FENOMENI TAHIRI

0
329

NGA AVOKAT BRIKENA BOGDO

“Të kapësh politikën, e dini çdo të thotë? Pushtet absolut – thoshte përpara disa vitesh Pablo Escobar, narko-terroristi kolumbian. Pushteti i shtetit, plus pushtetin  e drogës, baraz pushtet absolut, ishte motoja e tij. Escobari e tentoi politikën dhe ia arriti që të jetë për dy vjet deputet, duke realizuar pushtetin absolut.

Si e arriti politikën? Për këtë qëllim, do të ideonte ngritjen e një lëvizje politike krejt të tij? Nuk i volitej gjithë kjo energji. Sipas këshilltarëve të tij, thjesht duhet, të fitonte mbështetjen politike të një politikani të rëndësishëm, apo personi me ndikim në politikë. Kjo strategji funksionoi. Arriti të jetë transportuesi më i madh i Kokainës drejt SHBA-së, (80% e kokainës për në Amerikë, transportohej nga Escobar).

Të ardhurat e tij, siç kanë përllogaritur, arritën në 21.9 miliardë dollarë, në vit. Njeriu që fitonte 440 milion dollarë në muaj dhe që vdiq 44 vjeç, mos vallë fat dhe fatalitet kishte numrin 44?  E keqja i erdhi nga frika e tij më e madhe, qeveria amerikane. “Më mirë një varr në Kolumbi, se sa një qeli në Amerikë” – shprehej ai. U zgjodh deputet në vitin 1982, por nuk zgjati më shumë se dy vjet, pasi u ngritën në protesta popullore kundër tij, si dhe një fushatë që ia paraqiti veprimtarinë kriminale. Ministri i Drejtësisë që paraqiti këtë fushatë u gjend i vrarë. Escobar kishte urdhëruar vrasjen e 4000 njerëzve, përfshirë edhe rrëzimin e një avioni me 100 të pafajshëm. Në vitin 1991, Escobar iu dorëzohet autoriteteve, por vetëm pasi mbaroi së ndërtuari burgun ku do të qëndronte i mbyllur, me të ardhurat e tij. Në këtë pseudoburg kishte sauna, klube nate, ujvara, fushe futbolli, pa llogaritur telefona, kompjutera, fakse. “Mirse vini në Escobar-burg-parajsë”.

Megjithatë autoritetet kolumbiane urdhëruan largimin drejt një burgu tjetër, pasi në atë parajsë-burg, të skicuar vetë, ai po vazhdonte të kryente vrasje. Pas këtij vendimi arratiset, por pa shpëtim, pasi me ndihmën e SHBA-së, vritet nga policia, në vitin 1993. Ishte pikërisht ndihmesa e qeverisë amerikane që zhduku këtë kryeterrorist të drogës, pasi u shndërrua në një fenomen të rrezikshëm.

Të heqim një paralele me Shqipërinë. Tahiri nuk është individ, është fenomen, ai i drogëzimit të Shqipërisë, “pushtet shteti, plus pushtet droge, baraz pushtet absolut”. Amerika i është kundërvënë prej shumë kohësh këtij individi, pasi u shndërrua në fenomen.  Të mbrosh Tahirin tregon  kapjen e politikës nga ‘fenomeni Tahiri”, apo strategjia e mirëfilltë e Escobarit.  Të bllokosh parlamentin, të devijosh tagrin e saj, nga juridik, në atë politik, për të mos u arrestuar Tahiri, vërteton që “fenomeni Tahiri” ka kapur politikën. Masën e sigurisë për arrest e vendos gjykata, jo parlamenti.

Në pikën më të nxehtë, kur po flasim për reformën më të thellë në drejtësi, pushteti i shtetit, plus pushtetin e drogës, është absolutizuar më shumë se kurrë, dhe është varësuar më shumë se kurrë, nga krimi.

Çfarë do të thotë, të të të kundërvihet Amerika? Të kthehemi në kohë, në vitin e rëndë 1997. Prej kohësh diskutohej, nëse do të goditeshin firmat piramidale nga qeveria e asaj kohe. Çdokush shfaqej i qete, pasi mendonte: “Nuk i rrëzojnë firmat piramidale, pasi bie shteti”. Fenomeni “firma piramidale”, që kishte pushtuar çdo qelizë të shtetit shqiptar, vazhdonte i qetë të fryhej me djersën e shqiptarëve, pa u prekur nga autoritetet politike.

Megjithëse qeveria e asaj kohe nuk i goditi firmat piramidale, me frikën e rrëzimit të vetvetes, përsëri ato u shkërmoqën, duke shkërmoqur krejt shtetin. Si të goditeshin firmat piramidale nga qeveria, si të mos goditeshin këto firma, shteti do të shkërmoqej, pasi problemet ishin përshkallëzuar në fenomene shtetshkatërruese. Qeveria e atehershme nuk arriti të shmangë, as rënien piramidale, as rënien e shtetit.

Diskutimi më i nxehtë i këtyre ditëve, është: A do burgoset, apo jo individi Sajmir Tahiri. Kjo tashmë nuk ka më rëndësi, si në vitin ‘97. Si të burgoset, si të mos burgoset, problemet janë shndërruar në fenomene, që do të vetëshkatërrojnë pushtetin absolut. Dilema aktuale duhet të spostohet. Do të godasim “fenomenin” Tahiri, apo nuk do ta godasim? Do t’i biem pushtetit absolut? Do t’i biem politik-bërjes absolute? Do t’i biem kriminializimit të politikës? Do t’i biem pushtetit absolut të drogës?

