Imuniteti i Tahirit/ Mr. Lu dhe Mrs.Vlahutin, luftuat për reformë në drejtësi apo reformë të kryeministrit?!

0
1088

Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë Donald Lu dhe ambasadorja e BE-së në vend Romana Vlahutin, ishin dy ndër përfaqësuesit kryesorë diplomatikë që u përfshinë fuqimisht në debatin për reformën në drejtësi në vitin 2016. Ky angazhim i diplomatëve u përkthye si përmes asistencës për draftin e ndryshimeve kushtetuese dhe njëkohësisht si garantues për vazhdimësinë e reformës në drejtësi përmes zbatimit të saj. Në fakt, dy ambasadorët ishin të vetmit ( nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër të Evropës) që morën pjesë në mbledhjet e grupeve parlamentare të tri partive kryesore në vend, ku folën me domosdoshmëri për rëndësinë e miratimit të paketës shoqëruese të reformës. Po ashtu në një rast unik, vetë ambasadori amerikan përmes një letre drejtuar deputetëve, u kërkoi atyre që ta votonin reformën sic ishte drafti në atë moment ku palët kishin ende kundërshti për dy cështje, edhe nëse Partia ku ata bënin pjesë nuk pranonte atë variant. Megjithatë, pas shumë percipecish e takimesh, ku dy diplomatët gjendeshin sa në selinë e PD-së, aq edhe në Kryeministri e Kuvend, në 22 korrik u mundësua dakordësia mes palëve për draftin me ndryshime kushtetuese. Dhe është mjaft e rëndësishme të theksohet se në atë kohë gjatë firmosjes së marrëveshjes, palët politike morën angazhimin e dy diplomatëve për rolin “gardian” të tyre në vazhdimësinë e reformës në kuadër të zbatimit sa më të drejtë e të paanshëm të saj.

Por krejt ndryshe po rezulton sot ky premtim i ambasadorëve, pasi në rastin e parë kur reforma në drejtësi pati provën zyrtare, diplomatët heshtën, duke mos mbajtur asnjë qëndrim. Po flasim për çështjen e fundit të imunitetit të deputetit socialist Saimir Tahiri. Në këtë kontekst, duhet sqaruar paraprakisht se ndaj ish-ministrit të Brendshëm nuk  presupozojmë as fajësinë apo bashkëpunimin e tij me grupin trafikant të drogës “Habilaj” e as pafajësinë e tij. Për këto do të duhet të shprehet gjykata mbi bazën e provave që do t’i sjellë Prokuroria e nëse këto të fundit nuk do të rezultojnë bindëse, padyshim Tahiri do të mund të çlirohet nga çdo akuzë, ashtu sic çdo qytetar i Shqipërisë kur fiton të drejtën në gjyqësor.

Por, kundërshtia politike ndaj kërkesës së Prokurorisë për t’i hequr imunitetin një deputeti ( mbi bazën e indicieve të pakundërshtueshme), përbën në fakt shembjen e mureve të reformës në gjyqësor. Refuzimi për të përballur një ligjvënës me gjyqësorin, kushdo qoftë ai, bie ndesh jo vetëm thirrjet e panumërta të ambasadorëve për një reformë të paanshme, por mbi të gjitha me besimin qytetar për barazinë para ligjit. Vetë shembutj e mëparshëm të heqjes së imunitetit të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë ( kujtojmë se janë së paku tre raste) rrëzojnë tërësisht praktikën që po ndjek sot PS për të mbrojtur ish-ministrin.

Përpara këtyre zhvillimeve që godasin në themel reformën në gjyqësor, kryediplomatët e SHBA-së dhe BE-së në Tiranë nuk thanë asnjë fjalë. Madje këto dy ditë, ambasadori amerikan nuk ka munguar të jetë i pranishëm publikisht në Korcë, ku ka marrë pjesë në festimet për Ditën Amerikane. Por kur pritej që gjatë fjalimit të tij, Dondal Lu të mbante edhe një qëndrim lidhur me pengesat e reformës, ashtu sic kurdoherë gjente rast të fliste në 2016-ën për draftin e paketës me ndryshime kushtetuese, kryediplomati amerikan në Tiranë konmentoi ushqimin dhe muzikën e zonës! Nga ana tjetër, ambasadorja e BE-së në Tiranë Romana Vlahutin duket se këto ditë është  shpallur “missing persons”.

Padyshim të nderuar ambasadorë , kontributi juaj për reformën në drejtësi ka qenë i vlefshëm, dhe vetë përfshirja e pashoqe në këtë çështje, Ju ka kthyer në gardianë të zbatimit të saj. Nëse e kundërta vazhdon të ndodhë dhe heshtja Juaj do të mbizotërojë mbi goditjet politike ndaj kryereformës ( sic e keni cilësuar në atë kohë), atëherë do të duhet t’ju lajmërojmë se nuk kemi më të bëjmë me reformë në drejtësi, por me “reformën e kryeministrit”. Të nderuar ambasadorë, për këtë luftuat dhe u angazhuat aq fort në 2016-ën?! Ne ende besojmë se “Jo”….

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here