“Shteti i pavarur” i prokurorisë dhe i gjyqtarëve kthen dënimet pa gjyq si në kohën e monizmit

0
307

 

Avokat Brikena Bogdo

 

Vendimin si “i dënuar”, nga gjykata e rrethit gjyqësor të Tiranës, e mëson vetëm pas tre muajsh, kur ai merr formë të prerë. Gjykimi, ku i pandehuri kishte marrë pjesë disa herë, në një moment të caktuar, vazhdon në mungesë të tij. Familjarët, për këtë çështje, flasin për hakmarrje të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, pasi kanë bërë denoncime të rëndësishme, për krerë të institucionit. Kjo është një histori e rëndomtë për prokurorinë, që nuk njofton të akuzuarit, apo kallzuesit, nuk iu kthen përgjigje ankimimeve të tyre, nuk i njofton për vendimet, duke u shndërruar në një bunker-shtet, i pavarur.

Kjo është historia tragjiko-komike e një të dënuari, që po tentonte pafajsinë e tij, përgjatë procesit gjyqësor. Personi, nga lindja, deri më sot, vazhdon të banojë në të njëjtën banesë, por të gjitha institucionet-bufonë nuk e gjejnë këtë individ të sëmurë, as që të marrë pjesë ne gjyq, për t’u mbrojtur, as per ta lajmeruar, që tashmë eshte një i dënuar, me vendim të formës së prerë, as që po e kerkon policia, në çdo cep te Tiranes, as që po e kerkon sherbimi i proves, që të vuajë dënimin. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës, lajmëron Policinë e Shtetit që ta kërkojë ngado, deri në Kamëz. Komisiariati i policisë nr. 5, përgjigjet se ky person nuk është banor në Kamëz. Nga lindja, ky i sëmurë vazhdon të jetojë e banojë në të njëjtën banesë, në juridiksionin e komisiariatit të policisë nr.1, nga ku i ka marrë të gjitha njoftimet edhe më parë.

Qesharakja vazhdon. Vetëm mbas dy muajsh, pasi kishte marrë vendimi ‘i dënuar”, me formë të prerë, vihet në lëvizje Prokuroria, të gjendet individi. Në komunikimin e Prokurorisë me  drejtorinë vendore të policisë, kuptohet problemi. “I dënuari, i panjoftuar”, kërkohej nga policia me një adresë, krejt të gabuar. Personi që tashmë konsiderohet, sipas sistemit të drejtësisë “i dënuar”, është një i sëmurë me sëmundje nervore, raport të përhershëm, dhe me medikamente, që në moshën 6 vjeçare. Abuzimi i rëndë me këtë individ nis me Prokurorinë, vazhdon me Gjykatën Penale, dhe absurdi, qesharakja, komikja, tragjikja,  vazhdon me të gjitha institucionet, Ministrinë e Drejtësisë, Shërbimin e Provës, Policinë e Shtetit.

Për shkak të paaftësisë, korrupsionit, të sistemit të drejtësisë, nuk mund të arrihet deri aty, sa ta dënosh një të pandehur, pa i dhënë të drejtën që të mbrohet në gjyq, ku i pandehuri po insistonte me forcë, të provonte pafajsinë e tij. Gjatë hatimeve paraprake iu mohuan të drejta themelore, ligjore, që të ngrihej një komision, të vlerësohej  gjëndja e sëmundjes së tij. Ky i sëmurë nuk është njoftuar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë për shtyrjen e hetimeve paraprake, duke iu mohuar e drejta, që ta ankimojë këtë vendim, në Gjykatën Penale.

Në kushtet e kërkesave të vazhdueshme në Prokurorinë e Përgjithshme, për tërheqjen e dosjes, ata menduan që dosja është tërhequr, por kurrsesi, që gjyqi do të vazhdonte pa u njoftuar ata.

Gjyqtari, në procesin gjyqësor, deklaron se, i pandehuri eshte njoftuar, por nuk deshiron të marrë pjesë. Ai zhvillon një proces, në mungesë dhe merr një vendim, në mungesë. Juristët penalistë e dinë që, gjykimi ne mungesë zhvillohet, kur i pandehuri fshihet dhe shpallet në kërkim, në të kundërt merret forcërisht në gjykim.

Ky është dështimi i të gjitha institucioneve të drejtësisë dhe të gjitha procedurave të saj. Këto neglizhenca, paaftësi, korrupsion, frikë nga denoncimet, hakmarrje, shantazhe, presione, të të gjithë hallkave të sistemit të drejtësisë, kanë shkaktuar dënimin e një të sëmuri, duke ia rënduar atij sëmundjen, pa i dhënë të drejtën ligjore, që të mbrohet në një gjyq të drejtë, të paanshëm, në shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut.

