EKSKLUZIVE/ E vërteta e pamëshirë e Konferencës së Pezës dhe miti i saj

0
531

Nga Dr. Vasfi BARUTI

Kremtimit të 75 vjetorit të Konferencës së Pezës (këtë shtator) i parapriu një lajm (jo dosido), në një shkrim të gazetarit Xhevdet Shehu (në Dita), për Konferencën e Pezës, nga një bisedë me zonjën Nexhmije Hoxha në shtëpinë e saj: “Kur unë i thashë se për këtë [Konferencën e Pezës] do të botojë një shkrim të gjatë Xhelal Gjeçovi ajo nuk e fshehu kënaqësinë dhe vlerësimet për historianin e njohur. Jam e bindur se ka shkruar mirë, sikurse ka shkruar edhe herë të tjera për historinë e luftës.” Shkrimi i gjatë i Prof. Dr. Xhelal Gjeçovit ishte “Të vërtetat e Konferencës së Pezës” me dy vijime, më 15 dhe 16 shtator.

Fantaste marroke! Prof. Dr. Gjeçovi “zbulon” të vërtetat e pathëna të Konferencës së Pezës: U krijua organizata e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar dhe organizata zgjodhi Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe Konferenca “përpunoi” e “miratoi” se lufta e Frontit nuk do të ishte “luftë klase”!, “luftë civile”! dhe jo luftë kundër “klasave apo grupimeve të caktuara shoqërore”!: “… Në Konferencë u përpunuan e miratuan dy orientime bazë, që do të kishin rëndësi të dorës së parë për realizimin e programit dhe arritjen e synimeve të Frontit. Së pari lufta që do të organizojë e udhëheq ai [Fronti], nuk do të ishte luftë klase, luftë civile, se ajo nuk do të drejtohej kundër klasave apo grupimeve të caktuara shoqërore.”[1] Dhe si burim referues ka Rezolucioni i Konferencës së Pezës! Rezolucionit i mungon emri Front e as shkohet ndermend të lexohen “luftë klase”, “luftë civile”! Vajmedet Konferenca e Pezës në penën e Prof. Gjeçovit! Përse Vajmedet? Emri Front mungon në Rezolucion, u përdor në një thirrje të Këshillit më 5 korrik ’43; koncepet “luftë klase” dhe “luftë civile” as mund të shkohet ndermend se citohen në Rezolucion; kurse dyfjalëshi “luftë civile” s’mund të gjendet në dokumente, botime të luftës e paslufës dhe për herë të parë e gjejmë në librat me kujtime të emisare anglezë dhe “lufta civile” lexohet për herë të parë në vitet ’90; po kështu dhe koncepti “luftë klase” në luftë. Janë fantaste marroke të Profesor Gjeçovit! Dhe përse? Sa “largpamëse” ishte partia komuniste dhe EH! Nga Konferenca e Pezës i vetmi dokument origjinal është procesverbali në katër faqe i mbajtur nga zonja Nexhmije Hoxha, një ftesë e Komisionit organizator i Konferencës, Rezolucioni i Konferencës së Pezës (fotokopje, origjinali mungon në Arkiv) dhe e vetme analizë e Konferencës, që mban vulën e kohës (nëntor ‘44) është ajo e Enver Hoxhs, në Plenumi i Dytë i Beratit, ku bëhej një analizë e luftës dhe dy memorie të besueshme (‘45) të Ymer Dishnicës e Ramadan Çitakut dhe veçanërisht tre burimet e para sjellin të vërtetat e vërteta të pathëna ndonjëherë më parë. Ama e di mirë dhe ka argument plot se ndodh që më lehtë besohet një gënjeshtër e vjetër sesa një e vërtetë e re për renashën e vjetër. Është mjaft e gjetur dhe një thënie e Prokurorit shqiptaro amerikan Gjon Junçaj (Misioni OPDAP, Tiranë): “E vërteta e zhveshur është gjithmonë më e mirë se çdo gënjeshtër e veshur bukur.”[2]

Sinteza e hatashme e Enver H. Konferenca e Pezës është ngjarje madhore e Luftës dhe Shqipëria ndoshta është i dyti vend në Europë (pas Francës) që u orvat të krijojë një bashkim antifashist të popullit dhe çka ishte vërtet e rëndësishme e historike e Pezës ishte se “… delegatët shfaqën dëshirën dhe vullnetin e plotë për një organizim të shëndoshë të të gjithë shqiptarëve të vërtetë pa dallim feje, krahine, klase dhe rryme politike dhe zgjodhë Këshillin e Përgjithshëm NÇ (të përkohshëm.” Por s’do të kalojë shumë kohë dhe vendimet e Pezës mbetën letër e vdekur, Fronti Antifashist nuk u krijua, siç theksonte EH në nëntor ’44 dhe “Frontit” i mbeti vetëm ngjyra e kuqe e Partisë komuniste.

