Sistem gjyqësor apo sistem kriminal

0
223

 

Nga Brikena Bogdo

 

Sistemi gjyqësor, sistemi politik, sistemi shoqëror, sistemi ndërgjegjësor, sistemi shpirtëror, sistemi psiqik, sistemi psikologjik, në Shqipëri, e treguan sërish që janë në zgrip të rrënimit, me vrasjen e gjyqtares Hafizi.

Debati publik si zakonisht u fokusua tek faji, apo fajtorët, sistemi, apo individi, shoqëria, apo regjimi, deri në trullosje, i shoqërisë. Pikërisht, kjo shoqëri e trullosur, e nënshtruar, e përdhosur, për shekuj dhe dekada, tenton të gjejë fajtorët dhe bashkëfajtorët dhe qorrollepset, në rrugë pa krye dhe pa zgjidhje.

Ndërkombëtarët si pjesë e domosdoshme e ringritjes së shoqërisë shqiptare, kanë dhënë ndihmesën e tyre, pikërisht, në hartimin e një manuali për dhunën në familje, me fillesë në vitin 2004. Duke u mbështetur në këtë manual, u hartua në vitin 2006, Ligji për “Dhunën në familje”. Synohet me ligj, me letra dhe me përqindje statistikash, të forcohet si ligj “Dhuna në familje”, por që në fund pashmangshmërisht, vula i mbetet strukturave të drejtësisë penale, Prokurorisë dhe Gjykatës. Si gjithmonë është abuzuar pa fund edhe me këtë ligj, si nga prokuroria, ashtu dhe gjykata, pikërisht me cilësimin e kësaj vepre penale.

Ka një presion të fortë nga ndërkombëtarët për fuqizimin e Ligjit  “Dhuna në familje”. Dhe këtu fillon vallëzimi-vrastar, “Tomi dhe Xherri”, apo “macja dhe miu”, apo “fajtor i pafajshëm”. Rasti konkret me të cilën më është dashur të përballem si avokate, është e kundërta e rastit të bashkëshortit-vrasës, të gjyqtares Hafizi. Krahas të gjitha gabimeve shumë të rënda proceduriale të Prokurorisë, prokurori, në shtrembërim të fakteve dhe të provave, e kishte cilësuar veprën penale “Dhunë në familje”, pasi me ligj, është një vepër që nuk amnistohet. Në këtë mënyrë, i pandehuri duhet të dënohej dhe të mos arrinte kurrë të përfitonte amnistinë. Familja e të pandehurit e kishin akuzuar prej kohësh këtë prokuror, edhe në një çështje tjetër penale, për abuzim detyre. Ky prokuror vazhdonte të shantazhonte familjen me forma shumë të sofistikuara, pikërisht duke luajtur me cilësimin e veprës penale, pasi dihet nga këto struktura, ndjeshmëria tepër e lartë, për këtë vepër penale, nga faktori i brendshëm dhe ndërkombëtar dhe penalizimet e shumta. Vetëm mbas një viti ankimimesh të vazhdueshme në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, u arrit largimi i prokurorit nga ajo çështje dhe mbas ankimimit në Prokurorinë e Përgjithshmë u arrit pushimi i çështjes.

Pikërisht e kundërta ka ndodhur me bashkëshortin-kriminel, të gjyqtares Hafizi. Gjyqtari i është shmangur cilësimit të veprës penale “Dhunë në familje”, në mënyrë që i pandehuri të përfitonte nga amnistia. Abuzimi me cilësimin e veprës penale, nga ana strukturave të drejtësisë, vrau gjyqtaren. Për të mbushur përqindjet e statistikave, që cilësohen me veprën penale “Dhunë në familje”, njerëz të pafajshëm dhe pikërisht ata të fajshmit, që kërcënojnë me jetë, bëjnë trentativën dhe arrijnë të kryejnë veprën penale të vrasjes, cilësohen me veprën penale “armëmbajtje penale”. Ligjvënësi, në mënyrë që ta forcojë ligjin “ Dhunë në familje”, e ka vendosur këtë vepër penale të pa amnistueshme. Kjo është arsyeja që gjyqtari e ka ndërruar me qëllim, cilësimin e veprës penale, të përcaktuar më parë nga prokurori i çështjes, për të mundësuar amnisitinë dhe lirinë e tij. I pafajshmi dënohet, ndërsa i fajshmi amnistohet për të vazhduar të vrasë, të gjithë shoqërinë shqiptare.

Në raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit, mbi respektimin e të drejtave të njeriut, në vendin tonë, evidentohet me nota negative: ‟Shumë gjyqtarë kanë dhënë vendime të pabazuara, në ligj, apo në fakt, duke bërë që disa të besojnë se, i vetmi shpjegim i mundshëm ka qenë korruptimi i këtyre gjyqtarëve, ose ushtrimi i presionit politik”.

