Në Teatrin Kombëtar/ Rozi Kostani vjen me “Vdes siç vdes një vend”: Shfaqja vjen me një të vërtetë të madhe

0
322

Ne shpesh herë gjendemi në situata kur shajmë vendin tonë. Në fakt s’ka faj vendi, në fakt e kemi fajin ne. Ne e bëjmë këtë vend shterpë. Sepse pjesa fillon; asnjë grua nuk lindi fëmijë…

 

“Ky vend është makthi ynë. Do na vdesë, do na çbëjë. Si do shpëtojmë? Na pi gjakun, na pi. Nuk më lë më të fele, më ka vjedhur gjumin. Si mund të jetohet pa gjumë? Nuk do jetojmë… Gjithë sperma re burrës nuk do mjaftonte të ngjallte atë të çarëzën e trupit nga nis jeta njerëzore…” Është ky një fragment nga vepra që na njeh me “Vdes, siç vdes një vend”. Një psikanalizë letrare nga autori grek Dimitris Dimitriadis për vendin, konktretisht Greqinë, që ka humbur identitetin e saj dhe po dekompozohet ngadalë. Kjo vepër është përkthyer në gjuhë skenike, pra në një shfaqje teatri nga Rozi Kostani, e cila është e angazhuar edhe si regjisore, por edhe si aktorja kryesore. Premiera e shfaqjes u dha mbrëmjen e enjte, në 21 shtator dhe do vazhdojë të shfaqet për publikun shqiptar deri në 24 shtator. Rozi Kostani ka përzgjedhur aktorët Alfred Trebicka, Rozi Kostani, Violeta Trebicka, Ina Morinaj, Benada Mulla, Silvio Goskova, Lejda Celi, Artan Skenderasi, Kesina Lami, Arild Stafa, Jona Hoxha, Armando Mehmeti për ta realizuar këtë shfaqje. Rozi Kostani vjen në këtë intervistë për gazetën ‘Standard’ për të folur më shumë rreth shfaqjes ‘Vdes siç vdes një vend’.

Intervistoi: Irini Meçe

 Rozi çelët sezonin artistik në Teatrin Kombëtar me shfaqjen “Vdes siç vdes një vend”. Për publikun që ende nuk e ka parë, si vjen kjo shfaqje?

Vjen me një të vërtetë të madhe. Vjen për të kuptuar marrëdhënien tonë me vendin, për të kuptuar se sa ne e shkatërrojmë çdo ditë atë dhe çfarë dëmesh i sjellim. Dhe duke i sjell dëm vendit, i kemi sjellë në këtë mënyrë dëm edhe vetvetes. Është një thirrje, një mesazh që sa më shumë ta kuptojmë që po i bëjmë keq vendit, aq më shumë do ta ruajmë dhe do ta duam veten. Kjo vepër është shkarkuese, shkarkon gjithë ato akumulime. Është kaq e drejtpërdrejtë, e çon thikën deri në palcë. Aktualizimi i veprës është me shumë detaje aktuale. Ne shpesh herë gjendemi në situata kur shajmë vendin tonë. Siç thotë teksti e shajmë njëherë ‘kurvë’ njëherë ‘putanë’. Në fakt s’ka faj vendi, në fakt e kemi fajin ne. Ne e bëjmë këtë vend shterpë. Sepse pjesa fillon; asnjë grua nuk lindi fëmijë…

Është vepra e autorit grek Dimitris Dimitriadis, e cila ka në qendër një shoqëri që ka humbur identitetin e tij dhe dalëngadalë dekomopozohet. Çfarë ju ka ngacmuar ju nga kjo vepër që ta përkthenit në anë skenike, pra ta sillni në shfaqje teatri?

Në fakt ngacmimi ka qenë i përkthyeses Eleana Zhako që ma propozoi në fillim si aktore dhe pastaj u intrigova vërtetë shumë kur më bëri propozimin tjetër si regjisore. Ishte goxha sipërmarrje e madhe në fakt, sepse për t’i bërë të dyja, si regjisoren dhe aktoren ishte shumë e vështirë, shumë e lodhshme, por kur e do diçka realizohet. Kjo vepër është krejtësisht provokatike. Kjo vepër është dramatike. Është një psikoanalizë e një vendi siç është Greqia në rastin konkret, por që autori Dimitris Dimitriadis ka dalë përtej Greqisë. Ky autor është i vërtetë shumë. Unë mendoj që një njeri që gjen forcën për ta urryer vendin e tij, është pasojë e një dashurie të madhe. Unë them që ky e do më shumë vendin e tij. Ky autor e ka dashur më shumë Greqinë sepse ia ka thënë të vërtetat, është si ai prindi që e shan, i bërtet fëmijës , por ama ai të do prandaj dhe të kritikon. Ndryshe nga të tjerët që e shesin dhe e blejnë vendin sa herë që të duan. Unë jo më kot e kam futur personazhin e Viloleta Trebickës, pra vendin që personifikohet nga ajo, në një karrocë supermarketi.

