Rrëfimi i parë si kryeministër i Ramush Haradinaj (VIDEO)

0
168

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj intervistën e parë të tij si kryeministër e ka dhënë mbrëmjen e sotme në SYRI.net në emisionin ‘FAKT’ të gazetarit Çim Peka.

Duke folur për herë të parë si kryeministër për mediat shqiptare, Haradinaj tregon se çfarë do të kërkojë në mbledhjen e përbashkët me qeverinë e Shqipërisë.

Kryeministri i Kosovës komenton edhe thirrjet e Albin Kurtit për të votuar kundër Angela Merkelit, por nuk anashkalon edhe projektin e Jugosllavisë së Re.

INTERVISTA E PLOTË E RAMUSH HARADINAJT PËR ÇIM PEKËN NË SYRI.net

Çim Peka: Z. Kryeministër urime dhe të falënderoj që gjetët kohën sepse keni nisur fushatën, për të dhënë intervistën e parë për një media shqiptare, në fakt për ueb-in më të madh në Shqipëri.

Ramush Haradinaj: Ju faleminderit, jemi në punë edhe ajo na e bën të vështirë, por na bën nder.

Peka: Z. Kryeministër, po e filloj direkt me atë çfarë ka qenë habia e parë të paktën për atë që vërehet ne Shqipëri. Vetëm pak muaj më parë, Haradinaj është mbajtur për 3 muaj në Francë nga autoritetet pasi ka një fletëthirrje nga qeveria e Serbisë ndaj jush. Si është e mundur që Ramush Haradinaj, politikani më i lartë kosovar ka një fletëthirrje dhe është ndaluar disa herë, pasi serbët këmbëngulin shumë, të ketë një qeveri ku ‘king-maker’ ka pakicën serbe?

Haradinaj: Çdo gjë është e popullit, forca e popullit është më e madhe se forcat e tjera. Përkrahja që më kanë dhënë qytetarët e vendit për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, partia që udhëheqi partnerët e koalicionit, kanë bërë që të kem një shumicë dhe besim që të arrij tek mandati për qeverinë. Situatë kjo që pastaj nuk le shumë zgjidhje për të tjerët, pra jo të gjithë bashkohen.

Peka: Kjo është e vërtetë, por ka një përshtypje ndoshta në Shqipëri se serbët e Kosovës, komandohen politikisht nga Beogradi. Kush ka bërë negociata ndërmjet Listës Serbe dhe kryeministrit Haradinaj? Keni qenë ju, apo ka pasur ndërmjetës të tjerë?

Haradinaj: Arritja te e drejta e mandatit, i mandatumi, tek ne me Kushtetutë të jep mundësin e parë të krijimit te qeverisjes. Për të gjitha komunitetet pastaj, zgjidhja mbetet e paktë, pjesëmarrja ose mbetja në opozitë. Pra ndryshe, ajo që përshkruhet si negocim me serbët është ndoshta vetëm marrje e përgjegjësisë edhe nga komunitetet jo serbe dhe serbët e Kosovës. Kjo ka ndodhur. Këtë kam ushtru unë me ta, kam kërkuar marrjen e përgjegjësive në qeverinë që unë udhëheqi.

Peka: Në intervistën e para pak ditëve ish-kryeministri dhe ish-presidenti Sali Berisha i cili ne fakt ju uroi përzemërsisht. Por qe Berisha e komentoi në këtë aspekt: do doja shumë që lista serbe të ishte promovuese e interesave të Kosovës në qeveri, por dyshonte se do të ishte penguese dhe duke qenë se është ‘king-maker’ e kësaj qeverie e shikonte me pak skepticizëm mundësinë e Ramusha Haradinaj për të qeverisur me Listën Serbe.

Haradinaj: E ruaj respektin për presidentin Berisha dhe Kosova e ka çmuar shumë. Kjo është një situatë e definuar tek ne. Kushtetuta jonë e parashikon kush jemi, të gjithë të zgjedhurit, nga unë e deri tek i fundit kemi dhënë betimin në parlamentin e Kosovës për të mbrojtur dhe zbatuar kushtetutën e vendit. Ka qenë publike ngjarja. Kjo është e vërteta e qeverisë së Kosovës.

Peka: A ndihet Ramush Haradinaj kryeministër me duar të lidhura për të bërë atë që ai ka dëshirë, falë numrit dhe Listës Serbe?

Haradinaj: Dita e zgjedhjes në Kuvend, dhënia e betimit në Kushtetutë më jep fuqi të zbatoj atë që është e drejtë e këtij vendi.

