Garda e Republikës merr në mbrojtje anëtarët e Komisionit të Vettingut

0
311

Në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave, u vendos që institucioni dhe anëtarët e Komisionit të Vettingut do të merren nën mbrojtje nga Garda e Republikës.

Sipas vendimit të sotëm të mbledhjes së qeverisë, edhe kryeinspektori i ILDKPI-së, do të mbrohet nga garda e republikës.

Ja vendimi i qeverisë:

RUAJTJEN DHE MBROJTJEN E ANËTARËVE TË INSTITUCIONEVE TË RIVLERËSIMIT KALIMTAR TË GJYQTARËVE  DHE PROKURORËVE, TË PERSONELIT VENDAS DHE NDËRKOMBËTAR, TË OBJEKTEVE KU USHTROJNË VEPRIMTARINË, SI DHE INSPEKTORIT TË PËRGJITHSHËM   TË INSPEKTORATIT TË LARTË TË DEKLARIMIT DHE KONTROLLIT TË PASURIVE DHE KONFLIKTIT  TË INTERESAVE, NGA GARDA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjave “c” e “ç”, të  nenit 4, të ligjit nr.8869, datë 22.5.2003, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Garda e Republikës së Shqipërisë të ruajë dhe të mbrojë, me truprojë/shofer (nënoficer), si më poshtë vijon:

a) Kryetarin dhe komisionerët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit;

b) Kryetarin dhe gjyqtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit;

c) Komisionerët Publikë;

ç)  Vëzhguesit ndërkombëtarë të emëruar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit;

d) Inspektorin e Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave.

2. Garda e Republikës së Shqipërisë të ruajë dhe të mbrojë objektet (mjediset e punës), ku ushtrojnë veprimtarinë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, Komisionerët Publikë dhe vëzhguesit ndërkombëtarë të emëruar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.

3. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Garda e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here