Rama në mbledhjen e qeverisë vendosi që të mos e godasë, ashtu si në vitin e mbrapshtë ’97, qeveria e atëhershme, vendosi të mos godasë firmat piramidale, pasi binte shteti. Por, Rama nuk po kupton diçka, tepër të thjeshtë, që qeveria amerikane pati fuqinë të zhdukte Escobarin e madh, me të ardhura miliarda dollarëshe, ndëtkohë e ka shumë më të lehtë me Escobarët e vegjël të Ballkanit. Si në rastin e goditjes së fenomenit, si në rastin e shmangjes së goditjes së këtij fenomeni, siç po ndodh, (parlamenti nuk do e lejojë, sipas të gjitha gjasave, arrestimin e Tahirit), përsëri do të përfshijë uragani, që do të fundosë politikën shqiptare.

Nëse në vitin ’97, me rënien e firmave mashtruese piramidale, ra shteti, me fenomenin ‘Tahiri-drogëzimi’, bie jo vetëm Rama, jo vetëm qeveria Rama, por e gjithë politika shqiptare dhe politik-bërja e saj prej 27 vitesh. Burgu, për  pushtetarët e korruptuar në vende të tjera të Ballkanit, është një uragan që nuk mund, të mos përfshijë edhe “fanarin ndriçues”, Shqipërinë.

Uragani anti-escobarizëm-pushtet absolut, detyrimisht do të përfshijë politikën, duke shkulur me rrënjë të keqen që e ka përfshirë. Politika do të ripozicionohet. Së pari do të çdrogëzohet, së dyti do të dekriminalizohet, së treti nuk do të lejohet  të absolutizohet dhe së katërti do të jetë pushtet i pavarur.

Deri më tash politika  nuk po pranon që të pavarësohet dhe të ndëshkohet. Kryeministri ende si një zot absolut, me një ton arrogant dhe imponues, me fytyrë prepotente, cakton sa do të kontrollohet Tahiri, si do të kontrollohet dhe ku do të kontrollohet ish-ministri. Ndërkohë që çdokush, që ka shumë pak njohuri juridike e di që Parlamenti Shqiptar hap rrugën, ndërsa masën e sigurisë e vendos gjykata.

Shqipëria është në qerthull, por më e keqja është në një kurth. Nuk mund ta dënojë të korruptuarin, i korruptuari. Prandaj Vetingu rrezikon ende, që të dështojë, edhe për një kohë shumë të gjatë. Të gjithë e dimë se, në çmasë korruptimi dhe kriminalizimi është Prokuroria Shqiptare.  Sot, Prokuroria më së shumti, është një organ shantazhi i shtetasve, se sa organ i mbrojtjes së shtetasve, për sa kohë 40%, të të arrestuarve burgosen vetëm me dyshime dhe të tjerë dënohen pa iu dhënë e drejta që të mbrohen. Gjyqe penale dhe civile po zhvillohen rëndom, në mungesë.

Fenomeni Tahiri e tregoi që ende jemi larg realizimit të Vetingut, por që njëkohësisht realizimi i tij është një rrugë e pashmangshme. Me absolutizimin e pushtetit, pushteti absolut i Ramës dhe i gjithë qeverisë së tij, po përgatit burgun e vet, pashmangshmërisht.  Ideja e Escobarit për burg luksoz, nuk është fort e keqe, që ta realizojmë edhe në Shqipëri. Mbase, do t’u mbushet mendja politikanëve tanë, që të shkonin vetë në burg dhe të mos e kenë shumë frikë qelinë.

Mbase edhe fenomenit “Tahiri” do t’i volitej një qeli shqiptare, kundrejt një lëshimi arresti ndërkombëtar, të pritshëm?  Me sa duket ishte e volitshme shprehja e Escobarit, për një varr në vendin e tij, kundrejt  qelive të Amerikës. Tashmë nuk ka rëndësi, nëse qelia është lulsoze, apo jo, por rëndësi ka që do të jenë të vrarë, mbase jo fizikisht si Escobar, por politikisht. Qeveria Rama nuk e mbush vitin, e jetës, përflitet anëkënd.  Që qeveria amerikane i është kundërvënë qeverisë shqiptare, tashmë është krejt e dukshme. Por, me sa duket, zgjedhja e qelisë do të jetë alternativë për “fenomenin Tahiri”.

Ndryshe nga Escobari i Kolumbisë, që kishte mijra hektarë çifligje personale, për të vazhduar aktivitetin kriminal, eskobarët e Shqipërisë shndërruan të gjithë Shqipërinë në një çiflig, për aktivitetin e tyre. Por a janë eskobarët e shqipërisë, çifligarët e vërtetë?  Nëse të gjithë këto miliarda fitimi të drogës, i marrin për llogari të tyre, apo mbajnë vetëm një përqindje dhe shumën e majme ia kalojnë, disa çifligarëve më të mëdhenj, kjo mbetet për t’u parë në vazhdim. Një gjë është e sigurtë, që Tahiri di më shumë, se sa duhet, por njëko-hësisht është edhe peshku më i vogël, në të gjithë këtë aferë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here