Kompania e vlerësimit financiar: Shqipëria ta harrojë BE deri në 2030-ën!

0

“Panorama për reformën në gjyqësor është përmirësuar e ndjekur nga fitoja e kryeministrit Edi Rama i Partisë Socialiste në zgjedhjet e qershorit 2017”. Është kjo hyrja e raportit të BMI Reasearch, një kompani e grupit Fitch( një prej tre agjencive më të rëndësishme të vlerësimit të riskut të kreditit në botë) për riskun që paraqet Shqipëria. Deri këtu gjithçka duket shumë optimiste për vendin por panorama të përmbyset sapo lexon fjalinë e dytë të tij. “Mbeten interesa vetjakë të lidhura me reformën që e kundërshtojnë procesin e saj, por kjo(reforma)  është një kërkesë kyçe për pranimin në Bashkimin Europian, dhe për këtë arsye ne mbetemi skeptikë që Shqipëria do t’i bashkohet BE brenda dekadës tjetër” thuhet në të njëjtin raport. Në fakt Shqipëria është në përpjekje për të hapur negociatat të cilat deri më tani nuk kanë pasur dritë të gjelbër nga ana e BE-së por që qeveria dhe kreu i saj Rama kanë nënvizuar se prishmëritë janë për vitin e ardhshëm. Gjithsesi përpara hapjes vendi ynë duhet të plotësojë detyrat që i janë caktuar që nuk lidhen vetëm me hapat e zbatimit të reformës në drejtësi.  “Një kontraktim i vazhdueshëm i sektorit privat dhe një parashikim për inflacion të dobët do të thotë se ne shohim Bankën e Shqipërisë të mbajë një politikë monetare lehtësuese në 18 muajt e ardhshëm edhe nëse rritja ekonomike mund të përshpejtohet” vlerëson raporti

 

 

 

Të ardhura të ulta pë frymë

 

Të ardhurat për frymë të shqiptarëve arritën në 4711,9 dollarë për frymë në vitin 2016. Kjo vlerë është sa 37 për qind e mesatares globale për këtë vit, përllogariti portali i të dhënave mbi ekonominë globale, Trading Economics. Mesatarja globale e të ardhurave për frymë në vitin 2016 arriti në 12,732 dollarë, gati tre herë më e lartë se mesatarja e të ardhurave për frymë të Shqipërisë. Ky krahasim tregon se Shqipëria ka një hendek të madh në arritjen e standardeve mesatare globale të nivelit të jetesës. Disa studime rajonale tregojnë se Ballkanit në përgjithësi i duhet edhe të paktën 50 vite që të arrijnë nivelin ekonomik të vendeve anëtare të BE, por specifikisht Shqipërisë i duhen më shumë vite. Sipas Trading Economics, PBB-ja për frymë në Shqipëri është rritur mesatarisht nga 2655 dollarë në vitin 1980, në 4711 dollarë në vitin 2016. Rekordi më i ulët i të ardhurave për frymë ishte në vitin 1992 ishte 1243 dollarë për frymë.

 

Në projeksionet e saj për ecurinë  ekonomisë shqiptare për vitet në vijim përcaktohet se, kulmi i rritjes do të jetë këtë vit me rreth 3.4 për qind. Në tre vitet në vijim 2018, 2019 ekonomia e vendit do të rritet me ritme më të ulëta respektivisht me 3.3 dhe 3.2 për qind, ndërsa ne vitin 2020 rritja ekonomike do të jetë 2.2 %. Kjo periudhe parashikimi përkon me përfundimin e projektit të gazsjellësit TAP prej të cilit po buron edhe një pjesë e konsiderueshme e rritjes ekonomike të vendit. Kulmi i punimeve në këtë projekt është këtë vit, ndërsa dy vitet në vijim fluksi vjen në rënie.

 

 

 

Taksat dhe korrupsioni shqetësim kryesor

 

Forumi Ekonomik Global ka publikuar raportin e konkurrueshmërisë globale 2017-2018, ku Shqipëria është renditur në vendin e 75 nga 137 shtete, me një përmirësim prej 5 vendesh në raport me vitin e kaluar dhe duke pasur pozicionimin më të mirë në rajon. Nga analiza e detajuar e raportit konstatohet se faktori më problematik për të bërë biznes, i cilësuar si i tillë nga drejtuesit e sipërmarrjeve shqiptare, janë taksat, me 21.7 pikë. Shqetësimi i dytë është korrupsioni, me 16.4 pikë. Më pas renditen aksesi në financë, rregullimi i taksave, qeverisje ineficiente dhe burokratike, forca e papërshtatshme e punës, inflacioni, etika e ulët e forcës së punës, për të vijuar deri te shqetësimet më të vogla si regjimi i monedhave të huaja dhe rregullat kufizuese të tregut të punës.

 

Një vit më parë, në renditjen e vitit 2016 kishte qenë korrupsioni shqetësimi kryesor, me 23.6 pikë, i ndjekur nga taksat me 21.3 pikë. Nga një listë prej 16 faktorësh, drejtuesit ekzekutive të anketuar nga Forumi Ekonomik Global u pyetën që të zgjidhnin pesë faktorët më problematikë për të bërë biznes në vendin e tyre dhe t’i rendisin ato midis 1 (më problematiku) dhe 5. Pikëzimi i korrespondon peshimit të përgjigjeve në bazë të renditjes. Edhe në Serbi (në vendin e 78), që ka taksa të krahasueshme me ne, shqetësimi kryesor janë taksat, ndërsa në Mal të zi është aksesi në financë, ndërsa taksat jashtë shqetësimi i shtatë. Në Bosnjë, që është në total në vendin e 103, shqetësimi kryesor është ineficienca dhe burokracia e qeverisë, teksa ky shtet vuan pasojat e ndarjes etnike dhe institucionale. Maqedonia mungon këtë vit në renditje.

 

 

Lini nje pergjigje