Peka: Shumë faktor politik, por edhe mediat në Kosovë i kanë mëshuar fort faktit se një prej ministrave të qeverisë tuaj është akuzuar se ka kryer krime edhe akte dhune gjatë pushtimit serb në Kosovë.

Haradinaj: Institucionet përkatëse të vendit që është Agjencia e Inteligjencës së Kosovës, Prokuroria Speciale dhe Njësitë Hetuese të Policisë së Kosovës, i kanë dhënë të gjeturat e veta. Të dhënat e të gjitha këtyre agjencive rezultojnë se nuk ta dhëna për një gjë të tillë. I kemi marrë në shqyrtim këto lajme, por dikujt duhet ti besojmë. Janë organet kompetente të cilat u besojmë.

Peka: Kosova sot është e lirë falë luftës së popullit të saj dhe aleatëve. Për këto arsye faktori ndërkombëtar në Kosovë është me shumë peshë. Cilat kanë qenë reagimet e miqve dhe aleatëve të Kosovës, në lidhje me mandatimin tuaj si kryeministër?

Haradinaj: Reflektimet që kanë marrë kanë qenë korrekt. Kanë shqetësim për punët në Kosovë e janë të shqetësuar edhe sot. Kosova shikohet me shqetësim për korrupsionin që është endemik, me mosveprimin apo mosmarrjen e vendimeve qeverisëse që akumulohen. Me pafuqinë e Kosovës në mbrojtje të interesave të veta, jo veç brenda, por edhe jashtë. I ndajmë këto shqetësime. Çdo  herë komunikimi im është korrekt. Jemi Kosova, shtet i pavarur dhe sovran. Partneriteti me vendet mike e sidomos me Amerikën ka lindur me lindjen e lirisë tonë. Është e përjetshme. Por edhe përcaktimi ynë për tu anëtarësuar në BE është i vërtetë, e po punojmë. Ishte diçka e mirë dhe respekt besoj për popullin e Kosovës, një reagim i shpejtë i udhëheqësve botëror dhe i urimeve që pasuan në ditët e para, Kancelarja Merkel, por kishte edhe plot të tjerë e kryeministra e udhëheqës të vendeve, njerëz me peshë nga Kongresi Amerikan e Departamenti i Shtetit. Shikohet një interesim serioz që në projektet që kemi nisë si qeveri me qenë bashkë. Besoj e keni parë dinamikën qeverisëse, e kjo nuk është një qeveri që po zgjedh temat të mira e të lehta apo të vështira. Po i kryen punët e vendit. Kosova ka për të tregu se është e aftë për të qenë vetvetja dhe për tu zhvillu.

Peka: Z. Kryeministër kur do ta ketë vizitën e parë jashtë Kosovës, Ramush Haradinaj si kryeministër dhe a keni dyshime e frikë se fletë-arresti serb mund të ekzekutohet në vendet e tjera?

Haradinaj: Unë e kam një përgjegjësi dhe një detyrim, ndaj qytetarëve të Kosovës. Vetëm frikës nga turpërimi ndaj popullit tim i druhem. Për frikëra të tjera, gjithkush ti mbajë, por unë nuk i mbaj. Vizita ime e parë është në Tiranë. E kam ftesë prej kryeministrit Edi Rama. E kam pranuar me respekt e ku do të takoj kryeministrin, presidentin, por edhe opozitën.

Peka: Në fakt në Shqipëri, kryeministri Rama ka njoftuar se do të ketë një mbledhje të dy qeverive. Është një praktikë qe e nisi me qeverinë e Thaçit, e bëri me qeverinë Mustafa, por në aspektin politik kanë qenë më shumë takime folklorike sesa kane pasur ndonjë produkt. Nga mbledhjet e përbashkëta të 2 qeverive nuk ka ndonjë arritje të prekshme. I jeni përgjigjur ftesës së Ramës për hir të të qënit shqiptar apo edhe ju mendoni se folklorizmi duhet në politikë. Çfarë agjende keni për mbledhjen e 2 qeverive. Është bërë edhe praktikë në Shqipëri që Rama për të treguar njëfarë superioriteti ndaj homologëve ju shkon në takime me atlete ose me tuta. Ka ndodhur. Si do të ndihet Ramush Haradinaj, nga natyra një njeri që ushtrohet fizikisht, sportist, por kostumin e zyrtarit  e respekton, në rast se Edi Rama ju vjen me atlete ose me tuta?

