Media italiane Meridonews: “30 mijë Euro duhet t’ia çoj Saimirit”, si e implikojnë ish-ministrin e brendshëm përgjimet ambjentale

0
922

Detaje tronditëse publikohen sot në median italiane për arrestimin e Moisi Habilajt në Itali, ku për herë të parë del në skenë dhe emri i ish-ministrit Saimir Tahiri.

“Biznesi i drogës nga Shqipëria drejt Katanias në Itali drejtohej nga kushëriri i ish-Ministrit të Brendshëm shqiptar” , shkruan sot e përditshmja lokale “Meridonews”.

‘’ Në një nga këto takime Moisi Habilaj flet për kushëririn e tij politikan duke u shprehur se “30 mijë euro i duhet t’ia japë Saimirit”, ky është edhe paragrafi që media ka publikuar ku implikohet Saimir Tahiri nga përgjimet ambjentale

“MeridioNews” është një media italiane e cila është krijuar në vitin 2014. Lajmet e saj janë të fokusuara në kronikë dhe operon kryesisht në zonën e Katanias.

Lajmi ndalet gjatë nga viti 2013 kur mendohet të ketë nisur trafiku dhe deri më tani që organizata u arrit të shkatërrohej nga ana e Policisë italiane.

SHKRIMI I PLOTË:

Mes të arrestuarve është dhe kushëriri i ish-Ministrit socialist Saimir Tahiri i dyshuar se fshihte biznesin e klaneve që trafikonin marijuanë nga Ballkani.

“Moisi Habilaj, kushëriri i Saimir Tahirit, shkruan media italiane, “në Siçili ishte ura kryesore lidhëse me trafikantët e mëdhenj të drogës të cilët mund të blenin me para në dorë qindra kilogramë marijuanë për ta shitur më pas në tregjet e drogës në Katania, Sirakuza e Raguza.

Në Shqipëri ndaj kushëririt të Ministrit ka pasur shumë herë dyshime. Nuk është hetuar kurrë, nuk është arrestuar kurrë, por është fotografuar shumë herë me kreun e policisë kufitare në qytezën bregdetare të Dhërmiut.

Udhëtonte vazhdimisht nga Shqipëria drejt Siçilisë duke kaluar përmes Puglias për të dakortësuar shitjen e drogës e për të kërkuar vendet e përshtatshme për ankorimin e anijeve me drogë dhe ato të destinuara për ruajtjen e lëndës narkotike.”

Hetimet e operacionit “Rosa dei venti” çuan në identifikimin e bashkëpunëtorë të Habilaj në Itali. Siç është italiani Antonino Riela, pika e referimit të Habilaj në Siçili në blerjen e drogës nga Shqipëria.

Sipas medias italiane në nëntor të 2013 investiguesit italianë kanë monitoruar një takim mes Antonino Riela e vëllait të Moisi Habilaisj, Florian Habilaj.

Takimi u bë në lagjen San Giorgio e Riela i kishte dhënë Florian Habilaj 30 mijë euro për një ngarkesë droge të humbur.

Qëllimi ishte rinisja e aktivitetit të trafikimit pas sekuestrimit të rreth 1650 kg marijuanë që u ishte sekuestruar një muaj më parë në tetor të 2013 në brigjet pranë portit të Augusteas në Siçili.

Mbi këtë sekuestrim e humbje të sasisë së drogës, në përgjimet ambientale të policisë italiane , Florian Habilaj, vëllai i Moisi Habilaj, dëgjohet të thotë se “po të kishte një kallashnikov do t’i kishte vrarë të gjithë bam bam bam.”

Në një tjetër përgjim ambiental të Financës italiane Moisi Habilaj bisedon me pronarin e një karburanti në komunën Lentini: “Nëse vjen në Shqipëri do ta kuptosh se policia është e korruptuar madje ka raste që është vetë kreu i policisë që ndihmon për të ngarkuar thasët me drogë” thotë ai.

Bandës italo-shqiptare iu sekuestruan disa herë ngarkesa droge në Itali si 289 kg marijuanë të kapura nga autoritetet italiane në Palagonia, 900 kg në portin Risposto apo dhe një furgon plot me marijuanë i sekuestruar në qëndrën tregtare “Porte di Catania”.

Pas këtyre sekuestrimeve Moisi Habilaj nis bisedimet me anëtarët e bandës për të planifikuar transportimin e ngrakesave të tjera të drogës nga Shqipëria.

Politikani është bërë i njohur edhe për makinën e famshme. Kushëriri, së bashku me një bashkëpunëtor Sabi Çelaj, mbërriti në Sicili në bordin e Audi zyrtarisht ende në pronësi të ministrit

Ari jeshil i Ballkanit, shkruan sot media italiane, ishte vënë në dispozicion dhe të mafiozit të njohur Sebastian Sardo, sot bashkëpunëtor me drejtësinë italiane e dikur administrator i drogës për klanin mafioz kataneze Capello.

Në një nga përgjimet e policisë italiane lexohet se grupi i shqiptarëve të jetë shprehur “se nëse nisim një ngarkesë për Sardon, mund të sjellim dhe kallashnikovë, le të vriten me njëri-tjetrin, ne nuk na intereson, ata i duan për vete armët.”

http://catania.meridionews.it/articolo/59693/il-business-della-droga-dallalbania-a-catania-al-vertice-il-cugino-dellex-ministro-albanese/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here