Edhe më parë edhe dhjetëvjeçarët e fundit Konferenca e Pezës është trajtuar “simbol” i lirisë!, i Frontit!, i bashkimit!, i fitores! po edhe në gërmë e në frymë është studimi i Prof. Xh. Gjeçovi, që i referohem këtu. Përfillimi vjen Konferenca e Pezës në gjykimin objektiv të Enver Hoxhës, në Plenumi i Dytë i Beratit: “… Do të flas si u paraqit para meja Konferenca e Pezës. Edhe kjo është karakteristikë e punës së Aliut [M. Popoviçi]. Unë isha në Tiranë. Ai ishte në Pezë. Nuk kishim folur më parë. Mora një letër, pusullë ku më thoshte që të lajmëroja filanin e filanin se do të bënim konferencë. Kur shkova në Pezë qenë përgatitur referatet dhe i gjeta këta shokë që po grindeshin, po haheshin për një çështje me rëndësi që s’e mbaj mend, ta vemë këtë apo të mos e vemë. Pas një dite dolëm në konferencë për të mbrojtur platformën tonë të Lëvizjes nacional çlirimtare. Ne kishim turp, s’ishim njerës të turmave. Unë s’isha në gjendje të mbroja tezën me nacionalistët. Unë dola të lexoja atë referatin, por që të mbroj tezën jo. Me një përgatitje të tillë do të dilnin ato skena që dolën, do të dilnin gjëra qesharake. Kështu Konferenca e Pezës ka qenë sa për me lexue një referat dhe një trakt dhe pastaj ikëm[3]

Është sintezë e hatashme kjo e Enver H. për Konferencën e Pezës, dhe për më tepër vemendje le të hedhim edhe më dritë në detajet e kësaj sinteze dhe e shumta në të paktën: Ne “Nuk kishim folur më parë” për mbajtjen e Konferencës së Pezës dhe vjen habia: Enveri anëtar i qëndrorit komunist e sekretar politik i Tiranës dhe nuk di asgjë për organizimin e Konferencës – sepse barrën e organizimit të Konferencës e kishte marrë Miladin P., i cili ishte në Pezë dy javët e para të shtatorit (Çitaku) dhe EH s’kishte bërë ende emër. E më shumë: “Kur shkova në Pezë qenë përgatitur referatetdhe qartasisht EH gjeti të përgatitur raportin, që do të mbajë në Konferencë, dhe që në vitet ‘70 rrëfente si e kishte “shkruar” raportin për Konferencë. Edhe i sinqertë: “Unë dola të lexoja atë referatin, por që të mbroj tezën jo.”, paçka se Prof. Gjeçovi predikon se referati i EH ishte “dokument” i rëndësishëm që “ndërgjegjësoi” delegatët për misionin e Frontit! I çiltër: “Me një përgatitje të tillë do dilnin ato skena qesharake.”, si drejtimi i Konferencës nga nacionalistët katolikë (Ndoc Çoba), drejtimi i Këshillit të Përgjithshëm provizor nga ish-komandanti i Kuesturws fashiste (Kamber Qafmolla), që frenat i kishin nacionalistët në Konferencë etj. Edhe kritik objektiv: “Konferenca e Pezës ka qenë sa për me lexue një referat dhe një trakt dhe pastaj ikëm.” dhe në Berat (‘44) sjell plot faktologji nga lufta. Të gjitha të pabesueshme, ama te vërteta të pamëshira! Të rikthehemi në nisje të Konferencës së Pezës, delegatët, zhvillimet në Konferencë, vendimmarrësit, protagonistët etj. për çka s’është shkruar e trajtuar më parë apo janë bërë/bëhen manipulime të thekura apo pa kripë a që mbllaçiten nga Profesori!

Nacionalistët ndjenin peshën e rëndë të regjimit fashist mbi popullin dhe pa pikë dyshimi nacionalistët ishin të parët që kishin menduar për një konferencë nacionaliste nga fillimi i qërshorit, ndoshta më parë, kurse komunistët për konferencën e Pezës menduan në Konferencën e Jashtëzakonshme të partisë (28-29 qershor). Nga mesi i qershorit ’42 ishin nacionalistët shqiptarë që mëtojnë të organizojnë një mbledhje nacionaliste, ftuan edhe delegatë nga Partia Komuniste.  Koço Tashko në raportin për Kominternin në fillimvjeshtë ’42 shkruante: “… Më 17 qershor do të mbahej në Tiranë një mbledhje e nacionalistëve, të cilët kishin kërkuar delegatë të Partisë [Komuniste].[4] Pozicioni i avancuar (në kohë) i nacionalistëve për mbajtjen e Konferencës (përballë komunistëve) i bën ata të ndjehen mirë dhe kjo do jetë arsye e zhvillimeve tunduese në punimet e Konferencës së Pezës, ku nacionalistët sfiduan komunistët, siç shihet në vijim, me këtë arsye mund të shpjegohet forma e përmbajtja e Ftesës së Komisionit inisiator të Konferencës së Pezës.