Haradinaj: Shumë pyetje menjëherë.

Peka: Të nisim me atletet e Ramës dhe kalojmë tek folklorizmi i mbledhjeve.

Haradinaj: Të vetmit që e gjykojnë kryeministrin Rama janë qytetarët e Shqipërisë të cilët  e votojnë, nuk e gjykoj unë. Është i zgjedhuri i vëllezërve dhe motrave të mi.

Peka: Do ndiheshit komod ta kishit me tuta e atlete në mbledhje qeverie?

Haradinaj:  Nuk e gjykoj fare. Ata që e kanë zgjedhë ta vlerësojnë. Ajo që më intereson mua është që kryeministri i Shqipërisë e nuk është fakti që kryeministër është Rama sot, është vëllau i madh dhe që prin proceset. Nuk ndiej asnjë dëmtim të çfarëdo natyre si për Kosovën, për mua, apo për politikën nëse Shqipëria prin. Shqipëria është shtet mbi 100 vite. Ka qenë flamuri ynë gjithë kohën. Dëshira ime është të ik nga këto aspekte dhe për të kaluar në veprim. Nëse nuk kryejmë punë të mëdha, të bëjmë ca të vogla.

Peka: Keni vizitë zyrtare për të takuar të gjithë faktorët politikë, apo vetëm mbledhje të dy qeverive. Ka një agjendë…

Haradinaj: Nëse më lejon vetëm një detaj, ne kemi një pikë kalimi kufitar që në raste të caktuara ka radhë. Është e pakuptimë që një qytetar që vjen nga Shqipëria, Tirana për në Shqipëri që të presë aty në kufi. Është diçka që mund ta zgjidhim. Ose bëjmë 100 kalime që të mos presin, ose kalojmë në një sistem tjetër, si kamera dhe veç kur ka dyshime mund të ndalohet. Mund të bëjmë disa veprime të tilla, sepse në gjithë botën është ulur kontrolli. Jam i interesuar për të bërë këtë. Takimi nuk është i dy qeverive edhe pse unë do të marr disa ministra sepse dua të diskutojmë tema. Ky është një takim i parë mes kryeministrit të ri të Kosovës dhe Shqipërisë. Një mbledhje mes dy qeverive është paralajmëruar për në datën 27 nëntor. Ishte ministri i Jashtëm, Pacolli që i ka nisur përgatitjet. Jemi për një mbledhje të përbashkët. Por jemi të interesuar që kur të bëhet kjo mbledhje të kemi disa rezultate reale që ndikojnë në qarkullimin e njerëzve e të mallrave, por edhe më shumë se kaq, se jemi shqiptar.

Peka: Në agjendën e kryeministrit Haradinaj kur është takimi i parë në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës dhe serbëve?

Haradinaj: Unë gjykoj ndryshe. Unë jam çdo ditë në Bruksel, për shkak se zbatoj agjendën evropiane të Kosovës, një agjendë që ka qenë e fjetur. Ato detyrat që kanë qenë të parashikuara të kryhen. Identifikoj nga MSA detyrimet qeverisëse. Synimi im është të arrijmë statusin e kandidatit. Është e dhimbshme që ne si Kosovë, në kuadër të këtij dialogu që po mbajmë, ta reduktojmë vetëm tek liberalizimi i vizave. Në kërkojmë statusin kandidat. Liberalizimi i vizave është realizimi i parë, por kjo nuk mjafton. Kosova nuk mund të jetë partner i mirë në dialog, nëse nuk është vetëvetja dhe nëse nuk ka garanci në perspektivën e vet, se çfarë ndodh me Kosovën më tej. A jemi ne anëtarë të BE-së, kur bëhemi anëtar i NATO-s. Agjenda ime është e tillë: Siguroj Kosovën, kush jemi dhe në çfarë dinamikash po avancojmë dhe nuk na pengon dialogu. Është alternativë dialogu me fqinjët edhe pse historia me Serbinë është dramatike. Nuk është dialogu në vetvete qëllimi. Qëllimi ynë është konstituimi i Kosovës.

Peka: Atëherë tani qe po flasim, gjermanët po votojnë. Një prej liderëve të opozitës ka bërë thirrje që të votohet e majta gjermane. Zyrtari më i lartë kosovar, ju kryeministri Haradinaj keni reaguar dhe jeni shprehur se po bën thirrje të votohen ish-aleatët e Millosheviçit. Në fakt në kohën e luftës së Kosovës, kancelari i Gjermanisë ka qenë Shrëder, një i majtë për të cilën ka bërë thirrje Albin Kurti për ta votuar. E keni lexuar korrekt thirrjen e Kurtit apo ndoshta jeni ngutur kur keni paragjykuar ish-partinë e Shrëderit si aleate të Millosheviçit.

