi pak edhe tek emisioni që ju moderoni ‘Mos i fol shoferit’. Deri më tani si ka qenë për ju si eksperiencë?

Eksperiencë shumë e bukur. Tani jam shumë e frymëzuar dhe bashke me stafin tim,e kemi ndryshuar çdo ditë e më shumë. Po më kënaq dhe mua që jam shumë kërkuese ndaj vetes.

Si ka lindur ideja për të përshtatur në Shqipëri patentën e ‘Cash Cab?

M’u dha patenta “Cash Cab” nga mikesha ime Margarita Kola. Unë e shqiptarizova, i futa nota humori,e përshtata me veten.

Sa shofere e mirë është Rudina?

Schumacher fare!

Cili personazh që ka hipur në taksinë e Rudinës ka qenë më interesant për ju?

Të gjithë! Kënaqem shumë me të ftuarit.

Po ndonjë personazh i vështirë dhe që je penduar që e ke marr në taksinë tuaj?

Asnjë!

Sa kohë kalon Rudina me familjen e saj?

Jo shumë, por është koha më cilësore e ditës time. Unë jam 100% e përkushtuar Aleksit dhe Vikit.

Ndonëse Viktoria është ende e vogël, ju keni krijuar ëndrrat dhe dëshirat për vajzën tuaj se ku do dëshironit ta shihnit?

Dua vetëm që ajo të rritet me vetëbesim, sigurisht që do jetë e realizuar .

Do ja sugjeronit Viktorias aktrimin?

Po! Është profesion me shumë emocion.

Rudina ju kemi parë një personazh që pothuajse di t’i bëj të gjitha mjafton që të marr në dorë një projekt. A ka diçka, një pasion apo talent që publiku akoma se ka zbuluar nga ju?

Jam astronaute (qesh). Po patjetër që ka. Unë surprizohem shpeshherë nga vetja. Edhe publiku duhet të presë surpriza.

Lini nje pergjigje