“Për Kullën e Calit, festën e Pezës dhe paaftësinë tonë!”

0
224

“Nëse nuk e shohim të kaluarën tonë me guxim dhe integritet, atëherë nuk do të mund të kuptojmë dot se po e përsërisim atë”! Kjo ishte deklarata mbase më interesante që Lori Amy, profesore në Universitetin Jugor të Xhorxhias, bëri në një intervistë që i dha VOA dje.

 

Eksperte e krimeve të komunizmit dhe pasojave që kanë lënë ato, Amy ishte zëri më i kthjellët në një situatë të ngarkuar që kthehet dhe rikthehet në Shqipëri në raport me qëndrimin ndaj të shkuarës. Një qëndrim që mund të konsiderohet dështimi më i madh i shoqërisë shqiptare dhe përgjegjësi e gjithë klasës politike pa përjashtim. Sepse siç shprehet ajo:

 

“Në këtë rast, përgjegjësi do të thotë të kesh guximin të përballesh me ndershmëri me atë që ndodhi. Kur ne kemi frikë, atëherë ne gënjejmë veten, mohojmë gjëra që nuk duam t’i dimë dhe i mbajmë ato përbrenda.”

 

Vetëm në javën e fundit Shqipëria është përballur me 2 – 3 raste kur paaftësia për ti përcaktuar gjërat qartë ka çuar sërish në një debat që duhej të konsiderohej i mbyllur që në vitin 1991.

 

Debati për kullën e Prek Calit që u kthye në debat për rolin historik të tij; rishfaqja e fotove të Enver Hoxhës në Pezë, zgjedhja e Ruçit dhe Xhafës në krye të dy institucioneve të rëndësishme e ndezi sërish këtë debat.

 

Çështja e Kullës së Prek Calit mund të konsiderohej si një çështje administrative dhe ligjore, por ajo u shty në një debat për rolin e tij historik. Dhe nuk është një debat normal që ndihmon historinë, por një debat që diskuton sërish rolin e komunizmit në Shqipëri dhe qëndrimin ndaj tij. Ngërthimi gjithë mllef në këtë debat i palëve që reflektojnë mënyra të ndryshme të të parit të periudhës komuniste, dëshoi se ne jo që nuk e kemi mbyllur këtë diskutim siç ka bërë gjithë lindja, por mbetemi ndoshta justifikuesit e fundit të krimeve të komunizmit në botë!

 

Po kështu çështja e portreteve dhe simboleve të Enver Hoxhës dhe regjimit komunist në Pezë është sërish një paaftësi e kësaj shoqërie për të qenë e vërtetë dhe e paanshme. Historia vijon të shihet si argument i politikës së ditës dhe të gjithë kemi qenë të paaftë t’ju themi mjaft këtij abuzimi dhe “me fal” viktimave të saj.

 

Rikthimi i debatit mbi komunizmin në vitet 1944 – 1990; rikthimi i simboleve të asaj kohe, është as më pak dhe as më shumë, por dhunimi i viktimave përpara të cilave jemi përkulur të gjithë. Eshtë një hap mbrapa i shëmtuar në rrugën integruese dhe njëherazi, një përqeshje e Shqipërisë, nga gjithë vendet ish komuniste që e kanë mbyllur tashmë prej 20 vitesh këtë kapitull. Kjo, vjen nga paaftësia jonë për të qenë të hapur dhe të sinqertë. E pyetur sërish se si i kishte njohur të dënuarit e komunizmit dhe ata që kanë vuajtur, Amy është shprehur për VOA:

 

“Shumë prej tyre janë të traumatizuar thellë. A e dini se si mund të shërohet dikush që ka qenë i traumatizuar? Së pari, pala tjetër duhet të pranojë dhe të thotë: Më vjen keq për atë ju keni hequr. Një pranim i thjeshtë se kjo vuajtje ka ekzistuar ka një efekt shumë të madh. Por të pretendosh se gjërat nuk kanë ndodhur, kjo nuk mund të shërojë askënd.”

 

Ne po bëjmë pikërisht këtë gabim fatal. Po sillemi sikur komunizmi nuk ka ndodhur!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here