Haradinaj: Deklarimet e opozitës për shumë tema unë i kam përfshirë në një paketë, nuk kam folur për një moment të caktuar. Opozita flet çdo ditë, zyrtarë të tyre për shumë tema. Unë i kam kategorizuar përkrahjen për lëvizje të majta në Europë dhe solidaritetin me to, që mund ti sjellë në momente të caktuara, vështirësi vendit tonë për shkak se epiqendra e këtyre lëvizje e dimë se ku graviton. Nuk po flasim për të majtën shqiptare, sepse ne jemi shqiptarë, por po flasim për plot lëvizje  të majta që ekzistojnë sot në Europë. Është e vërtetë që udhëheqë të majtë kanë shprehur publikisht mbështetjen për regjimin e atëhershëm dhe ka pasur vizita që i kemi parë në ekran sepse ne kemi qenë të interesuar për të parë si po pozicionohen në kohën e luftës tonë. Kjo nuk reduktohet vetëm me këtë. Ka plot organizma ndërkombëtarë që si kanë të qarta agjendat ndaj Kosovës dhe ndaj shqiptarëve. Unë e di se pse një pjesë spektrit politik kohë pas kohe paguan borxhin ndaj këtyre fondacione që janë edhe botërore të njohura.

Peka: E konsideroni si larje borxhi …

Haradinaj: Po, ashtu është. Për shkak të përkatësisë dhe ndjenjës. Kur dikush interesohet për tema të caktuara e ka një arsye pse ndodh.

Peka: Z. Haradinaj, opozitën e bëtë me Albin Kurtin, qeverinë me Kadri Veselin. Çfarë ju bëri të krijoni këtë aleancë parazgjedhore?

Haradinaj: Unë sot jam në qeveri, por si opozitar i djeshëm. Unë kam ardhë me temat që më kanë sjellë këtu, të cilat ti zbatoj. Temat për të cilat unë besoj dhe kam besu.

Peka: Tema kryesore që keni spikatur në opozitë është demarkacioni… A mund ta mbajë këtë premtim, politika e Ramush Haradinaj si kryeministër?

Haradinaj: Nuk është e Ramushit, është e Kosovës. Territori, kufiri është i yni, është në kullë. Aty do të mbetet.

Peka: Jeni i sigurtë? Në rast se malazezët nuk heqin dorë nga marrëveshja e parë?

Haradinaj: Unë nuk kam ndonjë vendim për ta. Ai është vendim i tyre. Unë tregoj çfarë vendosi unë. Marrëveshje të njëashme për kufirin nuk ka.

Peka:  A keni pasur presion. Mediat kanë raportuar se ambasadori i SHBA është shprehur shumë ashpër pas shkrirjes së Komisionit Shtetëror për Demarkacionin.

Haradinaj: Nuk kam një shqetësim të tillë. Jam në kontakt të vazhdueshëm me ambasadorin këtu, zyrtarë të tjerë të ambasadës me nivele të tjera. Nuk ka një reflektim të tillë. Është interes i të gjithëve që Kosova të mos e vonojë veten edhe me këtë marrëveshjen dhe të tjera, por ekziston një situatë e qartë si vend sovran, si qeveri i një vendi sovran të kalojmë nëpër etapa këtë proces si çdo vend i botës. Këtu ka standarde, nuk dalim nga logjika.

Peka: Jugosllavia e re. Mediat gjermane kanë cituar vazhdimisht dhe kanë pasur një intervistë të ish-kryeministrit, tani presidentit Aleksandër Vuçiç për krijimin e Jugosllavisë së re, kryesisht me qendër Beogradin, pavarësisht se projekt-marrëveshja e parë ka ndryshuar. Edhe në Durrës  Hahn u shpreh qartë për vendet e Ballkanit: Për disa kohë harrojeni Brukselin, shikojeni Beogradin. A ka Ramush Haradinaj një qëndrim për këtë. A do të ishte i gatshëm, Ramush Haradinaj, luftëtar i UÇK-së të ishte pjesë e një Jugosllavie të re, qoftë edhe virtualisht.

