Endrit Braimllari: Front i bashkuar opozitar kundër Rilindjes, lidhur me krimin e organizuar

0
146

 

Ne jemi më të vendosur se kurrë, që këtë rrezik, që po kalon Shqipëria, ta luftojmë deri në fund, me qëllim që përgjegjësi kryesor i kësaj situate që po kalon vendi, Kryeministri i këtij vendi, të largohet një orë e më parë.

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Endrit Braimllari, ka folur në një intervistë për ‘Fax News’, në lidhje me aktualitetin politik në vend, ku është fokusuar konkretisht te përgjimet e një grupi kriminal të trafikut ndërkombëtar të drogës, që Prokuroria italiane ka publikuar së fundmi, e ku përmendet edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Sipas z. Braimllari, LSI është e vendosur t’i shkojë kësaj çështjeje deri në fund, diçka të cilën kjo forcë politike e ka denoncuar dhe bërë publike edhe gjatë fushatës elektorale, sipas të cilës, paratë e krimit dhe të drogës u përdorën nga Kryeministri Rama dhe ekipi i tij për të blerë votat dhe për të tjetërsuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë.

Cili është reagimi juaj si LSI. në lidhje me përgjimet e publikuara së fundmi nga Prokuroria italiane, ku përmendet drejtpërdrejt ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, si pjesë e një grupi kriminal të trafikut ndërkombëtar të drogës?

Ngjarja është shumë e rëndë. Shqipëria po kalon nga ditët e saj më të këqija. Ishte e përmendur më parë kjo histori, tanimë është me fakte, është publike. Janë përgjimet ato që implikojnë totalisht drejtues të lartë të këtij shteti, ish-ministrin e Brendshëm, por edhe Kryeministrin e këtij vendi. Është Kryeministri ai që e ka përdorur ish-ministrin Tahiri për katër vite si levën e tij për t’u pasuruar, për ta mbushur Shqipërinë me drogë, pasi e përdori edhe në fushatë, dhe tani, pasi e përmbushi me sukses misionin e tij, bën si njeri i ndershëm, si një njeri i larë tërësisht nga kjo histori dhe kërkon që të vërtetën t’ia lërë drejtësisë. Në gjykimin tonë, Kryeministri është totalisht i kapur nga krimi i organizuar, e ka përhapur atë në çdo cep të Shqipërisë. E kemi denoncuar këtë gjë dhe e kemi bërë publike edhe gjatë fushatës. Ne deklaruam se paratë e drogës dhe të krimit të organizuar po hidhen në fushatë, gjë që u vërtetua edhe nga këto përgjime, ku thuhej mjaft qartë se sa milion euro duheshin për fushatë. Kjo është diçka tepër e rëndë. Kjo gjë dëshmoi mjaft qartë që paratë e krimit dhe drogës u përdorën në fushatë për të deformuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Kjo çfarë ka ndodhur është vetëm maja e ajsbergut të një historie që sapo ka nisur. Për sa i përket qëndrimit tonë, ai është një qëndrim tërësisht i njohur opozitar. Ne do të ndërmarrim aksionin tonë, jo vetëm në Parlament, por kudo, sepse kjo çështje tashmë ka marrë një përmasë kombëtare. Është kthyer në një rrezik kombëtar për vendin dhe shqiptarët. Ne jemi më të vendosur se kurrë që këtë rrezik që po kalon Shqipëria ta luftojmë deri në fund, me qëllim që përgjegjësi kryesor i kësaj situate që po kalon vendi, Kryeministri i këtij vendi, të largohet një orë e më parë. Është ky Kryeministër, i cili nuk ka më vend këtu, sepse është ai që drejton krimin e organizuar.

Si do ta kërkoni largimin e Kryeministrit Rama? Me protesta, me aksion politik? Çfarë është parashikuar konkretisht të bëni dhe si mendoni se mund të arrihet kjo gjë?

Mendoj se situata është vërtet e rëndë. Duhet një aksion kombëtar për këtë situatë. Në këtë rrugë që kemi nisur nuk është vetëm opozita, është shoqëria civile, janë qytetarët shqiptarë. Kjo kërkon një front të gjerë opozitar për t’u përballur me të keqen, pasi nuk është më çështje e njërës apo tjetrës parti, me qëllim që fëmijët tanë, të cilët do të vendosin të rriten dhe të edukohen në këtë vend, të mos kenë më këto rreziqe. Kjo kërkon një orë e më parë një aksion të tillë, i cili është drejtpërdrejt me keqqeverisjen, i cili është në luftë të ashpër me krimin e organizuar.

