Arsimi profesional, jetimi pa kujdestari

0
358

Dr. Ndriçim Mehmeti

Kur qeveria dhe vetë kryeministri Rama, me ardhjen në pushtet në 2013, premtuan se “arsimi profesional”, edhe pse isha shumë skeptik, shpresova se me të vërtetë për arsimin profesional do të vinin ditë të mira. Kur në mënyrë të pakuptimtë, arsimi profesional kaloi në fushën e përgjegjësisë së Ministrisë së Mirëqenies Sociale edhe Rinisë (e zhdukur nga harta në vitin 2017), shpresa se bëhej fjalë për një reformë serioze në arsimin profesional u fashit. Ditë as dite dhe vit pas viti, arsimi profesional u pa si një mundësi për tu pasuruar pas projekteve dhe objekt i ndryshimeve të përvitshme të legjislacionit, sesa si një sektor i cili kërkonte jo vetëm vëmendje dhe investime, por edhe specialistë, që do të kanalizonin të gjitha energjitë në krijimin e një profili arsimor profesional konkurrues brenda vendit dhe të denjë për tregun kombëtar dhe rajonal.

Por çfarë ndodhi në të vërtetë me arsimin profesional?

Si çdo sektor tjetër ai u kthye në një fushë reklame e promocioni për qeverinë, pa asnjë rezultat konkret. Investimet thuajse munguan, shkollat e reja nuk numërohen dot me gishta e njërës dorë, konvikte nuk patën asnjë përmirësim, ndërsa rezultatet e nxënësve në arsimin profesional presuan rënie të vazhdueshme. Panairet e punës të trumbetuar me aq bujë prej kryeministrit që këmbëngulte “se punë ka por nuk ka profesionistë”, ishin në vazhdën e makinerisë së propagandës qeveritare që funksionon për mrekulli. Në katër vite kaq për zemër e kishte qeveria arsimin profesional, sa e ktheu në autoshkollë ministrash duke vendosur një rekord më vete: Në 4 vite, 4 ministra ndërruan njëri-tjetrin në këtë institucion të deklaruar nga më të rëndësishmit. Veliaj filloi me mendimin e ligjit, Klosi vazhdoi e mbaroi me hartimin e një ligji të ri për arsimin profesional që nuk gjeti kurrë zbatim, Xhaçka i këputi një shëtitje, sa për të marrë pak eksperiencë për qeverisjen 2017-2021.

Donatorët e huaj të gatshëm për të mbështetur arsimin profesional u treguan të pakursyer, e plot mirëkuptim, ndërsa qeveria u përpoq t’i bindë se e kishte seriozisht arsimin profesional. U ndërmorën iniciativa, pa fund diku të dështuar e diku të lëna në mes, por asgjë serioze nuk ndodhi në arsimin profesional. Dyfishimi i nxënësve nuk u arrit, tregu as që nuk u interesua për nxënësit që deklarua nga Vleiaj, “se do të fillonin punë menjëherë sapo të përfitonin një zanat, pasi sipërmarrësit janë të etur për ta”, ndërsa interesi i publikut për këtë lloj arsimimi mbeti në vendnumëro. Një analizë e kësaj situate, nuk u bë asnjëherë, pasi MMSR, duket se e kishte preokupimin e fundit arsimin profesional. Duke u marrë me kujdesin social, me rininë, të përndjekurit, religjionet, arsimi profesional, mbeti diku në një cep në pritje të ndonjë shkresurine rutinë. U harruan premtimet, tryezat e rrumbullakëta, arnimet e ligjit dhe begatia që do të na sillte arsimi profesional. Aq shumë u luajt e u nëpërkëmb arsimi profesional, saqë u fshi vetëm nga harta e prioriteteve të qeverisë “Rama 2”, dhe për të askush nuk flet, madje nuk kanë guximin ta përmendin më.

Cila është perspektiva e arsimit profesional?