E gjithë Europa ka gjetur veten tek kjo vepër dhe është vendosur në shumë skena teatrore të Europës, duke filluar nga Parisi e para, pastaj në Itali, Gjermani, së fundmi në Spanjë etj. Përderisa këto vende e kanë gjetur veten në këtë vepër ‘Vdes siç vdes një vend’, ne jemi thellësisht më brenda.

Sa aktuale është tematika e kësaj vepre me shoqërinë shqiptare sot?

Është shumë aktuale. Kjo vepër është shkruar në vitin ’78, por janë grekërit vetë që thonë tani se Greqia vazhdon të jetë akoma kështu siç është përshkruar situata në vepër.

Unë jam e lumtur sepse në mbrëmjen e premierës kisha autorin dhe në fakt përveçse isha e lumtur kisha një përgjegjësi akoma më të madhe mbi shpatulla, sepse ai e ka parë këtë vepër në shumë skena teatore nëpër vende të ndryshme, edhe në një intervistë para se të vinte në Shqipëri ka thënë që ‘jo shumë herë kam dal i kënaqur, por gjithsesi ato janë zgjidhjet që i japin vetë regjisorët’.

Si ishte reagimi i tij kur pa shfaqjen?

Reagimi i tij ishte i jashtëzakonshëm. Më ka bërë shumë komplimenta dhe as që nuk i prisja. Unë isha në ethe se si do ta percetojë ai shfaqjen, por ai ishte befasuar nga performanca jonë, ishte befasuar nga zgjidhjet regjisoriale. Jam shumë e lumtur.

Sa ‘besnike’ i keni qëndruar veprës së autorit grek kur e sollët në një shfaqje teatri?

Unë kam përdorur tingujt polifonikë shqiptarë, kam përdorur fustanellën shqiptare të jugut dhe të polifonisë dhe çdo gjë ka qenë live, e kënduar në moment. Interaktiviteti in and out, pra jashtë dhe brenda ka qenë një tjetër risi e shfaqjes. Çdo gjë, çdo detaj që është thënë në shfaqje ka patur diçka thellësisht shqiptare. Pra ashtu siç e përceptoj unë këtë vepër. Videoprojekti ka qenë një element tyjetër shumë i rëndësishëm i shfaqjes.

Jeni regjisorja e shfaqjes, por ndërkohë edhe aktorja kryesore. Sa e vështirë ka qenë për ju që t’i menaxhonit të dyja rolet?

Ishte e vështirë, por gjithsesi kur punon me një grup shumë të mirë aktorësh siç është Alfred Trebicka, partner i jashtëzakonshëm, Violeta Trebicka gjithashtu, një grup i ish-studentëve të mi, Ina Morinaj dhe Benada Mulla dhe pastaj gjithë studentët që kam unë tani, të cilët kanë përbërë korin. Kur punohet me shumë dashuri, çdo gjë arrihet, edhe arrihet lehtë. Vështirësitë e mia dhe padrejtësistë që më kanë ndodhur gjatë punës kanë qenë në fakt jo brenda, por jashtë, kur më zunë sallëm për nja dy ditë. Por ja dolëm.  Unë interpretoj një grua reale-imagjinare me një rrëfim tronditës. I shkruaj letra burrit tim dhe i shpreh gjithë pakënaqësitë e mia për këtë jetë që kam kaluar në këtë vend dhe dua t’i jap fund dhe përfundoj duke e urryer këtë vend se m’i hëngri rropullitë.

Rozi po bëni tashmë një rrugëtim të gjatë si në kinematografi dhe në teatër. Si e përshkruani rrugëtimin tuaj?

Unë po lundroj në ëndrrën time. (buzëqesh)

Cila ka qenë roli që ju ka falur më shumë emocione?

Roli i Nënë Terezës.

Ku do ju shohim pas kësaj shfaqjes?

Do të jem tek Teatri Metropol me një vepër të Shekpsirit, por nuk duhet të zbuloj më shumë sepse duhet të marr leje.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here