Koço Tashko i xhelozuar nga kjo ndjeshmëri e nacionalistëve për bashkim për luftë apo i motivuar bën studim të shtresës së nacionalistëve shqiptarë për sa janë pro bashkimit për luftë kundër pushtuesve fashist dhe ja çka i shkruante Tashko në raport Kominternit: Unë i bëra Partisë analizë të nacionalistëve, të cilët i ndava në katër grupe: 1. Grupi i kompromisaxhinjve, me të cilët kishim humbur kohë. 2. Grupi i atyre që janë atakuar drejtpërdrejt prej fashizmit: Muharrem Bajraktari, Bazi i Canës, Myslim Peza, Myftar Kaloshi, ata që KQ s’ka dashur t’u përmendet lufta e armatosur me fashizmin. Haxhi Lleshi, ndofta Shefqet Vërlaci a ndonjë përfaqësues i tij dhe disa nacionalistë të dorës së dytë, që janë fare afër popullit e që kanë treguar simpati për Partinë. 3. Grupi i franceskanëve të Shkodrës, të cilët janë treguar antifashistë dhe janë ndeshur me jezuitët si dhe disa fetarë ortodoksë që janë të ndeshur me unitet. 4. Grupi i Mehdi Frashërit, i cili nuk është kundër aksionit, por është shumë plak dhe, pas internimit të tij, grupi i tij ka rënë në duart e grupeve të tjera.[5]

Ftesa për Konferencë! Ftesa për delegatët e Konferencës së Pezës shkruhej nga një këshill inisiator, që s’dihen autorët, dhe u dërgohej të ftuarve në Konferencë në emër të Këshillit inisiator për organizimin e Konferencës së Pezës. Ftesa për delegatët daton “5 shtator 1942”. Teksti i Ftesës për Konferencë:

I ndershëm Zotni,

      Në këtë çast të rëndësishëm për vendin t’onë, kur historia e popullit shqiptar po shkruhet me gjak dhe kur gjithë bota ësht’ në luftë, ne kemi vendosë të mbledhim një Konferencë të shqiptarëve të ndershëm që duan të luftojnë për lirinë e vendit.

      Populli shqiptar që ka për traditë luftën për liri, duhet sot kur ka për aleat gjithë popujt e shtypun e aleancën e madhe të tre popujve ma të mëdhenj e ma të organizuem të botës – Amerikën, Ingliterën dhe Bashkimin Sovjetik – të mos qëndrojë mbrapa, por t’i përvishet me hov dhe pa humbur kohë luftës për lirinë e vet.

      Në këtë luftë duhet të marrë pjesë i gjithë populli shqiptar i bashkuem si një bllok, pa dallim klase, feje e tendence politike.

      Kemi një armik të përbashkët, të gjithë duhet të bashkohemi e nën hijen e flamurit Kuq e zi të Skënderbeut t’a çojmë popullin shqiptar në liri.

      Duke patur besim në ndershmërinë dhe në patriotizmin t’uaj, jemi të sigurt se ju nuk do të mungoni me marrë pjesë në këtë mbledhje me rëndësi historike për popullin shqiptar.

                     Konfernca do të bëhet në PEZË TË MADHE më 14 shtator 1942.

Me përshëndetje shqiptare

KËSHILLI INISIATOR PËR MBLEDHJEN E

KONFERENCËS PËR ÇLIRIMIN KOMBËTAR[6]

I ndershëm Zotni! Një nacionalist do të ndjehej i poshtëruar me të drejtuarit Shok, ashtu si dhe për një komunist do të ishte e paparanueshme të drejtuarit me Zotni! Sa shihet, një kompromis në nderim të palës nacionaliste: I ndreshmi Zotni!

Për nacionalistët, veçanërisht ithtarë të Mit’hat Frashërit, shquan shprehja: “Të bashkohemi nën hijen e flamurit Kuq e zi të Skënderbeut.”, përndryshe komunistët që kishin zgjedhur flamurin me yllin komunist! Një tjetër hapje rruge nga komunistët për nacionalistët!

Ftesa mbyllet me shprehjen: “Këshilli Inisiator për mbledhjen e Konferencës për çlirimin kombëtar” dhe në asnjë dokument të komunistëve vitet e Luftës s’mund të lexohet dyfjalëshi “çlirim kombëtar.”, kurse në dokumentet e nacionalistëve “çlirimi kombëtar” është  motiv kryesor i shprehur i tyre. Përfundi ftesës: “Me përshëndetje shqiptare”, kurse komunistët e kishin standard: Vdekje Fashizmit! Liri Popullit! Dokumentet e partisë komuniste të shkruara përherë me toskërishte, kurse ftesa është gegërisht. Në frymë e përmbajtje ftesa s’ka asnjë detaj komunist! Tolerancë e komunistëve apo …!

