Replikë me Alfred Pezën:Pakti ka vdekur, intriga ka mbetur!

0

Nga Arian Galdini

Me Fred Pezën njihemi prej vitesh. Jemi miq të palëkundshëm dhe kjo është përtej arsyeve e shkaqeve politike.
Kjo është edhe arsyeja pse e lexoj me vëmendje e ëndje sa herë ai shkruan, gjithçka që shkruan.

Sot po lexoja rradhitjen e zhdërvjellët të mendimeve e gjykimeve të Fredit mbi ekzistencën e një Pakti të ri sekret e më të sofistikuar Rama – Basha.
Në pak fjalë sipas analizës e madje edhe dëshmisë së Fredit, ky pakt i ri ka si mbështjellë pergamenën ku me shkronja të kodifikuara shkruhet: Berishēs ti hiqet vështrimi…

Këtu më duhet të ndërhyj sepse jam ndoshta i vetmi që kam shkruar e jam deklaruar para, gjatë e pas Paktit të 17 – 18 majit, se unë si njëri ndër aleatët e Lulzim Bashës, isha, jam e mbetem kundêr atij Pakti.

Kam shkruar gjerë e gjatë për konsensusin negativ të elitave dhe efektet bjerrëse dhe shkatërimtare për demokracinë, lirinë dhe zhvillimin e vendit tonë prej këtij konsensusi, përfshirë edhe paktin e fundit të 17 – 18 majit.

Por sot jemi në kushte të reja.

Nuk ka e nuk do të mund të ketë më asnjë pakt të ri apo fuqizim a riaktivizim të paktit që tashmë ka vdekur mes Ramës dhe Bashës.
Edhe sikur të duan të udhëheqësit të mbajnë gjallë ndonjë grimcë të atij pakti, ata nuk munden më.
Këtë e them dhe e shkruaj me përgjegjësi dhe modesti njëkohësisht, si Kryetar i LDE, si aleat e kritik i fortë i Bashës, por si njeri me njohje, miqësi dhe akses jo edhe aq të papërfillshëm në Perëndim.
I vetmi Pakt në fuqi që sapo ka nisur të zbatohet në Shqipëri, është Pakti i ri i Perëndimitt.
Rama dhe Basha, nuk mund e nuk do të mund të kenë më asnjë Pakt bashkë, sepse të dy janë në sfidë e garë për tu bërë pjesë e Paktit të ri të Perëndimit.
Ose do jenë bashkë e për rrjedhojë jashtë a kundër Paktit të Perëndimit, ose do luftojnë ashpër për të parë se cili prej tyre do tia arrijë ta fitojë indulegjencën e Paktit të Perëndimit.
E vërteta është se Pakti i Perëndimit, do të sjellë zemëratën dhe rrufetë e të gjithë miqve dhe dashamirësve të shqiptarëve në Perëndim, kundër të gjithë zullumqarëve që e kanë sunduar duke e plaçkitur dhe duke e zhytur në dekadencë të pandalshme Shqipërinë.

Nuk ka më asnjë pakt e asnjë ujdi me konsensus negativ mes udhëheqësve tanë, që të mund të ndalë, pengojë a devijojë Paktin e Perëndimit.

Edi Rama dhe Lulzim Basha e dinë këtë shumë mirë, ndaj edhe e kanë vrarë vetë me duart e tyre, Paktin e tyre.

Çështja tani shtrohet se cili prej tyre do të arrijë të meritojë të pranohet si Partner i Paktit të Perëndimit.

Sipas meje, me apo pa dijeninë e tij, me apo pa meritën e tij, si një pokerist i mirë, Lulzim Basha pranoi të humbiste në 17 maj, kur kishte dorë fituese.
Sot i ka të gjitha shanset të fitojë, edhe pse duket sikur ka dorë humbëse.

Edi Rama gaboi rëndë me lakminë e tij për të fituar vetëm. Dhe ja ku tepsia i mbeti atij në dorë vetëm me kanabisin dhe krimin e timoni i ka marë drejtimin e theqafjes.

Për Perëndimin, Edi Rama është thjesht një histori e keqe e qeverisjes së mafias estetike në Shqipëri.
Si i tillë, nuk ka më të ardhme…
Duhet e do të bjerë shpejt.

Arian Galdini

Lini nje pergjigje