Ekzekutimi i Elton Çiços, gjykata vendos pafajësi për policin e akuzuar për zhdukjen e armës (Emri)

0
130

Gjykata e Tiranës shpalli të pafajshëm sot ish policin Alban Trimi, të akuzuar nga prokuroria për fshehje provash në vendin e vrasjes së Elton Çiçës, raporton Panorama. Polici ishte akuzuar nga prokuroria se kishte hequr nga vendi i vrasjes në një lokal në Tiranë një armë që dyshohet se i përkiste viktimës.

 

 

Por gjykata e Tiranës ka dhënë pafajësi për policin me argumentin se provat e prokurorisë nuk kanë qenë bindëse në lidhje me akuzën.

Prova kryesore e prokurorisë ka qenë kamera që filmoi skenën e krimit ku ishin dokumentuar sipas orës të gjithë veprimet e efektivit të policisë.

Ngjarja
Një oficer policie që ndodhej në tavolinë me viktimën akuzohet nga Prokuroria se ka zhdukur nga vendi i ngjarjes armën që mbante Elton Çiça, bashkë me celularët e tij. Alban Trimi, së bashku me shtetasin Redjan Rraja, akuzohen nga Prokuroria se kanë penguar zbulimin e së vërtetës, shkruan “Panorama”.

Gjatë hetimit është pyetur Alban Trimi, me detyrë oficer i Policisë Gjyqë- sore. Nga deklarimi ka rezultuar se natën e ngjarjes ka qenë në bar-kafene “De Niro” me shokun e tij, shtetasin S.K., dhe pak më pas në bar-kafene ka shkuar një shoku i tij i quajtur Redjan Rraja, shoqëruar ky i fundit nga një shoku i tij i quajtur Elton.

Rreth orës 22:15 minuta, në lokal ka ndodhur vrasja. Në kërkesën për gjykim, Prokuroria citon në detaje gjithçka kanë regjistruar kamerat e sigurisë së lokalit në veprimet që ka kryer oficeri i policisë.

PAMJET E KAMERAVE
Nga pamjet filmike në momentin e ngjarjes, rezulton se: Duke filluar nga ora 22:15-22:23, në bar-kafene hyn një person me kapelë në kokë, i cili drejtohet për nga tavolina ku janë ulur katër personat e sipërcituar, të vendosur në pozicionet e sipërcituara.

Personi me kapelë qëllon me armë zjarri pistoletë në drejtim të shtetasit Elton Çiça, i cili vazhdon të jetë i ulur në krah të shtetasit Alban Trimi dhe me fytyrë nga fokusi i kamerës. Ai del nga bar-kafeneja me vrap dhe largohet autori që qëlloi me armë zjarri.

Në monitor dallohet se shtetasi Elton Çiça rrëzohet mbi divanin ku ishte ulur pak më parë, ndërsa shtetasi Redjan Rraja, ndjekur me shikim nga shtetasi Alban Trimi, merr nga çanta e shtetasit Elton Çiça një send, që duket si armë zjarri pistoletë dhe me të në dorën e djathtë niset për të dalë nga dera e lokalit, duke u paraprirë në këtë lëvizje nga shtetasi Alban Trimi, shkruan “Panorama”.

Nga dera e bar-kafenesë del shtetasi Alban Trimi dhe vrapon në pjesën e jashtme të bar-kafenesë për nga e majta e tij, dhe kthehet sërish me vrap brenda në lokal. Shtetasi Redjan Rraja kthehet sërish në ambientet e brendshme të bar-kafenesë me armën e zjarrit pistoletë në dorë, ulet në anën e tij të majtë, ku më parë ishte ulur shtetasi Alban Trimi dhe ndërkohë duket se në duar, para, mbi prehër, mban ende sendin si armë zjarri pistoletë, të cilin më pas e lë diku në krahun e tij të majtë, në një vend ku këndi i fokusimit të kamerës nuk regjistron.