Sistemi gjerman i drejtësisë është nga më të fortët në Europë. Fuqia e këtij sistemi konsiston pikërisht në kontrollin e rreptë të vendimeve gjyqësore, dhe në qëndrimin e rreptë ndaj çdo vendimi të gabuar, apo korruptiv të gjyqtarëve, të cilët largohen nga sistemi i drejtësisë, për të mos u kthyer më kurrë.

Opinioni publik dhe mediatik po vlon nga diskutimi i vrasjes së gjyqtares, ndërkohë nuk dëgjojmë asnjë reagim të strukturave shtetërore të drejtësisë. Ky është rasti më i mirë për të treguar që sistemi i drejtësisë po tenton të funksionojë, që tentativat e politikës për reformimin e sistemit të drejtësisë janë të sinqerta. Me sa duket, gënjeshtra dhe letargjia do të mbizotërojë në shoqëronë shqiptare.

Sipas konceptit të së drejtës, në shtetin ligjor, ai që është fajtor duhet të vuajë fajin e tij, dënimin. Por, faji dhe vuajtja janë të ndara si koncepte, në diktaturë dhe regjime të brishta. Të tjerë bëjnë faje, dhe të tjerë vuajnë dënimin. Pushteti dhe krimi janë pazgjidhshmërisht, kundër të pafajshmëve. Ata bëjnë krimet, të tjerë akuzojnë, deri në burgosje.

Shqiptarët e pafajshëm, ose më pak të fajshëm, fajësohen, në emër të bërjes së shtetit dhe mbushjes së statistikave për ndërkombëtarët.

Me gabimet proceduriale të vazhdueshme të prokurorisë, mënyra si merr dhe zhduk prova, me mënyrën e cilësimit të veprave penale, të gjithë shqiptarët janë të rrezikuar për burg, ashtu si në regjimet komuniste. Ndërkohë të gjithë kriminelët qëndrojnë të lirë, për të vazhduar krimin dhe terrorin. Me sa duket është një mjet presioni, i përdorur deri nga strukturat shtetërore politike, që gjithkush të qëndrojë i bindur dhe kokëulur.

Shkeljet proceduriale të organit të akuzës, janë bërë normalitet, duke iu mohuar shtetasve të saj, të drejtat themelore. Shqiptarët, shpesh, nuk dinë pse është ngritur akuza, kundër tyre, për t’iu hequr të drejtën e ankimimit në gjykatë. I akuzuari i veprës penale nuk lajmërohet në bazë të ligjit për shtyrje hetimesh, duke i hequr arbitrarisht të drejtën e ankimimit. Hajduti i kapur nga policia, me çelës në dorë, nuk quhet provë. Merren, sipas letrave, në pyetje, njerëz që kanë vdekur prej kohësh. Nuk bëhet ekspertim, sipas ligjit, kur i pandehuri dorëzon raportin për sëmundje të rëndë nervore, duke i krijuar probleme psiko-emocionale, pasi nuk pranon të bëhet pjesë e mekanizmit të korruptuar. Ndërkohë, kriminelë marrin një raport mjekësor, për të fituar pafajësinë. Një zënkë e çastit kriminalizohet për t’u burgosur, dhe kriminelin e lenë të lirë, për të vazhduar krimin. Të pafajshmit nuk kanë fuqinë ekonomike, që të paguajnë policë e prokurorë, që kërleshen si hienat, se kush do e marrë haraçin. Nëse nuk arrin ta marrë policia, e merr prokuroria. Nëse nuk nxjerr haraçin, prokuroria, mbetet gjykatësi, që jep verdiktin, “i fajshëm”, në kurriz të këtyre mjeranëve. Prandaj, fukarenjtë dhe të pafajshmit, janë kontigjent i sigurt, për të mbushur statistikat e dënimeve masive, “të të bërit shtet”.

Sot, prokuroria dhe policia, po akuzohen për abuzime, shantazhe, dërgime të padrejta për gjykim. Zinxhiri korruptiv polici, prokurori, gjykatë është bërë i pathyeshëm.

Jemi  në kushtet e tejkalimit të ligjit, nga insitucione të rëndësishme, që vendosin rendin dhe drejtësinë. Fuqia shtrënguese e shtetit, detyrimisht duhet vendosur nën korizën e ligjit, në të kundërt, shndërrohet në gangsterin e fuqishëm, që ka liri të godasë, me paligjshmëri këdo dhe kurdo.

E gjithë shoqëria shqiptare është bashkëfajtore për sa kohë lejon një sistem të këtij niveli kriminal gjyqësor të mbijetojë dhe dënojë me vdekje të gjithë, dikë me vdekje fizike, dikë me vdekje morale, dikë me vdekje psiqike dhe psikologjike. Pashmangshmërisht, kemi hyrë në letargji.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here