Veneto Banka shmang falimentin, por shitet tek banka tjetër

1

“Referuar të dhënave të Shoqatës Shqiptare të Bankave për vitin 2016, Konkurrenca vëren se Banka Kombëtare Tregtare ka përqindjen më të lartë të aktiveve me 27.10%, e ndjekur nga Raiffeisen Bank me 18.92% dhe Credins Bank me 11.59%”

 

 

Veneto Banka përfundon në duart e një banke tjetër. Pas problemeve shumë të mëdha të lindura në atdheun e vet, edhe dega shqiptare e saj ka shmangur falimentin duke u shitur. Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar se ka miratuar këto ditë përqendrimin e realizuar nëpërmjet blerjes së disa aseteve, detyrimeve dhe marrëdhenieve ligjore të ndërrmarjes Veneto Banca S.p.A nga Intesa Sanpaolo S.p.A. Ky përqëndrim ka të bëjë me blerjen nga Intesa Sanpaolo S.p.A. të disa aseteve, detyrimeve dhe marrëdhënieve ligjore të Banca Popolare di Vicenza S.p.A. ( BPVI) dhe Veneto Banca S.p.A., të dyja në likuidim administrativ të detyrueshëm. Në tregun bankar shqiptar transaksioni prek vetëm Veneto Banka SHA, nëpërmjet blerjes nga ana e Intesa Sanpaolo Bank të disa aseteve, detyrimeve dhe marrëdhënieve ligjore të Veneto Banka SHA. Pas përqendrimit, pjesa e kombinuar e tregut të Veneto Banka SHA dhe Intesa Sanpaolo Bank Albania SHA pritet të mos ketë ndryshime të rëndësishme, duke mbetur në nivelin rreth 13% dhe për pasojë transaksioni nuk do të sjellë ndryshime domethënëse në tregun bankar. Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e datës 14.09.2017, me vendimin nr. 474, datë 14.09.2017 vendosi autorizimin e përqendrimit pasi nuk shfaq shenja të kufizimit të konkurrencës në treg, si rezultat i krijimit, ose forcimit të pozitës dominuese.

 

Përfitimi i kontrollit të Banca Popolare di Venecia S.p.A dhe Veneta Banca nga Intesa San Paolo Bank në Itali ishte një transaksion i detyrueshëm për të shmangur pasojat serioze sociale që do të kishin rrjedhur nga procedurat e likuidimit të detyrueshëm administrativ për këto dy banka. Transaksioni i realizuar për çmimin simbolik prej 1 euro ka si qëllim të shmangë pasojat në rastin e likuidimit të këtyre dy bankave për rreth 2 milion depozitues si dhe aktivitetet e rreth 200,000 bizneseve të mbështetura financiarisht, vendet e punës së të punësuarve të të dy grupeve bankare dhe në përgjithësi krizën në ekonominë italiane dhe vendet ku këto banka janë prezente nëse do të ishte lejuar likuidimi i dy bankave. Në tregun bankar shqiptar transaksioni prek vetëm Veneto Banka SHA, nëpërmjet blerjes nga ana e Intesa Sanpaolo Bank të disa aseteve, detyrimeve dhe marrëdhënieve ligjore të Veneto Banka SHA. Vetë Veneto Banka SHA ka pjesë tregu të vogla sa i përket treguesve kryesorë të sistemit bankar, aktiveve, depozitave dhe kredive dhe për këtë arsye struktura e tregut pas përqendrimit nuk pritet të ketë ndryshime të rëndësishme.

 

Referuar të dhënave të Shoqatës Shqiptare të Bankave për vitin 2016, Konkurrenca vëren se Banka Kombëtare Tregtare ka përqindjen më të lartë të aktiveve me 27.10%, e ndjekur nga Raiffeisen Bank me 18.92% dhe Credins Bank me 11.59%. Intesa Sanpaolo Bank renditet e 4-ta me 10.48%, ndërsa Veneto Banka SHA e 12-ta me 1.85% të totalit të aktiveve. Pas përqendrimit pjesa e kombinuar e Intesa Sanbaolo Bank Albania SHA dhe Veneto Bank SHA do të shkojë në 12.33% të totalit të aktiveve.

