Plas megaskandali në administratën publike: 55% e punonjësve nuk figurojnë në sistemin e sigurimeve

0
Një auditim i Kontrollit të lartë të Shtetit ka zbuluar një skandal të vërtetë në administratën shtetërore.

Shumica e njësive vendore apo ministri si ajo e Arsimit, e Punëve të Jashtme, apo e Drejtësisë, nuk i deklarojnë punonjësit e tyre në sistemin e sigurimeve shoqërore. Sipas të dhënave të siguruara nga ky auditim të publikuara sot nga “Shqiptarja.com”, rezulton se rreth 55% e punonjësve të këtyre institucioneve shtetërore nuk janë deklaruar në sistem.

Sipas raportit, të dhënat e 55 për qind e punonjësve të administratës publike për vendin e punës, sigurimet shoqërore, arsimin, rekrutimin, trajnimet, pagat etj., nuk figurojnë në sistem. Nga 81.147 punonjës deri në fund të 2017, 44 mijë punonjës nuk rezultojnë në sistemin e të dhënave.

Gjithashtu, edhe Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Sigurimet e Kujdesit Shëndetësor nuk i kanë hedhur të dhënat për punonjësit. Auditimi nisi në datë 03.04.2017 dhe përfundoi në 20.05.2017”.

Ky duket se është fillimi i një skandali të madh që hedh hije dyshimi për një megavjedhje të sigurimeve të dhjetëra-mijërave punonjësve të administratës shtetërore. Sipas gazetës, që i referohet raportit të auditit, “sistemi Informatik i Menaxhimit të Burimeve Njerëzore (HRMIS) është një sistem i ndërtuar për të ndihmuar DAP në procesin e menaxhimit të burimeve njerëzore”.

Ka një VKM që detyron “se sistemi HRMIS duhet të ndërveprojë me bazat e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Sistemit të Thesarit në Ministrinë e Financave etj. HRMIS shërben si burim planifikimi dhe informacioni për pagat dhe kontributet e nëpunësve publikë, nëpërmjet ndërveprimit me Sistemin e Thesarit”.

Nga ky përkufizim merr rëndësinë e vet edhe sistemi, pasi ndonëse të dhënat mund të figurojnë në “letër”, ato do të kërkojnë verifikim të posaçëm dhe i heqin mundësinë të punësuarve që të shikojnë në kohë të shkurtër ecurinë e trajtimit të tyre.

Institucionet që s’kanë hedhur të dhënat janë shumica e bashkive në vend; Ministria e Arsimit dhe Sportit; Ministria e Drejtësisë; Ministria e Punëve të Brendshme; Ministria e Punëve të Jashtme; Sigurimet e Kujdesit Shëndetësor etj.

 

Lini nje pergjigje