Itali/ Arrestohet ushtari i Altin Dardhës, kush është një nga njerëzit e akuzuar për 4 vrasje. Emri

0

Një arrestim i bujshëm është bërë në Itali. Policia e Barit ka vënë në pranga një shqiptar të akuzuar për 4 vrasje, ndërsa sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, bëhet fjalë për Gëzim Kasemin, 40 vjeçarin e lindur në Berat dhe të dënuar për vrasje.

Shqiptari është vënë në pranga nga policia kriminale e Kuesturës së Barit pasi ndaj tij ishte lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar për kapjen dhe ekstradimin e tij në Shqipëri, ku i duhet të vuajë dënimin.

Sipas asaj që shkruajnë mediat, Gëzim Kasemi është një nga pjesëmarrësit në vrasjen e 4 personave ngjarje e ndodhur në 25 shkurt 1998 në Berat.

Sipas asaj që shkruhet në mediat e kohës, Gëzim Kasemi ka qenë i akuzuar nga Prokuroria e Beratit për veprat penale të “vrasjes me dashje”, “vrasjes së mbetur në tentative” dhe “armëmbajtje pa leje”, të gjitha këto në bashkëpunim.

Por në fund mësohet se është dënuar me 3 vite e disa muaj burg, për shkak se gjatë hetimit rrethanat e vrasjes për të cilat e akuzonte prokuroria janë rrëzuar. Në gjyq Kasemi ishte shprehur se kishte qenë vetë peng i Altin Dardhës.

Altin Dardha dhe banda e tij akuzoheshin për vrasjen e Burhan Tomorit, Abdyrrahim Tomorrit, Behar Eskiut dhe Kastriot Bejkos, si dhe plagosjen e Ramadan Eskiut dhe Vlash Shkurtit.

Atentati ndodhi pranë stadiumit të qytetit, vetëm pak metra larg nga dera e Drejtorisë së Policisë, në kohën që gjashtë viktimat po pinin kafe në një lokal. Atentatorët u larguan drejt fshatit Uznovë, ku vranë një të moshuar për t’i tërhequr vëmendjen policisë.

Pas kësaj policia mundi të arrestonte Kasemin, ndërsa Altin Dardha bashkë me një tjetër person morën peng një oficer policie dhe u larguan rrugëve të fshatrave të zonës. Shoku i Altin Dardhës u vra ndërsa po i bënte rezistencë policisë, ndërsa Dardha mundi të largohej, por tre ditë më vonë thuhet se është vrarë në rrethinat e Janinës nga killeri nga Kuçova, Arjan Paja.

Image

Image

Lini nje pergjigje