“Tjetër skandal me fabrikat jashtë standardeve, pijet në Shqipëri prodhohen dhe ambalazhohen jashtë kushteve higjieno sanitare, autorët në pranga”

0

Rastet e fabrikave të prodhimeve të skaduara dhe problematikat me cilësinë e ushqimeve

Loading...

 Cilësia e ushqimeve ka problematikat e saj në Shqipëri. Denoncimet të shumta, por edhe nga autoritet përgjegjëse në studimet e fundit është deklaruar se ne konsumojmë produkte jo me ndonjë cilësi shumë të lartë. Ditën e premte zbulimi i një laboratori me kushte jo të përshtatshme ka vërtetuar edhe një herë që prodhimi i ushqimeve në Shqipëri bëhet pa standarde. Tregu i pa formalizuar, por edhe ekonomia e dobët ndikojnë negativisht në përmirësimin e kushteve të prodhimit të ushqimeve të ndryshme. Brenda këtij viti në Shqipëri janë zbuluar dy vende në të cilat prodhonin pije të falsifikuara. Zbulimi i këtyre dy rasteve është bërë nga Policia pas denoncimeve që kanë ardhur nga banorët e zonës. Për këto raste nga ana e uniformave blu janë publikuar edhe pamje brenda ambienteve që tregonin se cilësia dhe çdo gjë tjetër ishte jashtë standardeve. Prodhuesit kishin zgjedhur banesa të vogla të cilat nuk dukeshin si fabrika, ndërsa në një rast tjetër prodhimi i ushqimeve të ndryshme bëhet në një bodrum të një pallati, në kushte skandaloze.

 

Zbulimi i laboratorit

 

Një person është arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim, pasi akuzohen se sekuestronin pije freskuese që dyshohet se janë falsifikuar. Në sajë të operacionit ‘Dajti’ u bë e mundur prangosja e Genc Brahysas, 34 vjeç, ndërsa shtetasi E. M, me profesion teknolog (kimist) është shpallur në kërkim. Sakaq, është proceduar penalisht shtetasja me inicialet F. B., 36 vjeçe. Për këta persona, nga Seksioni i Krimit Ekonomik, ishte marrë informacion se prodhonin pije freskues pa licencë edhe më pas i tregtonin ato. Në bashkëpunim me Hetimin Tatimor dhe Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, u ushtrua kontroll në adresën ku ishte marrë informacion se këta shtetas kryenin aktivitetin e jashtëligjshëm, e më konkretisht një punishte e fshehur në ambientet e një magazine, në brendësi të së cilës u konstatuan dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

 

Sendet e sekuestruara

 

Në kuadër të këtij operacioni policia ka sekuestruar: 3 048 pije freskuese të dyshuara të falsifikuara të ambalazhuara të gatshme për tregtim, 1 makineri artizanale për prodhimin e pijeve, 1 presë për stampimin e vulave të kadencës, 8.5 kg koncentrat me afat të skaduar (produkt i dyshuar kontraband), 18 kg esencë (produkt i dyshuar kontraband), 18 kg aromatizues të ndryshëm për prodhim pijesh freskuese dhe energjike, Etiketa të markave “Lëng pjeshke, Lëng Limoni, Lëng Pjepri dhe Pije Energjike Dajti”. Materialet procedurale i’u kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Prodhimit i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industrial dhe ushqimor, Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë i kryer në bashkëpunim”.

 

Lihet i lirë i arrestuari

 