 

Në tregun e depozitave rezulton se Banka Kombëtare Tregtare ka përqindjen më të lartë me25.86%, e ndjekur nga Raiffeisen Bank me 19.70% dhe Credins Bank me 12.36%. Intesa Sanpaolo Bank renditet e 4-ta me 10.82%, ndërsa Veneto Banka SHA e 12-ta me 1.94% të totalit të depozitave.

 

Pas përqendrimit pjesa e kombinuar e Intesa Sanbaolo Bank Albania SHA dhe Veneto Bank SHA do të shkojë në 12.76% të totalit të depozitave. Në tregun e kredisë Banka Kombëtare Tregtare ka përqindjen më të lartë me 22.90%, e ndjekur nga Credins Bank me 16.75% dhe Raiffeisen Bank me 16.08%. Intesa Sanpaolo Bank renditet e 5-ta me 8.03%, ndërsa Veneto Banka e 11-ta me 1.94% të totalit të kredive.  Pas përqendrimit pjesa e kombinuar e Intesa Sanpaolo Bank Albania SHA dhe Veneto Bank SHA do të shkojë në 9.97% të totalit të kredive.

 

Transaksioni është një përftim kontrolli i drejtpërdrejtë i Veneto Banca S.p.A. nga Intesa Sanpaolo S.p.A. Të dyja këto shoqëri operojnë në Shqipëri nëpërmjet filialeve të zotëruar tërësisht prej tyre, përkatësisht Veneto Banka SHA dhe Intesa Sanpaolo Bank Albania SHA. Tregu bankar në Shqipëri është një treg mesatarisht i përqendruar me 16 banka që operojnë. Para përqendrimit, pjesët e tregut të Intesa Sanpaolo Bank sipas aseteve, depozitave dhe kredive luhaten nga 8-11% ndërsa të bankës Veneto nga 1.85-2%. Pas përqendrimit, pjesa e kombinuar e tregut të Veneto Banka SHA dhe Intesa Sanpaolo Bank Albania SHA pritet të mos ketë ndryshime domethënëse, duke mbetur në nivelin rreth 13% dhe për pasojë transaksioni nuk do të sjellë ndryshime domethënëse në tregun bankar, përfundon njoftimi i konkurrencës.

 

 

 

Transaksioni

 

Në fund të muajit qershor të këtij viti, grupi Intesa San Paolo Bank në Itali bleu pjesën e mirë (good Bank) të aktiveve të Bankave të provincës së Veneto-s (Veneto Banca dhe BancaPopolare di Vicenza), në një lëvizje, që së bashku me dekretin e qeverisë italiane për likuidimin e pjesës së keqe të tyre, (bad Bank) i dha fund një krize që po vazhdonte të paktën prej dy vitesh dhe që po testonte sistemin financiar italian, të zhytur në barrën e kredive të këqija. Menjëherë më pas, Banka e Shqipërisë njoftoi se për sektorin bankar shqiptar, kjo do të thotë që “Banka Veneto sh.a”, deri më parë e zotëruar plotësisht nga grupi bankar “Veneto Banca”, tani do të zotërohet nga grupi bankar “Intesa Sanpaolo” dhe aktiviteti i saj do të bëhet pjesë e këtij grupi bankar. Ndryshimi i aksionerit do të ruajë treguesit e mirë të bankës dhe do të përmirësojë administrimin e saj. Si edhe në raste të tjera të ngjashme, ndryshimi i aksionerit do të jetë një proces i pandjeshëm për veprimtarinë e përgjithshme, për depozituesit dhe për klientët e tjerë të bankës.

 

Intesa San Paolo është banka e katërt më e madhe në Shqipëri, sipas aktiveve. Në fund të vitit 2016, totali i aseteve të saj ishte rreth 1.1 miliardë euro, sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave, apo rreth 11% të totalit të sistemit. Ashtu si në Itali, edhe në Shqipëri, Intesa Sanpaolo është nga më të shëndetshmet dhe më fitimprurëset e sistemit bankar shqiptar. Në vitin 2017, filiali i Shqipërisë raportoi një fitim prej rreth 17 milionë eurosh. Veneto Banka në Shqipëri ka një peshë të vogël në sistemin bankar vendas. Ajo renditet e 12-a, me një total aktivesh prej 190 milionë eurosh, apo 1.8% të totalit të sistemit bankar.

1 Koment

Lini nje pergjigje