Drejtori i shkollës, halli më i madh i shkollës shqiptare

0

 

Loading...

Nga Dr. Ndriçim Mehmeti

Nisma më e fundit në arsim e strategut kryeministër, ishte “zëvendësimi i 300 drejtorëve të paaftë, me 300 mësues që dolën mirë apo shumë mirë në testimin e tyre profesional”. Përtej shumë pikëpyetjeve që ngriti kjo nisëm, Ministria e Arsimit, nuk ngurroi që të vë në jetë brenda dy ditësh. Përgatiti infrastrukturën, kutitë e votimit gjithë gjindjen e arsimit dhe i hapi rrugë votimit “demokratik” me pyetjen e thjeshtë: E doni drejtorin apo jo?

Por çfarë thotë ligji 69/2012 “Për arsimin parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, në lidhje me zgjedhjen/emërimin e drejtorit të institucionit arsimor?

 Neni 55: Emërimi dhe shkarkimi i drejtorit të institucionit arsimor. 1. Drejtori i institucionit arsimor publik emërohet nga titullari i njësisë arsimore vendore përkatëse, pas propozimit të dy kandidatëve që vlerësohen me konkurrim të hapur nga komisioni i vlerësimit. Komisioni përbëhet nga një përfaqësues i njësisë bazë të qeverisjes vendore, kryetari i bordit të institucionit, kryetari i këshillit të prindërve të institucionit dhe dy mësues të institucionit arsimor të zgjedhur nga këshilli i mësuesve. Njëri prej dy mësuesve, me përvojën më të gjatë në atë institucion arsimor, drejton komisionin e vlerësimit. Procedurat për emërimin dhe/ose shkarkimin e drejtorit të institucionit përcaktohen me udhëzim të ministrit. 2. Kandidati për drejtor i institucionit arsimor duhet të ketë të paktën kategorinë “mësues i kualifikuar” dhe të mos bëjë pjesë, pas emërimit, në forumet drejtuese të partive politike. 3. Titullari i njësisë arsimore shkarkon drejtorin e institucionit arsimor publik për shkelje të dispozitave të këtij ligji dhe akteve të tij nënligjore, shkelje të etikës e të sjelljes në institucion, si dhe për mosrealizime të institucionit.

Udhëzimi nr. 57 datë 12.11.2013, i firmosur nga ministrja Nikolla parashikon këto raste kur drejtori shkarkohet apo i ndërpritet marrëdhënia e punës: “Mbarimi i marrëdhënies se punës se drejtorit

parauniversitar, behet kur: a) jep dorëheqjen: b) Mbush moshën e pensionit; c) Behet i paaftë për kryerjen e detyrave për shkaqe fizike ose mend ore; c) Dënohet me vendim te formës së prerë të gjykatës: d) Merret masa disiplinore e largimit nga puna.

Rastet e shkarkimit te drejtorit te institucionit publik te arsimit parauniversitar 1. Titullari i njësisë arsimore vendore shkarkon drejtorin e një institucioni publik të arsimit parauniversitar në rastet e shkeljeve flagrante, ose kur ka një vendim të formës së prerë ndaj tij nga gjykata kompetente për rastet e mëposhtme: a) Ka falsifikuar dokumente zyrtare; b) Ka nxitur vartësit e tij të falsifikojnë dokumente zyrtare; c) Ka ushtruar dhunë fizike ndaj nxënësve ose punonjësve te institucionit; c) Ka ngacmuar seksualisht nxënës ose punonjës te institucionit; d) Ka përvetësuar fonde financiare ose materiale te institucionit; e) Ka organizuar kurse me pagese me nxënësit që mëson dhe me nxënësit e shkollës së tij. f) Ka organizuar kurse me pagesë me nxënës jashtë shkollës së tij, kur nuk është i licencuar për të ushtruar këtë veprimtari private; dh) Ka marre ryshfet; g) Ka bërë deklarate të rreme në procesin e aplikimit. h) Ka ndërhyrë në përzgjedhjen e teksteve nga mësuesit e institucionit.

Ligji nuk flet në asnjë pikë të nenit 55 për shkarkimin ose mbajtjen në punë të drejtorit pas marrjes së pëlqimit, mendimit apo votimit të mësuesve. Nuk kemi asnjë udhëzim të ri të  ministrit të arsimit, për ndryshim të proceduarve të zgjedhjes apo shkarkimit të mësuesve. Nuk kemi asnjë situatë emergjente, për të fokusuar vëmendjen tek drejtorët e shkollës. Nuk ka asnjë model të ngjashëm rreth nesh apo më larg, që të kryeministri urdhëron largimin e drejtorëve të shkollës dhe Ministria e Arsimit ndërmerr veprime të kundra ligjshme, për të përmbushur tekat e kreut të qeverisë.