Delegatët e Pezës. Delegatët e Pezës përfaqësonin rryma politike të vendit dhe në Rezolucioni i Konferencës jepen me këtë renditje: Delegatët e ardhur nga gjithë anët e Shqipërisë, përfaqësuesit e gjithë tendencave të nacionalizmit shqiptar, të Partisë Komuniste Shqiptare, të Rinisë Nacionaliste, të Rinisë Komuniste e të Rinisë Femërore Popullore Shqiptare, të udhëhequr nga qëllimi i shenjtë për çlirimin e Shqipërisë nga thundra e Italisë fashiste dhe nga tradhëtarët e shitur tek i huaji…”[7] Renditja e fjalëve në fjali është e rëndësishme, përndryshe fjalët humbin kuptimin e tyre; edhe renditja e delegatëve në Rezolucioni i Konferencës merr kuptim të caktuar: Delegatët e tendencave të nacionalizmit shqiptar renditen të parët dhe delegatët e Partisë Komuniste vijnë të dytët, delegatët e rinisë nacionaliste vijnë më parë se delegatët e rinisë komuniste. Renditja e delegacioneve është tregues domethënës i pozitës që kanë njëri ndaj tjetrit. Nëse renditja e fjalëve në fjali “s’ka” rëndësi, përse dy vjet më pas, në Kongresi i Përmetit, delegate Naxhije Dume ka renditje tjetër të fjalëve në fjali? Gjashtë vjet më pas nga Konferenca e Pezës, në Rezolucioni i Kongresit të Parë (1948) delegatët në Pezë renditen në kahun e kundërt që renditen në Rezolucioni i Konferencës së Pezës:Në Konferencën e Pezës morën pjesë delegatë të KQ të Partisë sonë [komuniste], të Rinisë Komuniste, të Grave Shqiptare, edhe përfaqësuesit e tendencave të ndryshme të nacionalistëve shqiptarë.”[8] Ose, në Historia e Partisë së Punës së Shqipërisë: “ Delegacioni i Partisë Komuniste Shqiptare, delegacioni i Rinisë Komuniste Shqiptare dhe i Gruas Antifashiste dhe delegacioni i forcave të tjera, si zogistët.”[9] Ose, Enver Hoxha më 1981: “Delegacionin e Partisë Komuniste e përfaqësonin Enver Hoxha, Ymer Dishnica e Mustafa Gjinishi. Rininë Kmuniste e përfaqësonte Nako Spiru. Rininë Femërore Popullore Shqiptare e përfaqësonte Nexhmije Xhuglini. Patriotët e lidhur ngushtë  me partinë  komuniste e përfaqësonin Myslim Peza, Haxhi Lleshi, Mustafa Xhani- Baba Faja. Zogistët i përfaqësonte Abaz Kupi. Disa të tjerë, si Ramazan Jarani, Halim Begeja përfaqësonin grupe të ndryshme nacionaliste.” Delegatë të censuruar: Tuk Jakova, Nexhip Vinçani, Dule Alarupi, Gjin Marku, Omer Nishani, Ibrahim Dervishi, Qirjako Harito, Muharrem Butka, Ramize Gjebrea etj., qw s’ishin tw “ftuar” por delegatw dhe ka burime arkivore e tw tjera tw kohws, qw s’po i rendisim kwtu.

Nexhmije H. –  aspak delegate e Pezës. Nexhmije H. në kujtimet e veta s’le rast pa u deklaruar delegate në Pezë përfaqësuese e rinisë dhe e gruas antifashiste: “Në Konferencën e Pezës kam marrë pjesë edhe unë si përfaqësuese e rinisë  dhe gruas. Për historinë  e Shqipërisë  ishte një  fakt që  herë  të  parë  në  një  mbledhje të tillë me rëndësi historike kombëtare merrte pjesë një  grua…”[10] Herë tjetër përfaqësuese vetëm e grave antifashiste: “Unë isha e vetmja femër pjesëmarrëse në Konferencë, përfaqësuese e grave antifashiste dhe kam mbajtur procesverbalin e asaj mbledhje. Ka ndonjë keqdashës që ka shpifur sikur unë nuk kam qënë pjesëmarrëse. Madje dikush ka shkruar sikur aty ka qënë Ramize Gjebrea dhe jo unë. Nuk ka nevojë të deklaroj për këtë. Kjo është thënë dhe është e vërtetë historike.”, thotë Nexhmija.[11] Organizata e gruas antifashiste dhe organizata e rinisë antifashiste u krijuan në fillimvjeshtë ’43 (më shumë se një vit nga mbledhja e Pezës), sipas orientimeve të Konferencës së Parë të Vendit, mars ’43, atëherë kë përfaqësonte Nexhmije H. kur organizata e gruas dhe e rinisë antifashiste nuk ishin krijuar!? Por ka edhe një arsye të fortë pse NH nuk ishte delegate në Pezë delegate përfaqësuese e gruas dhe rinisë antifashiste: në rezolucionin e cituar më parë përcaktohet se vetëm “organizata e rinisë komuniste” dhe “Rinisë Femërore Popullore Shqiptare” ishjn pjesëmarrëse në Konferencë dhe në Rezolucion nuk ka dhe s’mund të ketë asnjë shënjë se merrnin pjesë organizata e rinisë antifashiste dhe e gruas antifashiste. NH ka një problem me vetveten: merr merita që s’i takojnë, ashtu si edhe EH i ka dhënë merita të pameritueshme. NH ankohet se dikush paska shkruar se nuk ka qënë delegate në Pezë – e vërteta është se ishte në Pezë, ama me cilësinë e procesverbalmbajtëses. Zonja mohon Ramize Gjebrenë delegate e “Rinisë Femërore Popullore Shqiptare” dhe qenia e saj është argument im i botuar, që i referohet, por një fotografi e saj me shënimin pas “Në Pezë” është provë për Gjebrenë në Pezë e nëse s’qënkërka atëherë cila është delegate e “Rinisë Femërore Popullore Shqiptare”? Përgjigjen e pyetjes e ka dhënë EH në libri Kur lindi Partia: “Rininë Femërore Popullore Shqiptare e përfaqësonte Nexhmije Xhuglini.”!!

