“Kush vjen për drekë”/ Arjola Shehu: Personazhi arrogant që nuk do e ftoja asnjëherë në emisionin tim

0

Intervistoi: Irini Meçe

Loading...

-“Tanimë unë di pak a shumë sesi të gjithë personazhet e njohur të ekranit dhe artit, e kanë nisur rrugëtimin e tyre. Ruaj me vete histori të bukura! ”

Vetëm para pak vitesh më parë në ekranin shqiptar filloi transmetimin një televizion i ri, i cili solli një frymë të re në media me fytyra të këndshme. Midis tyre ishte edhe Arjola Shehu. Ajo u bë një ndër të preferuarat e të rinjve. Moderatorja ka arritur që të fitojë simpatinë e publikut dhe ka arritur të tërheqë vëmendjen nga përkushtimi i saj në punë. E kemi parë në fillim si vajza që jepte lajmet e showbizz-it, në rubrikën e saj “Life Stories” dhe më pas tek emisioni “Tek Unë me Arjolën”. Në divanin e saj ajo ka ulur shumë personazhe të rëndësishëm të ekranit, nga figura të showbizz-it, artit dhe politikës. E çiltër, pozitive dhe me buzëqeshjen e saj karakteristikë që e shoqëron gjithmonë, Arjola ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve me intervistat e veçanta që bënte në “InTv”, duke e kthyer emisionin “Tek Unë”  ndër më të ndjekurit. Ka qenë pikërisht ky emision i cili i ka hapur shumë rrugë moderatores në botën e medias. Kanë qenë të shumtë televizionet që i propozuan që t’i bashkohej, por ajo ka zgjedhur pikërisht ‘Tv Klan’. Kanë qenë Pandi dhe Bledi Laço të cilës i kanë propozuar që ajo të drejtonte emisionin më të ri në këtë televizion “Kush vjen për drekë”. Edhe pse bëhet fjalë për një emision gatimi, Arjola nuk do largohet nga natyra e saj dhe që ne jemi mësuar ta shohim. Emisioni “Kush vjen për drekë ”, një risi për televizionin Klan, ka çdo ditë dy personazhe të njohur, ku përpos pjesës që do të gatuajnë do të ndajnë me moderatoren dhe biseda nga e përditshmja. Arjola Shehu vjen në këtë intervistë për gazetën ‘Standard’, për të folur më shumë rreth këtij emisioni që po drejton, rrugëtimin dhe eksperiencën në “InTv”, por jo vetëm.

 “Kush vjen për drekë” është emisioni më i ri që startoi këtë të hënë në ‘Tv Klan’, që moderohet nga ju. Na tregoni se si jeni ndjerë këto ditë në këtë format të ri emisioni?

Më shumë sesa komode. Në fakt nuk është fusha ime gatimi. Madje nuk ja them fare, megjithatë kjo e bën edhe me interesante, me situatat komike që krijohen në emision. ‘Tv Klan’ më ka pritur shumë mirë, më ka lënë hapësirën për të cilën unë kam nevojë dhe jam përshtatur shumë shpejt në këtë televizion.

Cili ka qenë mendimi juaj i parë për këtë lloj formati kur iu propozua që të ishte nën drejtimin tuaj?

Meqenëse unë nuk kam patur asnjëherë raporte të mira me përgatitjen e ushqimit, mendimi i parë ishte: A do përshtatem dot? Po nuk zgjati shumë dhe menjëherë mendova se kjo do ta bënte emisionin ndryshe nga emisionet e gatimit që jemi mësuar të shohim në ekranet shqiptare. Më tepër se me recetat dhe zbatimin e përpiktë të tyre, ne krijojmë situata njësoj si ato që na ndodhin në shtëpitë tona… Ku bisedohet, pihet një gotë verë dhe kush di, bën edhe ndonjë gatim super të shijeshëm.

“Kush vjen për drekë” çdo ditë do të ketë nga dy të ftuar, ku përveçse do të gatuajnë, ndajnë me ju edhe biseda nga e përditshmja. Sa e lidhur jeni ju me kuzhinën dhe si është raporti juaj me ushqimin?

