“Çifti i Çuditshëm” në Teatrin Kombëtar, Inis Gjoni: Kompromisi, një e keqe e domosdoshme për të krijuar një bilanc shoqëror

0
308

Intervistoi: Irini Meçe

“Çifti i Çuditshëm” nga autori Neil Simon është një nga komeditë më të famshme amerikane të 50 viteteve të fundit. Thjeshtësia dhe mënyra e jashtëzakonshme e dhënies së një mesazhi universal dhe njerëzor është pikërisht ajo çfarë e ka ngacmuar regjisoren Inis Gjonin për ta ngjitur në skenën e Teatrit Kombëtar për publikun shqiptar. Shfaqja na sjell një tablo humoristike, karaktere të zakonshme në plan të parë ,të cilët janë jashtëzakonisht të papajtueshëm mes tyre. Një shfaqje që duket se në thelb ka komedinë, por pikërisht nëpërmjet batutave me humor shumë inteligjent trajton dinamikën e marrëdhënieve njerëzore. Ngjarjet e vendosura në Shtetet e Bashkuara kanë pothuaj të njëjtin kuptim dhe në Tiranë. Çfarë ndodh me burrat pasi divorcohen?  Është pikërisht ajo çfarë publiku do të shoh në këtë shfaqje, duke kuptuar në fund që asnjë njeri nuk mund të qëndrojë vetëm. Regjisorja Inis Gjoni ka menduar që ky ‘çift i çuditshëm’  të interpretohet nga aktorët e talentuar Gentian Zenelaj dhe Romir Zalla. Dy njerëzve të ndryshëm nga njëri – tjetri, që mësojnë të jetojnë së bashku ,në mungesë të harmonisë, tolerancës dhe kompromisit,duke sjellë nje bashkejetesë “jo të pazakontë për ne” por që në fund është e destinuar të mos funksionojë. Shfaqja, premierën për publikun shqiptar e pati ditën e enjte në orën 19:00, e cila do të vazhdoj të jepet ditën e premte, të shtunë dhe të diel në Teatrin Kombëtar. Në këtë intervistë për gazetën ‘Standard’ Inis Gjoni vjen për të folur më me detaje rreth shfaqjes.

Keni ngjitur në skenën e Teatrit Kombëtar një nga komeditë më të suksesshmë ‘Çifti i Çuditshëm’. Çfarë ju ka ngacmuar ju nga kjo vepër që i thatë ‘Po’ do e ngjis në skenën e teatrit për publikun shqiptar?

E para është tema, dinamikja e marrëdhënieve njerëzore. Është një vepër shumë konkrete, shumë aktuale dhe prek shumë elementë të jetës. Është gjithëpërfshirëse. Nga ana tjetër, më pëlqen shumë se është shumë e goditur. Kompromisi dhe toleranca është bërthama e shoqërisë dhe se pa kompromisin dhe tolerancën, dinamika e marrëdhënieve njerëzore do ishte shumë më e ashpër nga çka është. Pa tolerancën dhe kompromisin, familja nuk do të funksionojë, shoqëria, biznesi, martesa etj. Pra çdo gjë sociale vërtitet rreth këtyre termave. Nga ndërtimi psiqik, individual dhe shoqëror e kemi të ndërtuar jetesën në bazë të bashkëjetesës. Dhe në këtë kuptim ne nuk mund të jemi të ndryshëm. Kompromisi është një e keqe e domosdoshme e shoqërisë sonë për të krijuar një lloj bilanci shoqëror.

Kjo është një vepër që realisht duket komike dhe sjell argëtim tek publiku, por në të vërtetë ngre shqetësime shumë të vërteta në raport me shoqërinë dhe me individin. Ndër të tjera, mesazhi i kësaj vepre  dhe ajo çka mua më ka pëlqyer më shumë është që: problemi është individi dhe zgjidhja është po prap individi. Nëse marrim personazhin e Feliksit, që është një person i ngurtë përballë kompromisve, refuzon të hyjë në kompromis duke mos toleruar dhe duke mos u përshtatur, ai nuk është asgjë tjetër përveçse një ishull i vetmuar. Dhe si një njeri që është i vetmuar, kjo botë nuk i mjafton. Dhe kjo pamjaftueshmëri është asgjë dhe kjo asgjëja nuk të çon gjëkundi. Ky është konflikti kryesor i veprës dhe ndryshimet e mëdha nisin po prap nga vetvetja. Kështu që gjithmonë duhet ta shohim problemin tek vetvetja. Shpeshherë njerëzit kanë frikë për t’u ndryshuar dhe kjo vepër jep dhe mesazhe të tjera: Që ti duhet të ndryshosh, ti duhet të guxosh për të parë rrugë të reja, rrugë që ne shpeshherë i njohim dhe kemi frikë ti pranojmë me peshën e frikës që të mos shkojmë drejt të panjohurës, apo edhe rrugë të cilat ne i dimë, por që nuk i kemi pranuar me dilemën që jam më mirë këtu dhe nuk duam të lëvizim nga pellgu i rehatisë. Dhe në këtë mënyrë, nuk ka sesi një njeri të marr në dorë fatet e jetës së tij pa lëvizur.  Por nëse ti nuk largohesh nga bregu, nuk mund të zbulosh oqeane të reja.