E dyta, ishte partia komunisteNë Pezë, të parët ishin njerëzit e maleve… Dr. Ymer Dishnica, ministër i Shëndetësisë, protagonist i rëndësishëm në Konferencën e Pezës, delegat në Konferencë, i zgjedhur atje anëtar i Këshillit Antifashist Nacional çlirimtar, burim i besueshëm, pyetjes “sa qenë e cilët kanë qenë njerëzit dhe kurrentet që muar pjesë në Konferencën e Pezës” i përgjigjet (1945): Kanë qenë katër: Të parët qenë njerëzit e maleve, ata që i kishin hapur me kohë luftë luftë fashizmit, këta qenë delegatët që vinin nga çetat ose vetë kryetarët e çetave partizane vullnetare, pastaj [e dyta] ishte Partia Komuniste që kishte kuptuar me kohë se duhej luftuar karshi fashizmit, pastaj me radhë në Konferencë ishte Rinija Antifashiste [komuniste].[12] Dr. Dishnica i dredhon përgjigjes së drejtpërdrejtë të pyetjes që kërkon- sa ishin delegatët dhe cilët ishin ata, megjithatë në përgjigje shquan se të parët e delegatëve ishin njerëzit e maleve, të dytët ishin komunistët. Dishnica i dredhon pyetjes “cilët kanë qenë njerëzit dhe kurrentet që muar pjesë në Konferencën e Pezës” dhe përgjigjet shkurt: “Të parët ishin njerëzit e maleve”. Përgjigjia se të parët ishin njerëzit e maleve sqaron mirë renditjen e delegatëve në Rezolucion – të parët në Konferencë ishin delegatët e nacionalistëve. E fshehta e njerëzve të maleve, që mbahet në fshehtësi nga Dishnica, zbulohet dhe nga një faqe e fshirë e Rezolucionit të Konferencës (për 30 vjet) me emrat e njerëzve të maleve e çetat e tyre, kurse komunistët deri kuvendi i Pezës nuk kishin asnjë çetë të tyre.[13]

Procesverbalmbajtësja Procesverbali për herë të parë bëhet publik nga Nexhmije H. në tetor 2004 dhe vetëdeklarohej mbajtësja e procesverbalit – në katër faqe format, me shkrim stilografi e kaligrafi e bukur, thuajse pa asnjë gabim shkrimor, asnjë fjalë e shkruar me shkurtim, siç ndodh në çdo mbajtje procesverbali. Mbajtja kësisoj e procesverbalit do e kishte zili e stenografe më profesioniste! Procesverbali mbahej në arkivi personal i Nexhmije H. dhe padyshim s’mund të mendohet se gjithë diskutimet e Konferencës janë në procesverbal, por një gjë është e sigurtë: ajo çka duhet për të gjykuar për Konferencën është në procesverbal dhe vërtet mbajtësja e procesverbalit ka merita, që kur e dërgoi në gazetë për botim do të ketë qënë e nervozuar saqë as e lexoi ç’të vërteta të fshehta kishte ai. Në libri Kur u hodhë themelet e Shqipërisë së re EH shkruan se kishte shkruar Rezolucionin disa ditë para Konferencës së Pezës dhe ç’del në reshtat e para të procesverbalit të Konferencës, i mbajtur nga vetë Nexhmije Xh.: “Caktohet rendi i ditës: 4. Komisioni që do të përpilojë rezolucionin e kësaj konference.”[14]

Drejtimi i Konferencës. Pas Lufte e deri e sotmja në botime politike, historike e akademike, PKSH vlerësohet drejtuese e punimeve të Konferencës dhe Enver H. i falet rol vendimtar në zhvillimin e Konferencës. Në burime arkivore s’mbeti asnjë gjurmë presidiumi të Konferencës e për herë të parë e të vetme bëhet i njohur presidiumi nga vetë anëtari i atij presidiumi, Ramadan Çitaku, tre vjet pas Konferencës: “Presidiumi: Ndoc Çoba, Kamber Qafmolla, Baba Faja Martaneshi, Ramadan Çitaku, Abaz Kupi.“[15] Presidiumi i dhënë nga Çitaku tre vjet nga Konferenca zbulon një të vërtetë e mbetur në hije: Partia komuniste përfaqësohej nga një komunist i vetëm, ai Ramadan Çitaku, dy nacionalistë me emër të madh (Ndoc Çoba, Abaz Kupi), nacionalisti tjetër Baba Faja Martaneshi dhe Kamber Qafmolla kuestor fashist dhe pyetja: përse ky përfaqësim mjeran i komunistëve në presidiumi i konferencës dhe nderimi i madh për nacionalistët dhe përderisa më parë por edhe sot shkruhet se Partia komuniste ishte organizatore dhe drejtuese e Konferencës së Pezës dhe që domosdoshmërisht pritej që shumica e presidiumit apo së paku në baraspeshë të ishte me komunistë! Siç del në procesverbal, Ndoc Çoba mban fort spektrin e drejtimit të punimeve të Konferencës dhe nacionalistët i japin tonin Konferencës, çfarë ndodhi e pse! Nexhmija kujton vetëm Ndoc Çobën në presidium – fsheh të vërtetën e hidhur se në presidium ishte e Abaz Kupi, ama meraku i madh të fshehë Kamber Qafmolla – komandant i Kuesturës fashiste të Tiranës, ndjekës i rrezikshëm i komunistëve, madje e për Enver H. e të tjerë kishte vënë në arrest e lëshuar urdhër arresti për komunistë e antifashistë, i zgjedhur edhe kryetar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar (të përkohshëm) organi i vetëm e më i lartë i luftës. Qafmolla tradhëtoi të vetët (fashistët) dhe vihet në prehërin e komunistëve, të cilët e dekonspirojnë tek fashistët dhe për disa javë arrestohet nga fashistët, por gjyqi i lartë fashist i jep pafajësinë: Qafmolla në lojë fashiste-komuniste! Ama Qafmolla kurrë nuk u lakua nga organet komuniste dhe vetë EH, jetoi mjaft vite pas nëntorit ’44, u nda nga jeta pa asnjë goditje nga diktatura komuniste dhe në informacionin tim edhe në varreza janë pranë e pranë!

