Rrëfehet 47-vjeçari shqiptar/ Më kërcënonin: ‘Paguaj ose do përfundosh i varrosur 6 metra nën tokë’.

0
179

I kërcënuar, rrahur e marrë peng. Gjithçka për një borxh prej 13 mijë eurosh. Viktima, një shqiptar 47 vjeç, gjeti guximin të tregonte gjithçka. Pikërisht nga denoncimi i tij, sot në të gdhirë karabinierët e Bërthamës Operative të Kompanisë së Palestrinës ekzekutuan urdhrin e arrestimit dhe të disa kontrolleve në Tor Bella Monaca, Albano Laziale, Nuoro e Teramo, për krimet e dhënies së fajdes, zhvatjes, plagosjes, pengmarrjes dhe zotërimit të lëndëve narkotike për katër qytetarë shqiptarë dhe një italian.

Hetimi, i koordinuar nga Drejtoria Distriktuale Antimafia e Romës, u pagëzua me emrin e koduar “Pedagogia”, për shkak të synimit për t’i dhënë një mësim të mirë grupit shqiptar dhe klimës së frikës e heshtjes që kishin futur në komunitet. Askush nuk guxonte t’u dilte kundër, aq sa viktima që më pas tregoi gjithçka, kishte përfunduar i izoluar, i braktisur edhe nga miqtë e të njohurit.

Nga përgjimet u zbulua se si banda e fajdexhinjve konsideronte veten të paprekshme, aq sa e kërcënoi me vdekje 47-vjeçarin që të hiqte dorë nga denoncimi te karabinierët.

Historia zë fill verën e shkuar, kur 47-vjeçari, me synimin për të hapur një aktivitet në Romë, iu kërkoi borxh bashkatdhetarëve të tij. Shuma e kërkuar ishte rreth shtatë mijë euro, të cilën ai do ta kthente bashkë me një shtojcë prej 700 eurosh në muaj, deri në shlyerjen e saj.

Gjithçka shkoi mirë në dy muajt e parë, kur ai pagoi në mënyrë të përpiktë, por më pas, për shkak të vështirësive ekonomike, i ndërpreu pagesat. Borxhi me fajde shkoi deri në 13 mijë euro. Borxhdhënësit nisën ta kërcënonin me vdekje, edhe të familjarëve, në telefon, deri sa e morën peng.

Banda e mori viktimën në një bar dhe e çoi në një banesë të braktisur në fshatrat e  Albano Laziale, në Pavona. Pasi e çuan atje, e lidhën në një karrige dhe e rrahën me grushta e shqelma në të gjithë trupin, duke e lënë të shkonte në banjë vetëm me këmbët dhe një dorë zgjidhur. Për tri ditë as nuk hëngri e as nuk piu dhe u rrah me një elektrik dore në kokë dhe me peshqir të lagur.

“Po nuk pagove, do të të varrosim këtu, 6 metra nën tokë”, i ulërinin pengmarrësit. I burgosuri, i shtrënguar të flinte në banjo mbi një dyshek të hedhur përtokë, me pretendimin se do të merrte në telefon një mik për t’i sjellë pará, në të vërtetë telefonoi një karabinier të Bërthamës Operative të Palestrinës, të cilit i la të kuponte se kishte nevojë për ndihmë.

Menjëherë nisi operacioni i karabinierëve, drejtuar nga kapitene Grazia Centrone, që çoi në lirimin e pengut dhe arrestimin e dy shqiptarëve nga pesëshja kriminale. 47-vjeçari kaloi 30 ditë nën kujdes mjekësor për shkak të goditjeve të marra gjatë ditëve peng.

Pas arrestimit të dy shqiptarëve nisën hetimet e koordinuara nga Drejtoria e Romës, me muaj të gjatë përgjimesh telefonike, shërbime vëzhgimi, ndjekje dhe verifikime. Gjatë kësaj kohe, pengu, i detyruar të ndryshonte disa herë vendbanim, u kërcënua për të tërhequr denoncimin.

Hetimet çuan në zbulimin e grupit kriminal, tashmë pas hekurave, me përjashtim të njërit, shqiptar, i cili është në kërkim.

Midis krimeve të pranuar, dhuna dhe kërcënimet për të detyruar shitjen e substancave narkotike ndërkohë që për njërin nga të arrestuarit është provuar se blinte marijuanë nga një numër furnizuesish për ta rishitur.

Karabinierët po hetojnë për të mësuar nëse ka të tjerë viktima si shqiptari 47-vjeçar, por klima e heshtjes në komunitetin shqiptar përbën pengesë për hetimet.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here