Bir Selmani nënës, kë të qajë më parë, turpin e drogës apo Ty, që s’le gjë pa sharë

1

Nga Gëzim Saliu 

Kjo e sotmja ishte padyshim një ditë e sikletshme për kryeministrin Rama. Refuzimi i kërkesës së prokurorisë për ish-ministrin Tahiri dhe dalja në krah e një skeme politike që mbështet hetimin sipërfaqësor ( lejon kontrollin e shtëpisë kur kanë kaluar 7 ditë nga nisja e cështjes!!!) e detyroi kreun e qeverisë që ti rikthehej strategjisë së preferuar: Godit fort diku tjetër që të tërheqësh vëmendjen nga ajo që është cështja e ditës dhe ku për hir të së vërtetës vetë qeveria rezulton e përlyera kryesore.

Në parantezë vlen të nënvizohet se përtej vërtetësisë ose jo të akuzave ndaj ish-ministrit Tahiri, vetëm përgjimet e kryera nga antimafia italiane mjaftojnë për të konfirmuar se qeveria ka dështuar tërësisht sa i përket luftës ndaj krimit, drogës dhe korrupsionit. Bisedat mes grupit “Habilaj” për bashkëpunes të lartë në rradhët e policisë, për ndihmë të vetë oficerëvë në ngarkimin e thasëve me drogë apo edhe për trafikim të qetë të lëndës narkotike përmes rrugëve detare ( fikja e radarëve) vërteton se shteti në 4 vite ka qenë inekzistent në rastin më të mirë dhe plotësisht i implikuar në rastin më të keq.

Padyshim sulmi ndaj opozitës nuk mund të ishte një armë e vlefshme për Ramën në betejën e sotme, sic ndodh rëndom në seancat parlamentare, ku krahas akuzave dhe ironisë, kryeministri nuk kursen as fjalorin fyes. Ditën e sotme halli ishte i madh, aq më tepër që këtë javë edhe erërat po fryjnë fort në oborrin e Kryeministrisë nga partnerët ndërkombëtarë në kuadër të çështjes “Tahiri”. Në këto kushte, zgjidhja e shpejtë dhe me bujë e kreut të qeverisë ishin gazetarët, të cilët nuk e kanë për herë të parë që përfshihen në qerthullin e akuzave dhe kritikave të kryeministrit. I sapo dalë nga salla e seancës plenare, ku nuk pati rastin as t’i drejtohej opozitës pasi deputetët e pakicës u larguan sapo Rama mori fjalën, kryeministri rendi drejt gazetarëve që po prisnin në oborrin e Parlamentit. Ende pa pritur mirë pyetjen e parë, Rama nisi zbatimin e stretegjisë, duke i quajtuar gazetarët të paditur e të palexuar!.

“E kuptoni që pyetjet tuaja burojnë nga padituria, jeni kaq të paditur.. Ju flisni përçart sepse unë kam bërë gjënë që çdo kush dhe që duhet ta bëni dhe ju duke parë atë çorbë llumi që ndodhi… Ju jeni për të qarë hallin. Jeni një amplifikator thashethemesh i paparë”, pohoi Rama. Turp për të gjithë Ju dhe ëpr të gjitha ata si Ju që nuk keni kuptuar ende për cfarë bëhet fjalë dhe vazhdoni torrolisni miletin. Ti më vë në pozitë idiote me pyetjen tënde…. Ti thua se me fonde private mund ta bësh rolin e budallait sa të duash, ështe e drejta jote. ..Pyetja a jeni dakord t’i hiqet imuniteti deputetit është një pyetje idiote…”.

Këto deklaratat të dala nga goja e kryeministrit, ku fyerja dhe fjalori denigrues ndaj gazetarëve kap majën, shkojnë përtej një kundërpërgjigje të Ramës ndaj lajmeve “fake”, sic tentoi ai ta paraqiste “revoltën” me median. Është e vërtetë se media shqiptare ka jo pak probleme dhe padyshim kjo çështje meriton diskutim të gjerë, por njëkohësisht është pak dhe e sigurt se leksioni mbi standarded e gazetarisë nuk mund të vijë nga politikanët e aq më pak nga Kryeministri. Ky i fundit e ka me tonelata mungesën e standardeve si në kuadër të shtetit ligjor e demokratik ashtu edhe sa i përket dështimeve të njëpanjëshme në luftën ndaj korrupsionit, krimit e drogës. Për të mos folur më pas për mëkatet e mandatit të shkuar që nisin që me kriminalizimin e jetës politike dhe administratës e deri tek zhvatjet me koncensione.

Në këto kushte, kryeministri do kishte bërë mirë që strategjinë e tij të luftës politike ta kishte ndjekur përmes një skeme tjetër dhe jo sulmeve ndaj medias. Por edhe këtë here, Rama si në shumë raste të shkuara, kaloi nga qameti në qamet. Ndoshta për ta perifrazuar më saktë ngjarjen e sotme do ishte me vlerë t’i ktheheshim shprehjes së preferuar folklorike të kryeministrit, e cila në këtë rast mund të shndërrohej: “Bir Selmani nënës, kë të qajë më parë, turpin e drogës dhe krimit apo Ty, që s’le gjë pa sharë”.

 

1 Koment

Lini nje pergjigje