Mua më pëlqen të shijoj, të ushqehem dhe me raste edhe kam provuar të gatuaj, por fatkeqësisht gatimet e mia nuk dalin asnjëherë të mira, kështu që është një “sport” që e kam lënë tani më. Ndoshta duke parë çdo ditë të javës sesi krijohen pjata të bukura dhe të shijshme, deri në fund të sezonit televiziv edhe mund të kem një specialitet timin…

Cila është pjata juaj e preferuar?

Më pëlqejnë shumë frutat e detit, por dobësia ime më e madhe janë ëmbëlsirat…

Jeni bërë pjesë e televizionit për herë të parë në MAD që më pas u riemërua si INtv. Si e do e përshkruanit këtë eksperiencë dhe rrugëtimin në këtë media?

Fantastike! Për pak vite arrita të afirmohem në treg dhe ja ku mu hapen dyer të reja. Për mua ka qene fat t’ia nisja nga një televizion që më dha shumë dashuri, përveçse edhe eksperiencën e nevojshme për të ndërmarr hapin tim të radhës.

“Tek Unë” me Arjola Shehun shënoi një sukses të padiskutueshëm ku në divanin tuaj u ulën disa nga personazhet më të rëndësishme si nga showbizz, kultura dhe politika. Çfarë keni dhënë dhe marrë nga njëri-tjetri? Çfarë ka marr Arjola me vete tek televizioni Klan nga emisioni në Intv?

Tanimë unë di pak a shumë sesi të gjithë personazhet e njohur të ekranit dhe artit, e kanë nisur rrugëtimin e tyre. Ruaj me vete histori të bukura!

Kë personazh nuk do ftoje asnjëherë tek emisioni yt i ri tani?

E kam një në mendje, por po e mbaj sekret. Vetëm po e përshkruaj një cilësi të këtij personazhi: arrogant!

Nga intervistat që keni realizuar a mund të veçoni dikë si ndonjërën që e keni shijuar më së shumti apo intervistën më të vështirë që keni realizuar?

Për popullaritetin që më solli, për emocionet që fitova, por edhe për vështirësinë e saj, padyshim që do të ishte intervista me Kryeministrin e Shqipërisë.

Kur rishihni intervistat e realizuara nga ju, punën tuaj a ndodh që të jeni kritike me veten ?

Shumë, bëj një autokritike të madhe. Por mendoj se kjo me shtyn përpara edhe me ndihmon të përmirësohem.

Si e sheh botën e televizionit dhe keni patur ndonjë moment që keni munduar që të hiqnit dorë?

Jam prej pak vitesh pjese e ekranit dhe është herët për të thënë se u ngopa. Nuk më ka shkuar ne mend te heq dorë. Është një botë që po e zbuloj çdo ditë e me shume edhe me pëlqen ajo që shoh. Sigurisht nuk janë të gjitha ditët njësoj, ka ditë të mira, ka edhe ditë më të mira.

Cila ka qenë këshilla më e vlefshme që keni marr në punën tuaj që ju ka shërbyer për të ecur në botën e televizionit dhe që e kujtoni gjithmonë?

Të jem e vërtetë, t’i dëgjoj me vëmendje të ftuarit e mi dhe mbi te gjitha te jem gjithmonë e përgatitur.

Sa ka ndryshuar jeta juaj pasi u bëre pjesë e mediave?

Jo shumë. Rutina ime vazhdon të jetë e njëjta. Nuk i kam kufizuar vetes asgjë, mediat janë sjell më shume se mirë me mua. Deri tani te paktën kam patur vetëm momente të bukura, të cilat i kam shijuar shumë!

Përveçse e talentuar, punëtore dhe e aftë në punën që bëni jeni një nga moderatoret më simpatike. Sa kujdeset Arjola për veten dhe cilat janë ‘sekretet’ e saj të bukurisë?

Faleminderit për parantezën. Edhe këtu me duhet të them se jam shumë e thjesht dhe se nuk hyj në grupin e vajzave që e kaloj ditën në qendrat estetike. Përpiqem, kur kam mundësi, të kujdesem për veten, por rutina ime është: Një krem hidratues dhe zero make up! Përpiqem të mos abuzoj me ushqimin, jo në sasi, se aty abuzoj (qesh), por në cilësi, pra të ha shëndetshëm!

Loading...

Lini nje pergjigje