Ndërkohë, a do të bashkëpunoni me PD, megjithëse bashkëpunimet kohët e fundit nuk po mungojnë, siç ishte bashkimi i votave për të përjashtuar z. Bushati nga Komisioni i Integrimit?

Ajo çka ne po bëjmë publike dhe ajo çka ne po demonstrojmë jo vetëm me votimin tonë në Parlament, por edhe në qëndrimin tonë në komisione dhe qëndrimin tonë opozitar, sigurisht do ketë një bashkëpunim të gjerë opozitar, një front të gjerë opozitar. Tani unë mendoj se këtu nuk bëhet më fjalë vetëm për keqqeverisje, këtu bëhet fjalë keqqeverisje, krimi i organizuar, gjithçka që ka kapur këtë vend. Dhe e thashë edhe më parë, përgjegjësi kryesor është Edi Rama. Asnjëherë nuk duhet kaluar vëmendja te këto deklarata duke e anashkaluar përgjegjësinë kryesore. Përgjegjësi kryesor i kësaj situate është Edi Rama, sepse është ai që e drejtoi qeverinë në këto katër vite, është ai i cili e mbolli farën e krimit të organizuar dhe është ai, i cili i përdori këto grupe kriminale, këto struktura në fushatë dhe tani kërkon, që pas përfundimit të fushatës, pas marrjes së atij rezultati, që mori duke deformuar vullnetin e shqiptarëve, kërkon të pastrohet duke thënë që, të dalë e vërteta sheshit, kam respekt për filanin se ka qenë punëtor i mirë partie, të njëjtën gjë që bëri dhe me Shpëtim Gjikën, kur u përball me drejtësinë, ku thoshte dhe ai është një punëtor i mirë partie, por t’ia lëmë drejtësisë. Por, sigurisht kjo nuk është çështje mbajtje afër apo largim i një personi, kjo është çështje kombëtare, që kërkon zgjimin e gjithë shoqërisë, kërkon një aksion, një front të gjerë opozitar, jo vetëm politik, me shoqërinë civile, me qytetarët sepse sot më shumë se kurrë Shqipëria është në rrezik. Dhe nuk është në rrezik vetëm integrimi i Shqipërisë, por është në rrezik jeta e fëmijëve. Është e patolerueshme, është e pafalshme ajo çka ndodhi në Lushnje, ajo çka ndodhi në Elbasan, ajo çka ndodhi në Shkodër, ajo çka ndodhi në Durrës. Përpara komisariatit në Lushnjë vriten dy të rinj dhe plagosen të tjerë, ku tre të armatosur me kallashnikov në dorë lëvizin në mes të qytetit. Pra, kjo nuk ka lidhje me ’97, kjo është më keq se ’97. Kjo është Shqipëria në dorën e bandave, pasi në ’97 dihej ishte gjendje e jashtëzakonshme, ishte populli i armatosur, por tani nuk di nga të ruhesh se del për të pirë kafe me familjen, shoqëron fëmijën për në shkollë, ajo çfarë ndodh para ambienteve të shkollës është e tmerrshme. Sepse kriminelët janë të lirë sepse kanë lidhje me këtë që e drejton sot qeverinë. Kjo është gjeja më e rëndësishme që ndodh sot në vend dhe kjo duhet luftuar.

Mendoni që në këtë pikë është mirë që kreu i shtetit, z. Ilir Meta të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të parë se në ç’gjendje ndodhet vendi?

Ajo çka është me rëndësi, sigurisht kjo është çështje e Presidentit, por është shumë e rëndësishme për vendin, jo vetëm Këshilli i Sigurisë Kombëtare, por këtu kërkon të përdoren të gjithë mekanizmat ligjzbatuese për të ndaluar këtë fenomen. Sepse do i bëjmë një nder dhe një shërbim të mirë jo vetëm vendit, por mbi të gjithë qytetarëve të këtij vendi. Sot më shumë se kurrë qytetarët e Shqipërisë ndihen të rrezikuar. Nuk është parë ndonjëherë në historinë e Shqipërisë të ndodhë kjo gjendje. E thashë dhe njëherë, jemi çdo ditë të rrezikuar nga krimi i organizuar dhe kjo është e patolerueshme për shkak të atij që ndërton qeverinë sot dhe del e bën show lart e poshtë duke thënë që t’ia lëmë drejtësisë dhe e vërteta të dalë sheshit. Por nuk e kupton që të vërtetën e ka pasur në tavolinë ky zotëri dhe kur ka bërë kabinetin sepse një ndër arsyet që nuk ka përfshirë një pjesë të gjerë ministrave ka qenë pikërisht për këtë arsye, ka qenë i njohur me situatën dhe ai mban përgjegjësinë kryesore. Ne do të jemi në front të gjerë opozitar jo vetëm tani, e thashë edhe më parë, me keqqeverisjen, krimin e organizuar që po shkatërron vendin dhe po i merr shpirtin çdo shqiptari.