Ka shumë gjëra që më tërheqin në këtë vepër sepse merret me thelbin dhe boshtin njerëzor duke u degëzuar pastaj në marrëdhënie shoqërore dhe pse këto marrëdhënie shoqërore nuk funksionojnë. Çiftet sot edhe pse nuk shkojnë mirë, siç është edhe rasti konkret i shfaqjes, s’bëjnë gjë tjetër veçse zotojnë hapësirat e njëri-tjetrit. Gruaja kërkon të bëhet ashtu siç thotë ajo dhe burri kërkon të bëhet siç thotë ai. Kjo është thjesht një situatë konfliktuale që nuk mbaron asnjëherë.

Sa kohë ju është dashur ju që të merreshit me studimin e kësaj vepre dhe për ta ngjitur në skenë?

Veprën kam një vit e gjysëm që e kam në dorë. Kam gjashtë muaj që po e analizoj, bëj kërkime mbi autorin. Duket sikur është një punë që mund të bëhet shpejt, por në momentin që mendon se do e ngjitësh në skenë, ajo vepër duhet bërë fije-fije, gërmë më gërmë, i mendon të gjitha personazhet, karakteret, mënyrën e të luajturit etj. Kjo pothuajse më merr rreth 6 muaj kohë. Pastaj është periudha tjetër rreth një muaj e gjysëm ose dy muaj që ti e shpall platformën tënde përpara aktorëve dhe nis puna konkretisht. Është një punë shumë voluminoze.

Mund të na flisni rreth konceptit tuaj regjisorial dhe sa ‘besnike’ i keni qëndruar ju veprës së autorit?

Në përgjithësi unë në të gjitha veprat që kam vendosur kam atë tendencën që të përshtas momente të caktuara të dialogut.  Në tërësinë e saj, në çdo skenë dhe në çdo copëz, ka ndryshime regjisoriale sepse unë i shikoj të nevojshme, por nuk shtrembëroj absolutisht boshtin që autori i ka vendosur, sepse më pas do të quhej një vepër tjetër dhe jo ajo. Dhe sigurisht aty është kënaqësia ime si Inis, si regjisore që të fus konceptin tim regjisorial dhe në bazë të konceptit unë arrij të drejtoj dhe të gjitha ndryshimet që më duhen në raport me veprën.

Për ta ngjitur në skenë këtë vepër keni përzgjedhur aktorët Romir Zalla, Gentian Zenelaj, Rozana Radi, Annais Lika, Besmir Bitraku, Ervin Bejleri dhe Mehmet Xhelili…

Përzgjedhja e aktorëve është një fazë shumë e rëndësishme, por edhe një fazë shumë e lodhshme gjithashtu. Pasi duhet të gjesh njerëzit e duhur që në radhë të parë duhet të jenë puntorë, sepse unë jam me parimin që me më pak talent dhe shumë puntor është më mirë sesa me shumë talent dhe të papërgjegjshëm. Përzgjedhja e aktorëve ka ardhur edhe duke iu përshtatur roleve dhe them që kam bërë zgjedhjen e duhur dhe kam marr një lloj feedback-u.

Po vajza juaj e ka ndjekur shfaqjen?

Në natën e provës gjenerale e kemi ndjekur bashkë atje tek pulti dhe kam qenë pafundësisht e kënaqur.

A keni vënë re tek ajo ndonjë prirje dhe dëshirë rreth artit dhe dëshironi ju që ta shihnit si aktore apo si regjisore?

Sigurisht që jam nga ata prindër që dëshirat që kanë fëmijët të mos i frenojmë , por t’i cojmë përpara. Pavarësisht preferancave të mia që unë nuk kam dëshirë që Coco të merret me art, ajo ka talent të paparë për balet dhe jam shumë e ftohtë në këtë aspekt kur e gjykoj. Gjë që të cilën do e mbështes sigurisht nëse ajo do të vazhdoj ta dojë tamam.

Pas kësaj shfaqje, ku do e shohim Inisin më vonë?

Kam një projekt që është shumë ambicioz. Kam një vepër që dua të punoj që i përket teatrit ekzistencial, por nuk dua të zbuloj akoma aktorët. Por sigurisht që do merrem me teatër.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here