Ditën e djeshme u zhvillua gjyqi për të arrestuarin për prodhimin e pijeve të falsifikuara në një fabrikë të improvizuar në Tiranë. Ai u la i lirë me masën detyrim paraqitje sipas kërkesës së Prokurorisë që nga ana tjetër thotë se duhet verifikuar edhe pretendimi i policisë nëse ka vepër të prodhimit të kundraligjshëm të mallrave industrial dhe ushqimor. Por ndërsa raportohen si të sekuestruara makineri artizanale për prodhimin e pijeve, koncentrate me afat të skaduar dhe aromatizues e esence, përplasja mes policisë dhe prokurorisë për këtë dosje është e dukshme.  Por megjithëse prokurorët  shpallën të ligjshëm arrestimin e Brahysës duke kërkuar masë detyrim paraqitje, ajo çfarë hetuesit shikojnë të paqartë është perse ky shtetas u prangos kur në dokumentacion ekziston si administratore e biznesit Florena Brahysa. Aktualisht raportohet se janë të bllokuara 3 mijë shishe me pije freskuese të dyshuara si të falsifikuara. Por do të jetë Instituti i Higjienës që do të kontrollojë produktet e sekuestruara për t’i dhënë përgjigje se cila nga palët ka te drejtë. Pyetjet qe autoritetet i drejtojnë eksperteve janë: A i plotësojnë standardet për konsum këto pije? Çfarë përbërësish kimike kanë esencat e dyshuara si të kontrabanduara dhe me kryesorja a janë të dëmshme për shëndetin? Këto janë pyetjet që kërkojnë përgjigje, pasi sipas pamjeve që u publikuan nga Policia dukej që vendi ishte thjesht një improvizim i një shtëpie e cila ishte e kthyer në një fabrikë. Sipas pamjeve kushtet ishin shumë skandaloze dhe të pa përshtatshme për të prodhuar pije freskuese dhe jo vetëm për konsum. Nga Prokuroria u tha se do të vijojnë hetimet ende për këtë fabrikë dhe për të dërguar përpara ligjit të akuzuarit.

 

……………………………………………………………………………………

 

Ushqimet që shiten jashtë standardeve dhe të skaduara

 

Para disa ditësh në emisionin “Stop”është denoncuar një rast, ku shiteshin produktet e importit, jashtë çdo kushti sigurie. Në bazë të ligjit çdo produkt që vjen nga jashtë, duhet të ketë një etiketë në gjuhën shqipe, ku të shkruhen, që nga karakteristikat, kushtet e ruajtjes, afatet dhe përbërja.  Por në shumë raste, një gjë e tillë nuk ndodh. Zbulimi i këtij skandali erdhi pas një denoncimi nga një sipërmarrje që sipas saj hyrja e produkteve në doganë bëhej në mënyrë ilegale dhe pa kontroll. Kjo gjë ka sjell prishjen e konkurrencës por edhe janë rrezik për shëndetin. Sipas denoncuesit produktet u shihen klientëve pa e ditur se çfarë produkti marrin. Një nga produktet që sot është në treg është biskota. Ky nuk ka as etiketë, kush e sjell këtu, numër telefoni apo përbërësit kalorik, që qytetari ta lexojë. Kur nuk ka etiketën mbrapa, ky produkt vjen kontrabandë. Kjo biskotë këtu shitet 180 lekë, ndërkohë në Itali shitet 5 euro. Sipas këtij denoncuesi ka edhe produkte të tjera që mendohet sipas tyre, që mendohet se futen nga Italia. Por produktet duhet të kenë një etiketë mbrapa, e cila mungon në shumë raste dhe që lë dyshime të mëdha se janë kontrabandë.

 

…………………………………………………………..

 

Mishi i importit

 

Skandali me mishin nga Brazili, bllokohen në Durrës 188 ton

 