Haradinaj: Një përcaktim kemi në integrimin evropian, Kosova e ka përvetësu të gjithë MSA-në. Ne e mendojmë si proces shumë të dobishëm procesin e Berlinit që ju ka dhënë mundësinë vendeve të rajonit për të përshpejtuar disa procese, për tu shpjeguar. Është një proces shumë i rëndësishëm dhe japim përkrahje. Kuptohet çdo zhvillim rajonal drejt integrimit, që krijon parametrat që na integrojnë, ne nuk jemi kundër. Brukseli udhëheq dhe Berlini ka peshën e madhe. Ne nuk po kërkojmë epiqendra të tjera. Nuk kemi as pragmatizmin dhe nuk kërkojmë. Epiqendrën shqiptare e kemi në Tiranë, por ne nuk kërkojmë epiqendër tjetër.

Peka: Në verën e 2009, pas një takimi me ish-kryeministrin Berisha folët për një marrëveshje politike, partneriteti mes AAK-së dhe PD-së të firmosur nga ju dhe ish-sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode. A ka sot një marrëveshje ndërmjet dy partive apo ishte marrëveshje mes Ramush Haradinajt dhe Sali Berishës.

Haradinaj: Ka qenë një marrëveshje mes nesh dhe PD së Shqipërisë, e nënshkruar nga presidenti Berisha dhe unë. Do të thotë një respekt i ndërsjelltë. Mendojmë se është një praktikë e mirë e partive të krahut të njëjtë. Aleanca është parti qendër e djathtë. Po shkojmë drejt procesit të anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare. Në marrëdhëniet ndërshqiptare nuk na pengon krahu politik. Është e majta, e djathta, i mesëm, liberal, jemi shqiptarë e nuk bëjmë përjashtim. Nuk e bazojmë partneritetin në këtë krah. Jemi shqiptarë jemi në tema të pa përmbyllura është një demokrati jo aq e zakonshme sa për mua të vlejë më shumë një e djathtë e një vendi fqinj për shkak se unë jam parti e djathtë e më pak me vlejtë një parti shqiptare e majtë. Unë kam respekt për gjithë respektin politik në vend. Nuk e kemi dinamizuar këtë marrëveshje tani. Ajo ka mbetur një marrëveshje bazë e nuk e kemi një dinamikë të marrëveshjes me PD-në. Ruhet një komunikim, por kemi kontakte edhe me LSI-në, zotin Meta edhe me PS-në. Jemi të hapur, kam marrëdhënie të mira në Shqipëri.  Vazhdoj të kem një komunikim edhe me Mbretin Leka, unë i them mbret, e di që ngutemi në procedura, por është vazhdim i familjes mbretërore. Edhe me plot njerëz në Shqipëri.

Peka: Ramush Haradinaj kryeministër, Kadri Veseli kryetar parlamenti, Hashim Thaçi president. Atë që mediat e konsiderojnë si ish-krahu i luftës sot drejton të gjitha institucionet kyçe në Kosovë. A mendoni se është shansi i fundit i ish-krahut të luftës për të realizuar pritshmëritë e popullit të Kosovës që ju besuan nga 1999 e këtej?

Haradinaj: Dua të falënderoj të gjithë shqiptarët dhe z. Kadare. Nuk dihet kur është fundi. Unë nuk e përdori.

Peka: Është një dekadë…

Haradinaj: Është shumë e rëndësishme dhe kritike në vend, suksesi në vend duhet të ju shkojë të gjithëve jo vetëm ish-UÇK-së. Pa u përfshi një shoqëri në proces nuk ka sukses. Ne kemi interes jetik suksesin në Kosovë. Unë për atë kam marrë përgjegjësi, për atë punoj rreth 16 orë në ditë edhe të dielën dhe të tërë atë që punojnë me mua janë të vetëdijshëm që detyra jonë është ti shërbejmë qytetarit. Ne i marrin para qytetarit, taksa, ai na paguan të ja japim këto shërbime qeverisja është kjo.

Peka: Dy herë jeni mandatuar për kryeministër nga Presidenti Rugova dhe Presidenti Thaçi. Kush ju ka emocionuar më shumë?

Haradinaj: Atëherë ka qenë kontekst tjetër, ka qenë shumë ndryshe, por është nder për mua nominimi i atëhershëm nga Presidenti Rugova. Po ashtu edhe tani është përgjegjësi e madhe.

Peka: Z. Haradinaj, ju falënderoj dhe suksese.

Haradinaj: Ju falënderoj gjithashtu Çim.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here