Agron Duka: Jemi përballë një disfate morale të mazhorancës

0
167

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka e cilëson situatën politike me akuza dhe dosje për drogën, si disfatën morale të mazhorancës.

Në një intervistë për “Koha Jonë” Duka thotë se këto ditë po faktohet ajo që opozita denoncoi me forcë që para zgjedhjeve të përgjithshme. “Të gjitha ato paralajmërime që ne ngritëm për muaj me radhë, për kanabizimin, për të fortët dhe për rrezikun që vinte si rrjedhojë për zgjedhjet, u vërtetuan. Pra jemi përballë një mazhorance të delegjitimuar”,- shprehet Agron Duka.

Kreu i PAA mendon se kjo përplasje e fundit dhe ekspozimi i krimit qeveritar nuk do të sjellë detyrimisht zgjedhje të parakohshme. Sipas tij, pushtetarët që blenë votat nuk mund të ikin me dëshirë nga pushteti. Duka shprehet se është koha që qytetarët dhe opozita të krijojnë kushtet për zgjedhje të parakohshme dhe ndryshimin e situatës politike.

Duka ditën e djeshme Partia Agrare Ambientaliste mblodhi Asamblenë e sja, ishte një takim i parashikuar apo është pasojë e zhvillimeve politike të kësaj jave, çfarë qëllimi kishte?

Zhvillimi i Asamblesë së PAA-së këtë fundjavë ishte organizuar përpara se agjenda politike e vendit të diktohej nga arrestimet në Itali dhe akuzave të ngritura ndaj ish-ministrit. Në fokusin e Asamblesë ishte analiza e zgjedhjeve të 25 qershorit dhe përcaktimi i aksionit politik që PAA do të ndjekë në muajt në vijim. Nga dje nisëm rrugën për konsolidimin e PAA-së duke mësuar nga gabimet e së shkuarës dhe do të forcojmë çdo gjë të mirë që ne kemi ndërtuar si parti. Ne jemi një parti me identitet të mirëpërcaktuar dhe mbi këtë identitet do të zhvillojmë si gjithmonë aksionin tonë politik. Pra mbi zgjidhjen e problemeve të fshatit, problemeve të bujqësisë e blegtorisë, te zhvillimit te agrobiznesit, të peshkimit si dhe mbrojtjen e mjedisit.

Cilat janë objektivat politike të PAA-së?

Sezonin e kaluar politik kuptuam se kemi numrat për të parë me shpresë dhe optimizëm të ardhen e PAA-së si forcë politike, pa kurrfarë kompleksi inferioriteti ndaj partive të mëdha. Objektivat tona politike bazohen mbi cilësitë e burrave dhe grave që ne kemi në radhët tona. Nga vullneti ynë për të qenë zëri më i fortë në mbështetje të zonave rurale. Nga forca dhe karakteri moral i qëndrimeve tona. Nisur nga këto premisa, ne do të ndërtojmë ofertën tonë politike për zgjedhjet e ardhshme lokale. Shumë shpejt do të nisim takimet në çdo qark për t’ju ofruar qytetarëve modelin tonë konstruktiv, të bazuar mbi një program të qartë për bujqësinë, agroindustrinë, turizmin dhe sigurinë ushqimore nëpërmjet ekspertëve më të mirë që PAA ka në radhët e saj.

Duka Partia Agrare Ambientaliste do të vazhdojë të jetë një parti opozitare?

PAA vazhdon të jetë në opozitë. Ne nuk pajtohemi me mënyrën se si kjo maxhorancë erdhi në pushtet. Akuzat tona për zgjedhje të blera e të manipuluara po vërtetohen edhe nga ngjarjet e ndodhura kohët e fundit, çdo ditë dhe çdo javë po arrestohen nga partnerët ndërkombëtarë banda kriminale të cilat, me gojën e tyre, kanë vërtetuar se me paratë e kanabisit, të lejuar nga qeveria, kanë blerë zgjedhjet e 25 qershorit.

Por jo vetëm kaq. Ne nuk pajtohemi me mënyrën se si kjo qeveria trajton sektorin më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare: bujqësinë. Kjo u faktua nga vëmendja që i është dedikuar bujqësisë në programin e publikuar muajin e kaluar, vetëm 2 faqe. Më vjen keq ta them, por është një fatkeqësi kombëtare që mund të lejohet që bujqësia të margjinalizohet në këtë mënyrë dhe të lejohet shkatërrimi i saj dhe braktisja e fshatit.

Duka java që po mbyllet, sikurse pohuat edhe ju, u shënua nga skandali i përgjimeve, mendoni se mund të ketë zhvillime që do të çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme?

Në gjykimin tim jemi përballë një disfatë morale të mazhorancës dhe një fitore morale të opozitës. Të gjitha ato paralajmërime që ne ngritëm për muaj me radhë, për kanabizimin, për të fortët dhe për rrezikun që vinte si rrjedhojë për zgjedhjet, u vërtetuan. Pra jemi përballë një mazhorance të delegjitimuar. Por kjo nuk mjafton për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme. E them këtë pasi ata që kanabizuan vendin, edhe për qëllime elektorale, nuk e bënë në mënyrë të pavetëdijshme, por për përfitime ekonomike dhe politike. Nuk mund të presim që po këta t’i thërrasin ndërgjegjes dhe të thonë: “Po keni të drejtë, blemë vota me lekët e hashashit, tani do ikim”. Kjo nuk ka për të ndodhur kurrë. Jemi ne, si politikan, si qytetarë, si prindër që duhet të krijojmë presionin e duhur ndaj mazhorancës për të sjellë vendin në normalitetin politik.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here