I hedhur formalisht diku në skutat e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, me 10 veta a pak më shumë në strukturën e  re të qeverisë “Rama 2”, arsimi profesional, do të marrë ndonjë farë rëndësie sa herë që të ketë ndonjë projekt për të. Shkollat, mënyra e organizimit të tyre, udhëzimet për trajnimin e stafit, Agjencia Kombëtare e Formimit Profesional dhe Kualifikimeve, nuk u dihet si do të shkojë filli. Për krijimin, funksionimin dhe mbarëvajtjen e punëve në Agjencinë Kombëtare të Formimit Profesional dhe Kualifikimeve, janë derdhur me qindra e mijëra euro, (për të mos thënë miliona), është trajnuar në vazhdimësi stafi i saj, prej partnerëve tanë, me një reputacion të padiskutueshëm në Evropë e më tej si dhe qeverive shqiptare. Tani ajo ka mbetur krejt jetime, në pritje të hartimit të një kuadri ligjor për funksionimin e saj, i cili është i treti rregullim, prej vitit 2013 e deri më tani. Në vend që të ruhej si një aset i çmueshëm, me specialistë shumë të mirë në gjirin e saj, ajo po degradohet në atë pikë, saqë nuk është çudi të zhduket fare.

Nga ana tjetër interesi për arsimin profesional do të vij në rënie. Në dyert e tij do të trokasin nxënës pa shumë interes për profesionin, vetëm me interesin për të shtyrë kohën në shkollë. Cilësia e nxënësve, krahasuar me kërkesat e  tregut kombëtar do të jetë në rënie. Interesi i mësuesve gjithashtu, mund të shkojë në atë pikë, saqë do të shkojnë të marrin atë rrogë mjerave të shtetit, mjafton që kanë një punë e një mënyrë për tu ushqyer. Investimet do të mungojnë me shuam gjasa. Në mungesë të interesit për këto shkolla, nuk ka asnjë leverdi ekonomike të investohet e për pasojë, degradimi do të jetë i shpejtë, pa shumë kosto për qeverinë dhe me shumë pasoja të rënda afatgjata për bendin. Natyrisht që kjo nuk u intereson shuam njerëzve që morën përsipër ta “bumin” dhe ngritjen e arsimit profesional në nivele të papara ndonjëherë. Politkbërësit, që premtuan se do ta bënin atë “një nga sektorët më atraktiv”, u shpërndanë si “zogjtë e korbit” sa në Bashkinë e Tiranës dhe në institucione të tjera, duke e quajtur të përfunduar misionin e tyre. Kështu që erdhëm në ditët që arsimi profesional, tashmë është në mëshirën e gjithkujt dhe nën përgjegjësinë e askujt. Për politika afatgjatë në këtë fushë, as që nuk bëhet fjlaë.

Për fokusin drejt tregut, shërbimeve dhe në shërbim të mirëqenies së qytetarëve dhe fëmijëve të tyre, as nuk e vret mendjen njeri. Për të arritur të tërheqim nxënës cilësor me synim krijimin e një tregu konkurrues në Ballkan e më tej, nuk merr kurajën të flas njeri. Sigurisht që kryeministri me siguri , diku, dikur dhe për rastësi mund të kujtohet të hedh ndonjë fjalë shkarazi. Ish-ministrat “e bekuar” të PS-së, nuk ka çfarë u duhet, ta përmendin e jo më të flasin për arsimin profesional, për aq kohë sa kanë harruar profesionin e vet.

Vendi sigurisht do të vuajë pasoja të rënda. Në një kohë të shkurtër, ndërsa mburremi se eksportojmë krah pune të kualifikuar në fushën e mjekësisë në Evropë e gjetiu, do të importojmë krah pune të kualifikuar në fushën e ndërtimtarisë, mirëmbajtjes së rrjeteve hidrosanitare, kopshtarisë etj. Një farë suksesi në fushën do vazhdojmë ta kemi në fushën e kulinarisë për nja 5 a 10 vjet, sa kohë kemi gjyshet gjallë dhe nënat nga 60 vjeç e lart që na sjellin në vëmendje ndonjë gatim tradicional.

Kjo dhe dëshira ende e pashterur e bashkatdhetarëve tanë për bregdetit e Shqipërisë, do të na mundësojë të mburremi me përqindjet në rritje të turizmit. Meqë folëm për turizmin si kamarier do të kemi djemtë, që shkëlqejnë nga xhelatina dhe me sytë tek bikini i bukurosheve të plazhit dhe si recepsionistë, ai që fle më pak, por që di të merret vesh me gishta me të huajt. Ndërsa projekti më madhor në letër mbetet ndërtimi i aeroporteve, që mund t’i kemi gati në 30 vitet e ardhshme.

Kështu që fundosja e arsimit profesional, nuk do të jetë ndonjë tragjedi e madhe, në lëmshin e dhe kaosin ekonomik, në të cilën jemi futur me një projekt të qartë e ambicioz, të garantuar prej qeverisë “Rama 2”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here