Paralajmëron Çako: Aksioni në Elbasan, i pari, do ketë edhe në qytete të tjera

0

Aksioni i forcave të policisë dhe atyre speciale këtë të enjte në Elbasan ka qenë një reagim ndaj agresionit që pak ditë më parë iu bë nëndrejtorit të policisë së këtij qarku, gjatë aksionit të koduar “Vjeshtë 2017”.

Loading...

Lajmin e ka konfirmuar drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, i cili ndodhet personalisht në Elbasan për të ndjekur aksionin e forcave operacionale.

“Kemi marrë shkas nga ngjarja e fundit ku u godit mjeti i nëndrejtorit të policisë. Në këtë kuadër shpreh gatishmërinë e gjithë policisë, qeverisë dhe ministrit Xhafaj për një luftë pa kompromis të çdo veprimtarie të organizatave kriminale kudo qofshin ato”, ka deklaruar Çako.

Numri 1 i uniformave blu është shprehur i vendosur për t’i vënë përpara përgjegjësisë ligjore përgjegjësit e kësaj ngjarjeje dhe për të çuar deri në fund operacionet për konfiskimin e pasurive kriminale dhe arrestimin e individëve “që mundohen të sfidojnë shtetin”.

“Pas mbledhjes së ministrit Xhafaj me krerët e policisë ne kemi ndërmarrë këtë aksion që nuk do të jetë i vetmi ndaj grupeve dhe individëve që kryejnë aktivitete kriminale”, ka thënë Çako.

Ai ka pohuar se personi që goditi makinën e nëndrejtorit të policisë së Elbasanit është identifikuar dhe aktualisht policia po analizon situatën bashkë me Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

“Në këto kushte kërkojmë një angazhim edhe të prokurorisë së rrethit, për t’u bërë pjesë e një barikade që do t’i bëhet krimit”, ka vijuar Çako.

Drejtori i përgjithshëm ka bërë me dije se për ngjarjen në fjalë janë shoqëruar një numër i konsiderueshëm njerëzish dhe të tjerë do të shoqërohen në vazhdim.

Në fund ai ka falenderuar qytetarët e Elbasanit për informacionet dhe mbështetjen që i kanë dhënë uniformave blu në këtë operacion masiv.

 

Loading...

Lini nje pergjigje