Po kush i vuri në krye të shkollave këta 300 drejtor të paaftë?

Të gjithë u komanduan dhe disa syresh fituan edhe konkursin, por më parë shumica prej tyre, kishin miratimin e kryeministrit ose të eminencave të tij,  në rreth, deputetet, prefektë, kryetar partie apo bashkie. Tani kryeministri mund t’i shaj e t’i mallkoj sa të dojë por ai vetë u kujdes që të zgjidhnin me kujdes, njerëzit që kishin dhënë më shumë gjatë fushatës, ishin militantë, sponsorizues, apo grumbullues votash të devotshme të PS-së. Po ashtu më kot rreket t’ia hedhë fajin LSI, për drejtim të paaftë të shkollës. Partia e kryeministrit e mbolli paaftësinë e drejtorëve të shkollës, që kur u betua se do të bënte konkurrim dhe nuk bëri asnjëherë një të tillë, kur ka ende drejtues Drejtorish Arsimore që rrinë në krye të detyrës, të komanduar, kur ka drejtues të Zyrës Arsimore, që kanë dalë në pension prej 3 vitesh e më shumë. Me bekimin e kryeministrit dhe vendim të ministrit të arsimit, nen kujdesin e veçantë të këshilltarit të ministres së arsimit, u hap shkolla e drejtorëve, ku brenda gjashtë muajve, bëhesh drejto me 18 kredite. Kjo bëri që të mbyllej “Materi për drejtim arsimi”, pasi të gjithë vërshuan tek shkolla e drejtorëve, që të kujton shkollën e partisë në kohë të shkuara. Pra infrastrukturën, zgjedhjen dhe lënien në detyrë të drejtorëve të paaftë është bërë me dijeninë, investimin dhe legalizimin e qeverisë së Rilindjes si dhe më konkretisht nga kryeministri dhe njerëzit e besuar të tij.

Pse kërkon kryeministri “kokën e drejtorëve” të shkollës?

Ka disa arsye: Së pari kërkon të mbikëqyri të gjithë jetën arsimore përmes komisarëve politik, që do të quhen gabimisht drejtorë të institucionit shkollor; Së dyti: Në mungesë të plotë të ndonjë arritje me vlerë në arsimin shqiptar kërkon të tërheqë vëmendjen dhe ta zhvendos të gjithë debatin mbi gjendjen e mjerueshme të arsimit, tek zgjedhja e drejtuesve të shkollave; Së treti: Kërkon të formalizojë nga pikëpamja ligjore, emërimin e drejtuesve të shkollës, vetëm të atyre personave që kanë përfunduar apo do të përfundojnë shkollën e drejtorëve, ose që fare mirë mund të quhet akademia e drejtorëve të PS-së.; Së katërti kërkon të ngrejë struktura të qëndrueshme politike brenda shkollës që do t’i rezistojnë kohës edhe kur të mos jetë në pushtet.

Si mund të zhbëhet i gjithë ky sistem antiligjor në arsim?

Rruga më e sigurt do të ishte bojkotimi i votimeve për të vendosur nëse drejtori është burrë i mirë apo ai i duhuri për institucionin arsimo. Kjo nuk ndodhi dhe me shumë gjasë nuk pritej që të ndodhte. Një tjetër rrugë do të ishte një demonstrim nga sindikata kundër kësaj paligjshmërie dhe “vënies në resht të mësuesve” vetëm për të plotësuar një tekë të kryeministrit. Zëri opozitar në parlament, forume me grupe interesi, nisma ligjore të qenësishme është po ashtu një rrugë që nuk duhet lënë mënjanë dhe anashkaluar.  Nëse nuk ndodh asgjë, atëherë me siguri nisma e radhës do të jetë që lagja të vendosi nëse i duan mësuesit të punojnë në shkollë, apo shkolla të kthehet në kazino, se nuk na duhet për gjë.

Është koha për të ulëritur dhe ndërmarrë veprime aktive të fuqishme, se po fole me zë të ulët, nuk të dëgjon askush.

Loading...

Lini nje pergjigje