Të fortët, komunistët apo nacionalistët? Partia komuniste dhe Enver H. me dukje mbeten organizatorët dhe udhëheqësit e Konferencës së Pezës dhe të sjellësh argumente ndryshe (që mbajnë vulën e kohës ’42 – ‘45) sigurisht shiqetohesh me llojlloj akuza, por sido të jetë paraqesim për diskutim faktologji me referim procesverbalin e Konferencës, mbajtur nga Nexhmije Xhuglini (Hoxha). Procesverbali ze vend qëndror në paneli i Konferencës së Pezës në Muzeumi Historik Kombëtar.

Dhe kqyrim faktet, e vërteta mbeti në procesverbal nga po e citoj: “Hapet mbledhja nga anëtari i Këshillit Ndoc Çoba për rëndësinë e kësaj Konference me rëndësi e përgjegjësitë tona para popullit.”[16] Nexhmije H. e kujton ndryshe hapjen e Konferencës, ashtu siç dëshironte të ishte: “Pasi zunë vend delegatët, Myslim Peza si i zoti i shtëpisë, u uroi mirëseardhjen e tyre në Pezë. Pas këtij e mori fjalën Enver Hoxha, si kryetar(!) i delegacionit të PKSH-së që ishte iniciatore e thirrjes së këtij Kuvendi.”[17] Siç lexohet në procesverbal, mbajtur prej Nexhmije Xh., as Myslim Peza nuk u uroi mirëseardhjen delegatëve dhe as Enver H. nuk mbajti fjalën e hapjes së Kuvendit, kur domosdoshmërisht pritej që EH të lexohej në procesverbalin nga e fejuara e tij! Detajet bwjnw historinw e Konferencws sw Pezws dhe cilat janw detajet?

Detaji 1. Ka marrë vlerën e së vërtetës së padiskutueshme se konferenca e Pezës organizohej nga komunistët, ndaj dhe domosdoshmërisht kryetari (drejtuesi) i Konferencës pritej të ishte Enver H., i publikuar kryetari i partisë komuniste, por vjen habia, siç shihet në procesverbal, që në krye të Konferencës, kryetar i saj, të jetë Ndoc Çoba, dhe natyrshëm vjen pyetja: Mund të besohet që pozicioni i Çobës kryetar i Konferencës të jetë shenjë respekti e tolerance për të nga komunistët, si një figurë e shquar e Kongresit të Lushnjës dhe Qeverisë dalë prej tij apo ka tjetër arsye? Konferenca e Pezës ishte ngjarja më e rëndësishme e kohës dhe e pabesueshme duket që komunistët t’i japin vlerë e rëndësi nacionalistëve.

Detaji 2. Kryetari Çoba hap konferencën dhe pritet që delegacioni i Partisë Komuniste të mbante raportin, në procesverbal të lexohet Enver H. dhe vjen habia e dytë: Fjala i jepet Ramazan Jaranit, përfaqësuesi i Rinisë Nacionaliste – flet për domosdoshmërinë e bashkimit në luftë kundër fashizmit. S’mund të mos shihet fare qartë prirja e nacionalistëve për t’u dukur se janë forca politike që kryeson.

Detaji 3. Hendeku thellohet dhe më kur pas Ramazan Jaranit sërish Çoba merr fjalën (që kishte hapur Konferencën) dhe në procesverbal mbetën pesë fjalë: “Flet Çoba për bashkimin kombëtar.”[18] Çoba flet për të dytën herë dhe përfaqëuesi i partisë komuniste s’po shihet.