Kjo histori dështimi e sistemit të drejtësisë, ndodh në ditët më të nxehta, kur diskutohet, reformimi i tij, nëpërmjet Vetingut. Këto ditë foli në media ambasadori amerikan Lu, për krimin e organizuar në Shqipëri. Midis të tjerave përmendi edhe Amerikën e viteve ‘20-‘30. Mos vallë gabimisht ky diplomat, i shtetit më të fuqishëm të botës, e krahason Shqipërinë, me Amerikën e atyre viteve? Kohë përpara z.Drew Sullivan kryeredaktor i Organizatës për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ishte i drejtpërdrejtë dhe shumë më pak diplomat. Ai e rradhiti Shqipërinë, në një nga vendet me gjendje emergjentem edhe më të rëndë se sa Amerika e viteve ‘30, kohë kur po lulëzonte krimi i organizuar dhe trafikimi i pijeve alkolike, trafik që po rriste, pa kufi, të ardhurat e kapobandës së Chicagos, Al Capone. Ky bandit po korruptonte politikanët, të cilët më pas, menaxhonin situatën me strukturat policore dhe sigurisht me gjyqtarët, duke e bërë krejt të pamundur arrestimin e tij. Z Sullivan e konsideron situatën aktuale në Shqipëri, edhe më të rëndë se, Amerika e atyre viteve.

Amerika tentoi fort, por edhe pati dëshirë, vullnet, infrastrukturë, ide, për ta zgjidhur. Në Shqipëri, me të gjithë alarmin e faktorit ndërkombëtar, me të gjithë kërkesat e vazhdueshme të Bashkimit Europian, për të ulur nivelin e korrupsionit, sidomos në gjyqësor, po shohim raste konkrete, flagrante, në shkelje te ligjit dhe të të drejtave të njeriut, si në rastin që përmenda më lart. Kush do t’i kontrollojë këto vendime të padrejta të gjyqtarëve? Sa i aftë është dhe sa vullnet ka ky organ, që të hedhë poshtë një vendim të padrejtë të një kolegu? Sa profesionalizëm ka për të kontrolluar ligjshmërinë e vendimeve të gjyqtarëve? Me sa duket, me uljen e numrit të komisionereve të vetingut do të minimizohet pikërisht kjo mundësi kontrolli, që është thelbi i gjithë reformës në drejtësi.

Për të zgjidhur dilemën midis sistemit dhe individit, i kthehemi Amerikës, se si e zgjidhi ngërçin me krimin dhe korrupsionin. U zgjodh rruga jashtë sistemit, duke ngritur struktura të pavarura, pasi sistemi i korruptuar ndërkohë, ishte krejt i pabesueshëm dhe inefiçent, për publikun. U krijuan hallka të posaçme jashtë sistemi. Qeveria e Uashingtonit, emëroi disa persona të paprekshëm dhe këta ishin një grup oficerësh policie, të cilët nuk i raportonin strukturave të zakonshëm, Gjithashtu emëruan prokurorë federal jolokalë, në mënyrë që të mos korruptoheshin. Në Shqipëri këto komisionet e Vetingut, kujt do t’i raportojnë? Kjo është e gjithë thembra e Akilit. Këto struktura zgjidhen nga politika shqiptare, përcaktohet numuri komisionerëve të vetingut nga politika shqiptare, u caktohet rroga nga politika shqiptare. Dhe ne shpresojmë që këto struktura, të jenë të pavarura?

Amerika, me një sistem të fuqishëm, ku trafikantët e kanë të vështirë të mbijetojnë, ka qenë e detyruar, të dalë jashtë sistemi. Përsa kohë, që Vetingu nuk po del dot jashtë sistemit politik në Shqipëri, është në një udhëkryq të rrezikshëm. Sistemin funksional të drejtësisë e bëjnë ose profesionistët, jashtë interesave partiakë, ekonomikë, ose individët me vullnete të forta, ose gjithpërfshirja që nënkupton një sistem që i përket dhe funksionon për të gjithë.

Në Shqipëri, gjyqtarët dhe prokurorët janë arrogant. Prokuroria rëndom, nuk njofton të interesuarit. Ajo që sot po vlerësohet, më së shumti efikase, është ndjekja e hapave konkret dhe evidentimi i rasteve konkrete, hap pas hapi, vendim pas vendimi, për t’u parë ligjshmëria e tyre, në mënyrë që edhe largimet nga sistemi të jenë konkrete. Publiku po pret me shpresë Vetingun, por kur shikon raste konkrete, se çfare ndodh brenda sistemit te drejtesise, e kupton qartazi që Vetingu, aq i mirëpritur rrezikon seriozisht.

Amerika u tregua pragmatiste, përzgjodhi edhe individin me vullnet, por edhe forcoi sistemin. Amerika, së pari, pati vullnetin për ta zgjidhur, pastaj gjeti format e suksesshme, të cilat në ato momente kritike, ishin jashtë sistemit dhe nuk i referonin strukturave të zakonshme. Çelësi i suksesit ishte krijimi i një grupi të pvarurur dhe të pakorruptuar.

  1. Sullivan e shpjegon hapur atë që ne themi ndën zë, mafia ka kapur shtetin policinë dhe gjyqësorin. Kjo e bën të vështirë luftën për reforma reale dhe efikase. Në të gjithë këtë zallamahi, por dhe shpresë e publikut për reformimin e sistemit të drejtësisë, dëgjojmë një skandal të rradhës, të prokurorisë dhe të gjyqtarëve.
Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here