BSH: Rritet vështirësia në ekzekutimin e kolateraleve

0
201

Ligji i ri i falimentin nuk e ka përmirësuar ekzekutimin e kolateraleve për kreditë e këqija. Shqetësimi vjen nga vetë bankat private, të cilat të pyetura nga BSH deklarojnë se risku i ekzekutimit të kolateraleve është rritur në dy vitet e fundit, ndërkohë që në gjashtëmujorin e parë të këtij viti mbeti i pandryshuar.

” Perceptimi mbi rrezikun që buron nga procesi i “ekzekutimit të kolateraleve” mbetet relativisht i lartë dhe ka qenë i pandryshuar gjatë periudhës së gjashtëmujorit,” deklaroi BSH.

Në fund të vitit të kaluar qeveria miratoi një ligj të ri për falimentin, i cili synonte ta përmirësonte këtë proces. Paralelisht me ndihmën e Bankës Botërore u ndërmorr një reformë e gjerë, edhe në sistemin e përmbarimit. Por sipas vetë bankave private rreziku i ekzekutimit të kolateraleve nuk është përmirësuar.

Ekzekutimi i pronave që janë vënë si peng për kreditë me probleme është një proces i vështirë. Sipas ekspertëve, ky është dhe një nga shkaqet kryesore të krizës së kredive, që po kalon vendi.

Në gjashtë muajt e parë të vitit, kredia për ekonominë u ul me 0.9 për qind krahasuar me një vit më parë. Të trembura nga niveli i lartë i kredive të këqija, Bankat kanë shtrënguar ndjeshëm kreditimin për biznesin, duke penguar investimet e reja dhe rritjen ekonomike.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në gjysmën e parë të vitit, Shqipëria ishte i vetmi vend në Ballkan me rënie të kredisë, ndërsa në ekonomitë e tjera huaja për ekonominë është rritur nga 2 deri në 10 për qind.

Sipas të dhënave të detajuara, rënia më e madhe e kredisë ka ndodhur pikërisht në segmentin e biznesit.

Kredia për biznesin vendas u tkurr me 5% krahasuar me një vit më parë. Gjatë periudhës, tkurrja më e madhe ndodhi në tepricën e kredisë për “kapital qarkullues” dhe “blerje pajisjesh,” – deklaron BSH.

Rënia e kredisë është konsideruar nga ekspertët si një nga rreziqet më të larta për ekonominë shqiptare, pasi ajo është e lidhur direkt me investimet por edhe rritjen ekonomike.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here