Detaji 4. Pas fjalës së Kryetarit Çoba (të dytën herë) dhe diskutimit të Ramazan Jaranit u vjen radha komunistëve dhe në procesverbal shenjohet me inicialet K. T. (Koço Tashko): “Lexohet referati politik i delegatit të Partisë Komuniste K.T.”[19] Siç shihet prishet “protokolli”: flet Tashko para Tarasit (EH) – i deklaruar “kryetar i delegacionit të Partisë Komuniste” dhe përtej mesit të punimeve të Konferencës vjen radha për Tarasin të mbajë referatin, në procesverbal lexohet: “…Lexohet referati i shokut Taras për Këshillin Na. Çlirimtar.”[20] dhe një komunist i thjeshtë (Koço Tashko) mban raportin para Enver H. i publikuar “njëshi” i partisë komuniste! Në mbledhjen e Plenumit Dytë të Beratit ç’thotë EH për referatin e tij në Konferencën e Pezës? “…Unë nuk isha në gjendje të mbroja tezën me nacionalistët. Unë dola ta lexoja atë referatin por që të mbroj tezën jo. Me një përgatitje të tillë do dilnin skena qesharake.”[21]

Debati Çoba – Taras! Ndoc Çoba ul në gjunjë Tarasin për zgjedhjen e Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar (të përkohshëm). Nacionalistët janë në të drejtën e tyre e të vendosur të mos dalin nga Konferenca pa krijuar Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, organi më i lartë i Luftës, dhe ia arrijnë të fitojë forca e të drejtës së tyre edhe pse Miladini bën ç’mundet që nga Konferenca të mos dalë Këshilli por të formohej gjatë luftës dhe Miladini (jashtë konferencës) mbështetet vetëm nga EH. Argumenti që vjen nga Tashko: “Një ditë përpara Konferencës, në mbledhjen e delegatëve komunistë, shoku Miladin prapë tregoi majtizmin e tij, tregoi dëshirën t’i mbajë nacionalistët në lidhje me Partinë si individë që të mos mundin nacionalistët të marrin një personalitet politik të organizuar pak a shumë “e nesër të na tradhtojnë si Mihailoviçi”Me atë qëllim Miladini propozoi që Konferenca të mos ketë të drejtë të krijojë Këshillin e përkohshëm Nacionalçlirimtar: “Ky këshill duhet të dalë nga lufta” dhe jo nga Konferenca. Këtë e kundërshtuan të gjithë, përveç një anëtar i KQ” [siç del në procesverbal ai është pikërisht Tarasi.] Të drejtën nuk mund tua marrim nacionalistëve të formojnë Këshillin, ata mund ta formojnë Këshillin edhe pa neve po të tregohemi kokëfortë, se janë mbledhur dhe nuk duan të ikin duarbosh. Bile në Konferencë gjëja e parë dhe gjëja e vetme që kërkuan ishte krijimi i Këshillit [të Përgjithshëm Nacional çlirimtar].”[22]

Nacionalistët u heqin nga dora shansin e fundit Miladinit e EH të mbajnë formal Këshillin e Përgjithshëm Nacional çlirimtar që ai të mbajë lidhje vetëm me komisarët e çetave e jo me Këshillin, organi më i lartë i Luftës. Koço Tashko: “Kur u detyrua të pranojë krijiminn e Këshillit, shoku Miladin bën një tjetër propozim, po me atë qëllim: Këshilli të mos ketë të drejtë, gjersa të formohet Shtabi Madhor, i cili do të dalë nga lufta, të mbajë lidhje me çetat partizane e vullnetare, dmth çetat vullnetare të mos lidhen përmes Këshillit, por përmes komisarëve tanë politikë, përmes Partisë Komuniste. Mbledhja nuk e pranoi këtë propozim, se po tua propozonim nacionalistëve, ata do të kujtonin menjëherë që nuk e kishim me sinqeritet e deshim t’i kishim si kuaj me kapistallin në dorën tonë. Pastaj shoku Miladin më përjashton nga çdo funksion i konferencës, veç atij të delegatit. Unë përjashtohem si një nga raporterët, nga presidiumi dhe Këshilli i Përgjithshëm. Dhe me pak fjalë përjashtohem nga puna me nacionalistët.”[23] EH është përfaqësues i Miladin P. në Konferencë sjell aty pikëpamjet e tij politike, por ato ndeshin në muri i pakalueshëm nacionalist e shihet në dy-tre rreshtat e mbetur në procesverbal: Kryetari i Konferencës, Ndoc Çoba kërkon të krijohet shtatmadhoria (Këshilli) e luftës por Tarasi është kundërshtues dhe mëton të sfidojë kryetarin Çoba. Tarasi: “Shtatmadhoria ashtë e kopjume nga ndonjë shtet tjetër.[24] Kryetari Çoba i përgjigjet prerë Tarasit: “Shtatmadhori tjetër nuk mund të vijë[25] dhe shtatmadhori do jetë vetëm Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar. Kurse Tarasi kërkon që Këshilli të mos krijohet në Konferencë por në luftë, se është “… lufta që do t’i nxjerrë këto shtatmadhori.[26] Argumenti i Tarasit përkit saktësisht me tezën e Miladinit: “… Këshilli i përkohshëm Nacional çlirimtar duhet të dalë nga lufta e jo nga Konferenca”.[27] Tarasi ironizon: “lufta nuk bëhet me maskë.[28]  Dhe Kryetari Çoba është i prerë: propozoj të formohet ma parë Këshilli [i Përgjithshëm] dhe t’i jepet kompetenca për rregullimin e punëve të luftës.[29]