Më pas shtetasi Redjan kap me të dyja duart viktimën Elton Çiça dhe mundohet ta ulë në dysheme, por nuk ia arrin dot i vetëm dhe në ndihmë i shkon shtetasi Alban Trimi, i cili në këtë moment ka hyrë sërish brenda në lokal. Të dy shtetasit e sipërcituar e ulin viktimën në dyshemenë e lokalit me shpinë mbi pllaka dhe kokën nga banaku i lokalit.

Pas kryerjes së këtij veprimi, shtetasi Alban Trimi shkon te tavolina ku ishin ulur, merr disa sende nga aty dhe i vendos në xhepin e majtë të pantallonave dhe del nga dera në krah të majtë të banakut e kthehet sërish në lokal. Në këtë moment dallohet se në xhepin e djathtë të pantallonave ka një celular ngjyrë të zezë.

Më pas shtetasi Alban Trimi shkon te vendi ku pak më parë shtetasi Redjan Rraja la sendin si armë zjarri pistoletë, e merr atë dhe e kalon në pjesën para brezit nga përpara dhe me dorën e djathtë e fut në pjesën e pasme të brezit nga e djathta, duke përdorur edhe dorën e majtë për ta sistemuar në brezin e pantallonave nga pas.

Shtetasi Alban Trimi, pasi del nga lokali ku pak më parë ka marrë sendin si armë zjarri pistoletë, duke folur në telefon drejtohet për nga ana e djathtë e lokalit në sheshin para tij. Pasi bën një xhiro duke folur dhe lëvizur jashtë oborrit të lokalit, jashtë fokusimit të kamerave, ai kthehet nga dera e jashtme përballë derës së lokalit dhe hyn sërish në lokal duke folur në telefonin e tij. Këto veprime zgjasin deri në orën 22:19:17 minuta ose 45 sekonda jashtë fokusimit të kamerave.

Para lokalit ka mbërritur ekipi i shërbimit të urgjencës, ku në kohën që ekipi i shërbimit të urgjencës hyn në lokal në vendin e ngjarjes, shtetasi Alban Trimi ndihmon shtetasin Redjan Rraja për të ngritur viktimën. Shtetasi Alban Trimi shikohet që bashkë me një punonjës të ekipit të shërbimit të urgjencës, shtetasin Redjan Rraja dhe një person të tretë transportojnë viktimën në drejtim të oborrit të jashtëm të lokalit, ndërsa punonjësi i policisë me uniformë qëndron te shkallët e lokalit në hyrje.

Në vendin e ngjarjes mbërrijnë forca të tjera të policisë. Alban Trimi kthehet nga transporti i të dëmtuarit me armë zjarri dhe nga pjesa para lokalit futet drejt hyrjes së lokalit. Aty hyn një punonjës policie me uniformë dhe bashkë me të edhe dy shtetas dhe Alban Trimi. Ky hyn në vendin e ngjarjes ku kanë mbërritur edhe punonjësit e policisë me uniformë, vesh xhupin e tij dhe më pas komunikon me telefonin e tij që e mban në veshin e majtë, me dorën e majtë.

Alban Trimi ka nën sqetull një çantë, të cilën e mori te vendi ku ishte ulur më parë, shkon mbi vendin ku ishte ulur viktima dhe merr nga divani çantën që e la në këtë vend që në fillim kur u ul viktima. Pastaj përkulet mbi dysheme në vendin që përkon me pjesën ku personi që u qëllua kishte këmbët e tij, kur ishte i ulur, dhe me dorën e djathtë nga dyshemeja merr një send të zi që duket si aparat celular.

Pastaj merr edhe një send tjetër të zi si aparat celular në pjesën e tavolinës ku ishte ulur ai vetë dhe personi që ishte në krahun e majtë të tij. Pasi ka kryer veprimet e mësipërme, shtetasi Alban Trimi del nga vendi i ngjarjes.

Ka rezultuar se në momentin që shtetasi Alban Trimi është paraqitur në Drejtorinë e Policisë Vendore Tiranë, ka dhënë deklarimet e tij në lidhje me këtë ngjarje, si dhe ka dorëzuar një çantë me disa sende të viktimës, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale, ku mungonin aparate të telefonisë celulare dhe arma e zjarrit pistoletë që duket të ishte në vendngjarje.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here