Një nga arsyet që ish – ministri i brendshëm Tahiri u largua nga detyra e tij, ka qenë dhe këmbëngulja e vazhdueshme e LSI dhe ish kreut të saj asokohe, z. Meta. Pse ka qenë kjo këmbëngulje që gati 2 vjet më parë që z. Tahiri të largohej nga detyra?

Unë e kuptoj që këtë informacion e keni nga ato që shpërndan z. Rama nga zyra e tij sepse këtë gjë bën ai. Bën gjueti shtrigash dhe këtë gjë ka bërë gjithmonë. Ai gjithmonë është i pafajshëm dhe njeriu më i mirë në shoqëri. Sigurisht që ai ka përdorur vullnetin e çdo miku të tij, çdo ditë e çdo sekondë. Nuk ishte z. Meta atë kohe kryetar LSI-e apo LSI-a që largoi z. Tahirin. Nuk ka pasur LSI-a lidhje apo problem personal në raport me ish- ministrin e brendshëm. Ne në atë kohë kemi bërë problemet publike dhe i është ngritur kryeministrit shqetësimi që po kalon Shqipëria në raport me drogën sepse vinin informacionet nga partnerët tanë dhe shërbimet e partnerëve tanë ndërkombëtarë, mbi rrezikun që Shqipëria ishte duke u kthyer në një vend kryesor i kultivimit dhe transportit të lëndëve narkotike. Ky ka qenë dhe shqetësimi ynë por në atë kohë nuk ka qenë ky kusht për largimin e z. Tahiri. Kjo ka qenë një teori e kryeministrit të vendit në atë kohë të cilën e ka përdorur gjerë e gjatë për të krijuar atë diversionin e tij të brendshëm, atë gjuetinë e shtrigave ndërmjet partnerëve dhe njerëzve që ka në koalicion sepse këtë gjë bën gjithmonë. Pra, ne nuk kemi pasur asnjë marrëdhënie personale me individin. Ajo çka na ka shqetësuar ne, ka të bëjë me rrezikun që i kanoset Shqipërisë dhe kemi paralajmëruar që në atë kohë. Sot, ndodhemi në një situatë e cila është jashtë kontrollit sepse krimi i organizuar e ka kapur. Nuk ka çfarë i bën më ai kësaj situate. E vetmja gjë është që të largohet dhe ky vend të marrë zgjidhje me njerëz që nuk janë përfshirë në krimin e organizuar, me njerëz që nuk kanë lidhje me krimin me qëllim që Shqipëria të ecë përpara dhe të mos ketë më rrezik për jetë e fëmijëve, prindërve tanë të cilët kanë vendosur të jetojnë në Shqipëri.

Kur flisni për nevojën e largimit të kryeministrit Rama nga pushteti, nënkuptoni që me nismat që mund të marrë opozita të kërkohet dhe zgjedhje të parakohshme. Logjika e parë të shkon në zgjedhjet e ardhshme lokale që zhvillohet në vitin 2019…

Të jem shumë i pastër dhe i sinqertë me ju, në këto momente besoj asnjë shqiptari nuk i shkon mendja ka apo nuk ka zgjedhje të parakohshme. E vetmja mënyrë është që ky njeri të largohet një orë e më parë sepse ka shkatërruar këtë vend. Ekziston mënyra dhe ka mekanizma të tillë për largimin e tij, por përgjegjësi kryesor është ai dhe duhet të largohet sepse Shqipërinë po e çon çdo ditë e më shumë në një vend ku krimi i organizuar e ka marrë peng. Ai është shqetësimi i këtij vendi.

 

Som….

Kryeministri është totalisht i kapur nga krimi i organizuar, e ka përhapur atë në çdo cep të Shqipërisë. E kemi denoncuar këtë gjë dhe e kemi bërë publike edhe gjatë fushatës. Ne deklaruam se paratë e drogës dhe të krimit të organizuar po hidhen në fushatë, gjë që u vërtetua edhe nga këto përgjime.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here