Vendimet e Pezës – letër e vdekur. Në 50 vjet pushtet komunist e vetme ngjarje që dominoi historinë e Luftës ishte Konferenca e Pezës mbuluar atëherë e më pas me merita të mëdha se “krijoi” Frontin Nacional çlirimtar e hodhi bazat e këshillave nacional çlirimtare. Konferenca e Pezës e vlerësuar me sinqeritet dhe në kushte lirije pa asnjë forcë detyruese në Plenumi i Dytë, nëntor ’44 nga Enver Hoxha komisari i Shtabit dhe “koka” e PKSH: Çështja e Frontit Nacionalçlirimtar për ne nuk ishte e qartë. Ushtria identifikohej me Frontin dhe Fronti as që u krijua, përkundër pikë së pari ne nuk shihnim rëndësinë që kishte fshatarë sia për Partinë dhe luftën [] Çështja e Frontit tek ne nga fillimi deri vonë shtrohej në punën me nacionalistët dhe kjo si një sektor pune i dorës së dytë e të tretë. [] Të gjithë ne udhëheqësit nuk kishim një ide të qartë ç’ishte Fronti dhe këshillat Nacionalçlirimtare. [] Ne vetë nuk e shihnim në dritën e vërtetë Frontin dhe ç’duhet të bënte e të përmblidhte në gjirin e vet ky Front. [] Duhet të kuptonim mirë se Ushtria s’ishte Fronti por një pjesë e Frontit. [] Këshillat ishin formale, konsideroheshin organe të Partisë e nuk kishin asnjë vleftë. [] Pas Konferencës së Pezës u formuan këshillat nacional çlirimtare, mbetën formale e të mbyllura. [] Në Vlorë e në Gjirokastër këshillat u quajtën sovjete [] këshillat ishin bërë organe të drejtpërdrejta të Partisë, aty flitej në emër të Partisë. Propaganda për Partinë bëhej e hapët e nga një punë e tillë krahinat e Vlorës ndahen në dy kampe, ai i komunistëve dhe i nacionalistëve dhe çdo ditë ashpërsohej puna. Po kështu ngjau dhe në vende të tjera, në Korçë e në Elbasan. [] Të gjithë ne udhëheqësit nuk kishim një ide të qartë ç’ishte Fronti dhe këshillat nacionalclirimtare dhe këshillat për ne ishin disa grupe të rastit të cilat do të ndihmonin luftën e mobilizimin, por rolin e vërtetë e perspektivën ne nuk e kishim. Këshillat mbetën këshilla që duhet të gjenin kuaj për partizanët ose për ndonjë komandant dhe për t’i sjellë bukë një reparti, për të marrë si shpërblim në rast mungese buke, të shara ose fyerje si tradhtar apo sabotator.[30]

Konferenca e Pezës për momentin që u mbajt e vendimet që mori meriton të kujtohet gjithnjë por vendimet e Pezës mbetën letër e vdekur, pse Fronti as që u krijua, lufta civile gjalloi e ashpër nga komunistët, këshillat nacionalçlrimtare mbetë formale dhe shumë morën emrin Sovjete (të Stalinit), në Jug u shpallë të ashtuquajturat republika sovjetike. Konferenca e Pezës nuk u bë kurrë faktor bashkimi në një Front të vetëm dhe mbeti një emër i zbrazët.

[1] Xhela Gjeçovi, Panorama 2017:15 shtator

[2] Gjon Junçaj, Panorama 2017: 18 shtator.

[3] AQSH, Fondi 14, dosja 2-2/1, 1944

[4] AQSH, Fondi 14, dosja 5, 1942

[5] Po aty.

 [6] Faksimile e dokumentit: Vasfi Baruti. Enver Hoxha në optikë të re, 2013:274

[7] AQSH,  Fondi 14, dosja 2, 1942

  [8] Rezolucioni i Kongresit të Parë, 1948:20 nëntor

[9] Historia e Partisë së Punës së Shqipërisë. Tiranë 1968:34

[10] Standard 2012:23 mars.

[11] Dita 2017: 14 shtator

[12] Ymer Dishnica, intervistë. Bashkimi 1945:16 shtator.

 [13] Koço Tashko. AQSH, Fondi 14, dosja5, 1942

[14] Paneli i Konferencës së Pezës: në Muzeumi Historik Kombëtar.

[15] Ramadan Çitaku, Kujtime në  Pezë, gazeta Luftëtari 1945:16 shtator.

[16] Proces-verbali i Konferencës, i botuar në Korrieri 2004:20 tetor. Dhe në paneli: Konferenca e Pezës, Muzeumi Historik Kombtar.

[17] Nexhmije Hoxha. Korrieri 2004:20 shtator.                          

[18] Proces-verbali i Konferencës, i botuar në Korrieri 2004:20 tetor

[19] Paneli i Konferencës së Pezës: Muzeumi Historik Kombëtar

[20] Po aty.                  

[21] AQSH, Fondi 14, dosja 2/1, 1944.

[22] AQSH, Fondi 14, dosja 5, 1942.

[23] Po aty

[24] Procesverbali. Paneli i Konferencës së Pezës: Muzeumi Historik Kombëtar

[25] Po aty

[26] Po aty.

[27] AQSH, Fondi 14, dosja 5, 1942

[28]Procesverbali. Konferenca e Pezës: Muzeumi Historik Kombëtar.

[29] Po aty.

 [30] AQSH, Fondi 14, dosja 2/1,  nëntor 1944

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here