Shqipëria është një vend që edhe pse ka një prodhim të madh të brendshëm përsëri, importi është shtylla e fortë e ekonomisë dhe e konsumit. Shumë produkte importohen pasi kërkesat e konsumatorit nuk përmbushen nga tregu i brendshëm. Një produkt shumë i konsumuar janë pulat, të cilat importohen nga Brazili. Pjesa më e madhe e këtij produkti vjen nga shteti brazilian. Por ky produkt në shumë raste ka pasur probleme të shumta që para disa ditësh sollën dhe një bllokim të importit. Porti i Durrësit është i vetmi prej të cilit hyjnë ngarkesat me mish nga Brazili. Për një muaj, çdo import i këtij produkti nuk do të lejohet të kalojë ne territorin shqiptar, pa iu bërë më parë analizat. Kjo gjë ka ardhur pas shumë ankesave dhe nga kontrollet e mëparshme duke hasur probleme të ndryshme. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit i ka bllokuar importet për dy ditë me radhë dhe paralizoi tregun vendas,pasi është një nga ushqyesit kryesor të tij. Këtij urdhri i është shtuar një udhëzim i Ministrisë së Bujqësisë, i cili detyron autoritetet që të bëjnë kontrolle derisa të jetë e qartë nëse mishi brazilian është brenda standardeve apo jo, pas dyshimeve të ngritura më herët. Deri tani, Shqipëria ka bllokuar 134 ton mish derri dhe 54 ton mish pule, në magazinat frigoriferike të tre subjekteve që ndodhen në Tiranë, një në Fier dhe një tjetër në Elbasan. Kontrollet po kryhen pasi mishi i ardhur nga Brazili ka arritur të thyejë edhe rregullat e sigurisë në vendet e Bashkimit Europian. Destinacioni i tij është për çdolloj konsumi. Por sa e kanë autoritetet shqiptare nën kontroll situatën? Shoqata e Prodhuesve të Mishit deklaroi se siguria ushqimore në vendin tonë nuk është aty ku duhet. Ekspertët e ushqimit thanë se është e vështirë të fshehësh mishin e kalbur, për shkak të erës së tij, por dyshimet janë se mbi të hidhen solucione që largojnë çdo lloj arome. 33 zyrtarë në Brazil janë nën hetim për dyshime se janë përfshirë në skandalin e eksportit të mishit të viçit të kalbur. Brazili eksporton çdo vit 11 miliardë dollarë mish, duke nxjerrë në vend të dytë Kinën, nga fuqia eksportuese e këtij produkti. Edhe pse ka kaluar më shumë se një muaj nga ky skandal i cili kishte përmasa të mëdha por, më pas ju dha një zgjidhje nga autoritet përkatëse.

 

Sqarimi nga AKU

 

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit  ka reaguar në lidhje me lajmet se importohet mish i kalbur viçi nga Brazili dhe ka sqaruar se nga periudha nëntor 2016 – mars 2017 janë importuar nga Republika Federale e Brazilit drejt Republikës së Shqipërisë, vetëm ngarkesa me mish pule dhe ngarkesa me mish derri. Më pas thuhej se të gjitha ngarkesat e importuara drejt Shqipërisë plotësojnë kërkesat e legjislacionit në fuqi për ushqimin, si dhe kërkesat e marrëveshjes me urdhër Nr.294, datë 13.06.2006. U bë me dije se, nga sistemi Rapid Alert System for Food and Feed, sistemi i lajmërimit të shpejtë për ushqim dhe ushqim për kafshë, nuk ka pasur një njoftim të tillë për Shqipërinë për problematikën në fjalë. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit pavarësisht se nuk ka alert nga sistemi RASFF, për të gjitha ngarkesat me mish pule dhe mish derri të importuara së fundmi në Shqipëri nga Republika Federale e Brazilit, ka bërë bllokimin e tyre, deri në përgjigjen e analizave  prej  mostrave të marra nga këto  produkte.

 

Deklarata

 

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, nuk ka bllokuar importin e mishit nga Republika Federale e Brazilit. AKU ka bllokuar sasi produkti të mishit të importuar nga Brazili për t’u analizuar, sipas procedurës standarde në raste dyshimesh apo rreziqesh në mundshme. Që nga data 23 mars 2017, AKU ka marrë mostra në Pikat e Inspektimit Kufitar (PIK), të çdo ngarkese të ardhur me mish derri apo pule nga Brazili, për t’i analizuar. Këto sasi nuk do të lejohen të dalin në treg për konsumatorin, deri në rezultatin e përgjigjeve nga laboratorët e AKU dhe Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë. Për sa më sipër, kërkojmë bashkëpunimin tuaj për sqarimin e këtij lajmi, i cili është keqkuptuar dhe që mund të shkaktojë panik tek konsumatori ose keqinterpretim tek importuesit e mishit. Një një njoftim tjetër të më vonshëm AKU sqaroi se pas bllokimit të mishit që importohej nga Brazili, u morën mosrat për të bërë analizat e këtij produkti. Mostrat janë çuar në, por edhe në laboratorin e referencës pranë ISUV. Nga përgjigjet e analizave të ardhura nga laboratorët e AKU-së rezulton se parametrat e mishit që ka ardhur nga Brazili, janë brenda normave të lejuara nga ligji. Meqenëse kanë dalë vetëm përgjigjet e analizave nga laboratorët e AKU-së, produkti do të vijojë të qëndrojë i bllokuar deri në daljen e analizave edhe nga laboratori i referencës pranë ISUV.

Loading...

Lini nje pergjigje